TIRANE – Për liderin e opozitës Lulzim Basha, shifrat e publikuara nga INSTAT-i, për shkallën e punësimit në vend, janë mashtrime të qeverisë Rama-Meta. Ndërsa INSTAT pretendon se në 3 mujorin e tretë të vitit shkalla e punësimit u rrit 3.7 pikë përqindje, Basha ironizon duke thënë se sipas këtyre të dhënave duhet të jenë hapur 4 herë më shumë vende të reja pune se në Amerikë.

“Qeveria e papunësisë thotë se ka hapur në një vit mbi 81 mije vende të reja pune. Me këto gënjeshtra del se kanë hapur 4 herë më shumë se Amerika. Duke ruajtur raportet e popullsisë, Amerikanët kanë hapur rreth 7 mijë vende pune të reja për çdo një milion banorë gjatë 2014-ës. Ndërsa mashtruesit e rilindjes paskan hapur mbi 27 mijë për një milion banorë!!! A mundet një ekonomi në krizë si e jona të hapë 4 herë më shumë vende pune se një ekonomi në rritje si e SHBA??? Rrena dhe mashtrim për popullin, punët për vete, ky është realiteti Rama-Meta”- shkruan Basha në “Facebook”.

Sipas raportit të INSTAT-it, në 3 mujorin e tretë të vitit shkalla e punësimit u rrit 3.7 pikë përqindje, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës me 4.8 pikë përqindje, dhe shkalla e papunësisë me 0.2 pikë përqindje për grupmoshat 15-64 vjeç, kundrejt të njëjtës periudhë të 2013-ës.

INSTAT njofton sot se për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,4 %. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,4 %. 63,4 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, e punësuar, ose në kërkim aktiv të një pune. Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 52,3 %.

Krahasuar me tremujorin e tretë 2013, shkalla e punësimit u rrit me 3,7 pikë përqindje, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës me 4,8 pikë përqindje dhe shkalla e papunësisë u rrit lehtë me 0,2 pikë përqindje (grupmosha 15-64 vjeç).

Krahasuar me tremujorin e dytë 2014, shkalla e punësimit është rritur me 1,8 pikë përqindje, e pjesëmarrjes në forcat e punës me 2,1 pikë përqindje, ndërsa ka rënë me 0,2 pikë përqindje për grupmoshat 15-64 vjeç shkalla e papunësisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: