TIRANE – Ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu njofton në faqen e saj në ‘Facebook’ për çeljen e Shkollës Verore Europiane në Tiranë.

Sipas Bregut, datat 26-30 Shtator do çelin 5 ditët e para intensive të identifikimit të aktorëve te mundshëm te Ekipit Negociator për Anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe krijimit te një grupi ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e vendim-marrjes dhe anëtarësimit në BE, përmirësimin e koordinimit ndër-institucional në nivel kombëtar, si dhe krijimin e rrjeteve efektive të bashkëpunimit.

STATUSI I BREGUT NE ‘FB’
Me ne fund!
Diten ne te cilen Keshilli Kombetar i Integrimit Europian u themelua, isha pak si “shume entuziaste”, kur kerkova qe Shqiperia te kishte nje Akademi ku te investohet ne dije e forcim kapacitesh per sfidat e anetaresimit ne BE!
Asgje nuk eshte e lehte ne rrugen e Integrimit te Shqiperise ne Europe! Madje konfrontimi yne politik,retorika me shume reklame se pune e Qeverise deri edhe tek paragjykimi im i herepashershem dhe vetpermbajtja e atyre qe me ne fund na mbeshteten, i bënë agresion molepsës edhe realizimit te këtij procesi.
Por ia dolem qe te nisim nje sfide te re!
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, prane Parlamentit, në partneritet me Kolegjin e Europes ne Bruges; Rrjetin e Informacionit të Bashkimit Europian dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) nga datat 26-30 Shtator do celin 5 ditet e para intensive të:
-identifikimit te aktorëve te mundshëm te Ekipit Negociator per Anëtarësimin e Shqipërisë në BE,
-krijimit te një grupi ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e vendim-marrjes dhe anëtarësimit në BE, përmirësimin e koordinimit ndër-institucional në nivel kombëtar, si dhe krijimin e rrjeteve efektive të bashkëpunimit.
Asgje nuk eshte e lehte! Dhe sic thoshte De Gasperi:
“E ardhmja nuk do ndertohet nga forca, as nga deshira per te zaptuar, por nga zbatimi me durim i rregullave te demokracise, shpirti konstruktiv i mirekuptimit dhe respekti per lirine!”

NJOFTIMI PER APLIKIM NE FAQEN E PARLAMENTIT
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, pranë Kuvendit të Shqipërisë, në partneritet me Rrjetin e Informacionit të Bashkimit Europian dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) do të organizojnë raundin e parë të Shkollës Verore Evropiane, e cila do të zhvillohet në datat 26-30 Shtator 2016 në Tiranë.

Shkolla Verore synon të identifikojë aktorët e mundshëm të Ekipit Negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe të krijojë një grup ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e vendim-marrjes dhe anëtarësimit në BE, përmirësimin e koordinimit ndër-institucional në nivel kombëtar, si dhe krijimin e rrjeteve efektive të bashkëpunimit.

Krahas ofrimit të një kuadri të plotë teorik, shkolla verore synon gjithashtu të ndihmojë pjesëmarrësit në përmirësimin e aftësive të tyre negociuese me anë të metodave praktike për negociata efektive. Leksionet do të mbahen nga profesorë nga Kolegji i Europës (Bruges), ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për Integrimin Europian dhe procesin e zgjerimit, si dhe nga Z. Pierre Mirel, ish-Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit (KE).

Gjithashtu, shkolla verore do të përfshijë seanca me përfaqësues të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, si dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, të cilët do të diskutojnë më pjesëmarrësit mbi procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë.

Programi përfshin katër module kryesore:
Moduli 1: Situata aktuale dhe kuadri institucional i Integrimit Europian në Shqipëri;
Moduli 2: Negociatat: Strategjitë dhe negociimi;
Moduli 3: Hapat dhe fazat drejt negociatave;
Moduli 4: Komunikimi në publik i procesit të Integrimit Europian.

Gjatë shkollës verore do të përdoren një shumëllojshmëri e metodave të mësimdhënies dhe të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, seminare, diskutime ndërvepruese dhe vizita në strukturat e Integrimit Europian. Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian do të ofrojë një praktikë pune për një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Të gjithë pjesëmarrësit do të marrin një certifikatë frekuentimi pas përfundimit të suksesshëm të kursit pesë-ditor.

Kush mund të aplikojë?
Nëpunës të administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e Integrimit Europian të cilët të synojë të angazhohen në procesin e negociatave;

Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare, të cilët dëshirojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre në fushën e Integrimit Europian dhe synojnë të jenë të përfshirë në procesin e negociatave;
Gazetarë
Regjistrimi:

Pjesëmarrësit e interesuar janë të lutur të dërgojnë CV dhe një letër motivimi përmes postës elektronike në të dyja adresat e mëposhtme:

Qendra e BE-së Informacioni në Tiranë: [email protected]
Kuvendi, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian: [email protected]
Afati i aplikimit është data 15 shtator

Ka vetëm 35 vende në dispozicion! Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen brenda një jave. Kjo shkollë verore NUK ka Pagesë për pjesëmarrje!

Aplikantët duhet të kenë nivel të mirë të gjuhës angleze. Disa nga seancat do të zhvillohen vetëm në anglisht.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb