NGA VALENTINA MADANI
Zyrtarët e lartë të Athinës zyrtare nuk e fshehin dot mbështetjen me kushte të Shqipërisë për procesin e integrimit në familjen evropiane. Ata e kushtëzojnë këtë mbështetje me luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, reformën në gjyqësor dhe mosprekjen e pronave të minoritet grek në Shqipëri.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, në një intervistë për radion greke “Alpha”, deklaroi dje se dëshiron që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, por se tensionet Athinë-Tiranë komplikojnë anëtarësimin. Për sa u përket çështjes çame, kufirit të detit dhe ligjit të luftës, Kotzias tha se “me ekzistencën e këtyre problemeve, procesi i anëtarësimit do të komplikohet”.

Duke u ndalur te negociatat, ai theksoi se Samiti i Dhjetorit i liderëve të Bashkimit Europian do të vendosë disa kushte që Shqipëria duhet të zbatojë para se të hapen negociatat e anëtarësimit.

“Do të kërkohet luftimi i krimit të organizuar dhe droga, do të përfshihet nevoja e reformës administrative dhe veçanërisht reformimi i sistemit gjyqësor. Në konkluzionet e samitit do të përfshihet edhe detyrimi që të mos preket e drejta mbi pronën e minoritetit grek në Shqipëri”, – deklaroi ai, referuar ngjarjeve të Himarës.

Kurse para tri ditësh, në një intervistë për televizionin grek “Star”, zv.ministri i Mbrojtjes, Dimitris Vitsa reagoi lidhur me kërcënimin e presidentit turk Erdogan se do të hapë kufijtë për emigrantët nëse do të ngrihen bisedimet e Turqisë me BE-në, si dhe për deklaratat e kryeministrit Rama, sipas të cilit çamët kanë të drejtë të pretendojnë pronat e tyre në Çamëri.

Në fund të intervistës, zv.ministri grek ka komentuar fjalën e kryeministrit Rama: “Më lejoni një buzëqeshje të lehtë, për disa gjëra të çuditshme që dëgjoj nga veriperëndimi. Për Greqinë nuk ekziston çështja çame. Po qe se dikush do ta diskutojë një gjë të tillë, le të ulet në një tryezë dhe le ta diskutojë i vetëm!”

Duke iu referuar deklaratave të presidentit turk, zv.ministri grek është shprehur se nuk pinë ujë kërcënimet. “Ata e dinë shumë mirë, se jemi të fortë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin tonë territorial, nga çdo rrezik që mund të vijë, si nga Lindja, edhe nga Perëndimi. Çështja e refugjatëve është një çështje humanitare, e cila duhet trajtuar në nivel ndërkombëtar”, – u shpreh zv.ministri grek.

Ndërsa kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Aleksis Cipras, zhvilluan më datë 22 nëntor një bisedë telefonike. Zyra e shtypit e kryeministrit grek njoftoi se iniciativa për bashkëbisedimin telefonik ka qenë e kryeministrit Rama.

“Të dy liderët kanë nënvizuar rëndësinë e përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe për të mirën e popujve dhe të zonës në tërësi”, u bë e ditur në njoftimin për shtyp të zyrës së kryeministrit grek. Tsipras u shpreh se veprimet e kohëve të fundit dhe deklaratat nacionaliste të palës shqiptare po minojnë klimën e besimit të ndërsjellë, që është i domosdoshëm për marrëdhëniet dypalëshe. Në fund, Kryeministri i Greqisë ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek përbën çështjen thelbësore të marrëdhënieve dypalëshe, por është edhe kushti kryesor për ecurinë europiane të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, në një intervistë me gazetarin grek Alexis Papahelas në televizionin grek “Skai”, deklaroi se çamët kanë të drejtë të kërkojnë pronat e tyre. Duke iu referuar rasteve të shumë të moshuarve të cilëve u është refuzuar kalimi në kufi, kryeministri tha se është e padrejtë edhe nëse të parët e tyre kanë qenë kolaboracionistë.

Për z. Rama, dy vendet tona jetojnë në një paradoks. “Përse të mos e shohim në mënyrë të ndryshme, përse të mos themi ‘po, ka një problem, këta njerëz janë çrrënjosur nga shtëpitë e tyre, shtëpitë e tyre janë në Greqi dhe kanë të drejtën të kthehen nëse duan, kanë të drejtën të pretendojnë pronat e tyre n.q.s. duan’. Cili është problemi këtu?” – tha z. Rama.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: