Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë me homologun e tij maqedonas, Stevo Pendarovski, pas takimit me të në Presidencë. Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit Shqiptar vuri theksin te vendimi negativ i BE për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Meta tha se ndan të njëjtin mendim me Pendarovskin se e vetmja rrugë dhe alternativë për të dy vendet është anëtarësimi në BE, dhe se një gjë e tillë duhet të ndodhë sa më shpejt. Sa i takon Shqipërisë, Meta tha se duhet të bëjë përpjekje shumë të mëdha për të qenë i besueshëm për Bashkimin Evropian.

“Nuk jemi të lumtur për zhvillimet e fundit lidhur me negociatat për të dy vendet, por është tepër e qartë se ndajmë një qëndrim të përbashkët që e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë për dy vendet tona, por edhe rajonin tonë, mbetet anëtarësimi në BE.

Me këtë drejtim do të forcojmë përpjekjet tona si në planin e brendshëm, edhe në bashkëpunimin mes vendeve dhe me vetë BE, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi zhvillime pozitive në këtë drejtim. Çdo ide tjetër do të ishte e papranueshme për një rajon që është aq jetik për të ardhmen e vet kontinentit.

Sa i takon Shqipërisë jam i sigurt se do na duhet të bëjmë përpjekje shumë më të mëdha për të qenë i besueshëm dhe besoj se platforma më e mirë e reagimit dhe reflektimit në raport me Be mbetet platforma e miratuar nga Bundestagu”, u shpreh Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit zbuloi disa nga temat kryesore, që janë diskutuar me homologun maqedonas, mes të cilave shte edhe bashkëpunimi më i madh dy vendeve dhe fqinjësia e mirë.

“Shpresë kënaqësi të veçantë për këtë vizitë të parë zyrtare të Presidentit, pasi jam i sigurt që do iu japë dimension të ri marrëdhënieve të dy vendeve tona. Është fakt për t’u përshëndetur se zgjedhja e tij si President i ka dhënë dimension tjetër marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, duke përforcuar bashkëjetesën atje, që është shumë e rëndësishme për të ardhmen evropiane.

Pas marrëveshjes historike të Prespës, mjaft e rëndësishme për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit, Maqedonia e Veriut po ecën e sigurt drejt anëtarësimit në NATO. Për ne është kënaqësi që të tregojmë gjithmonë mbështetjen tonë të sinqertë për këtë vlerë të shtuar të aleancës.

Shpreh kënaqësi për angazhimin e Presidentit dhe institucioneve të vendit fqinj për të përmbushur të gjitha detyrimet që parashikohen nga marrëveshja e Ohrit, që është shumë e rëndësishme. E kam siguruar Presidentin për përkushtimin tonë për integrim gjithnjë e më të plotë të pakicës maqedonase në vendin tonë, që përfaqësohet nga një komunitet i mrekullueshëm, ku ne do marrim gjithë angazhimet e duhura për të përforcuar më tej identitetin e tyre kombëtar e kulturor.

Kemi diskutuar për përforcimin e bashkëpunimit, në shumë fusha. Një shqetësim tjetër i përbashkët, por edhe angazhim i përbashkët, është të intensifikojmë marrëdhëniet mes të rinjve të të dyja vendeve, për të dhënë mesazhe sa më të rëndësishme për të ardhmen e tyre sa më të sigurt, në mënyrë që të dekurajojmë çdo tendencë për t’u larguar nga vendet tona për kushte më të mira. Ky është një rajon që ka potencial të madh për t’u zhvilluar”, deklaroi Presidenti shqiptar.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb