Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Taulant Balla, ishte i pranishëm në konferencën shkencore “Pandemia dhe rimëkëmbja, që po mbahet sot në Tiranë.

Në fjalën e tij, numri dy i PS vuri theksin te dy vështirësitë e madhe, me të cilat u përball Shqipëria gjatë vitit 2020, siç ishte rindërtimi pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e koronavirusit.

Por, sipas Ballës, “Si pasojat e tërmetit, ashtu edhe implikimet e pandemisë, teorikisht mund të ishin një sfidë për avancimin e integrimit. Por nuk ndodhi kështu. Shqipëria eci me hapa të vendosur drejt familjes europiane”.

Në fund të fjalës së tij, Taulant Balla iu drejtoi dhe një mesazh krerëve të partive politike, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, duke thënë se “Edhe diçka për zgjedhjet e 25 prillit. Bojkotet duhet të jenë veprime që i përkasin të shkuarës. Nuk duhet harruar që zgjedhjet janë të qytetarëve”.

Fjala e Taulant Ballës:
Tërmeti dhe pandemia Covid-19 si edhe rindërtimi e strategjitë dalëse prej pandemisë po ndodhin në një moment të veçantë. Veçanësia lidhet me momentumin në të cilin Shqipëria ndodhet vis a vis procesit të integrimit evropian, një procesi i rëndësishëm dhe kompleks. 51 persona humbën jetën, mijëra njerëz humbën shtëpitë, më shumë se 200 mijë veta u prekën nga tërmeti dhe rreth 17 mijë njerëz u zhvendosën për shkak të humbjes së shtëpive.
Ndërkohë, pandemia përfshiu në mënyrë kapilare të gjithë shoqërinë, ekonominë, shërbimet, dhe, mbi të gjitha, jetët njerezore.

Si pasojat e tërmetit, ashtu edhe implikimet e pandemisë, teorikisht mund të ishin një sfidë për avancimin e integrimit. Por nuk ndodhi kështu. Shqipëria eci me hapa të vendosur drejt familjes europiane.

Në kulmin e përpjekjeve për rindërtim dhe në nisje të pandemisë, Shqipëria ndjeu mbështetjen e fuqishme të familjes europiane dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Konferenca e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” e 17 shkurtit shënoi një arritje të paperceptushme, 1.15 miliardë dollarë mbështetje,

Në kulmin e pandemisë, më 25 mars 2020, Shqipëria mori vendimin e shumëpritur të Këshillit Europian për çeljen e negociatave. Edhe pse e goditur, për shkak të brishtësisë ekonomike e sociale, ashtu si edhe mjaft vende të tjera, vendi nuk humbi orientimin dhe integrimi europian mbeti “ylli polar” i Shqipërisë, si gjatë rindërtimit, ashtu edhe gjatë pandemisë. Duke sfiduar dhe fituar mbi atë që u kristalizua si “skepticizmi europian”.

Si Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës dhe në cilësinë e bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijmit BE–Shqipëri, do të ndalem në rrugëtimin e qasjes së BE-së ndaj procesit të integrimit gjatë viteve të fundit. Ajo që evidentohet në vendim-marrjen e institucioneve të BE-së por edhe të disa anëtarëve të saj ka qenë një skepticizëm në rritje ndaj pranimeve të reja. Ky aspekt u vërejt në ngadalësimin dhe here-herë bllokimin e procesit të integrimit nga disa anëtarë të BE-së.
Nëse do ta krahasonim rolin e Komisionit Evropian në raundet e mëparshme të zgjerimit, ky i fundit ka humbur pozicionin qëndror në këtë process, duke e fragmentarizuar vendim-marrjen vis a vis politikës së zgjerimit.

Komisioni si institucioni i vetëm që raporton në lidhje me ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tashmë e ka humbur rolin drejtues dhe ky aspekt u evidentua në rastin e shtyrjes së vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë në 2019 në Këshill apo rasti më i fundit bllokimi i Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, të cilat reflektojnë vendimarrje të bazuara tërësish në situatat e brendshme të disa vendeve anëtare.

Spostimi i boshtit të vendimarrjes nga Komisioni tek vendet anëtare në raport me politikën e zgjerimit po vë në dyshim efektet pozitive transformuese të saj. Nëse tradicionalisht metri i matjes së përparimit në procesin e integrimit ishin standardet dhe procedurat e përcaktuara nga kritere dhe indikatorë specifikë, tanimë duket se kjo nuk është më e mjaftueshme.

Vitet e fundit po forcohet bindja që procesi për vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do jetë i paparashikueshëm dhe do të varet kryesisht nga qasjet e disa vendeve anëtare ndaj rajonit dhe jo në progresin e këtij të fundit. Ky aspekt sigurisht vë në dyshim politikën e suksesshme të zgjerimit, e cila vitet e fundit ka humbur fuqinë transformuese në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky sigurisht nuk është një lajm i mirë jo vetëm për BE-në por edhe për vendet tona për shkak të faktit të pakontestueshëm se procesi i integrimit ka shërbyer në këto dy dekada si shtysa kryesore për transformimet radikale që kanë pësuar vendet tona.

Në këto tre dekada marrëdhënieje me Bashkimin Europian, ky i fundit nëpërmjet fuqisë transformuese e ka shndërruar Shqipërinë në tre drejtime kryesore: një rregullim i politikës së brendshme (ku reforma e sistemit të drejtësisë është kryefjala e viteve të fundit) pasi sundimi i ligjit është një parakusht thelbësor për një transformim tërësor të një vendi në rrugën e tij drejt BE;

politika e jashtme (përafrimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë),
marrëdhëniet rajonale (marrëdhëniet e mira fqinjësore/rajonale, veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit dhe në përpjekjen e brendshme për të ecur përpara me angazhimin që morëm përsipër për realizimin e Zonës Rajonale Ekonomike). Të gjitha këto angazhime nuk do të mundësohshin pa fuqinë e vizionit të një perspektive të integrimit në BE.

Për të kaluar në shtëpinë tonë duke pasur parasysh kontekstin e përshkruar më lart, është me rëndësi të rikujtojmë edhe kontekstin në të cilin vendit i është dashur të përparojë. Shqipëria kaloi një tërmet shkatërrues, pasojat ekonomike dhe sociale të së cilës do të na përndjekin për vite; si dhe menjëherë më pas u përballëm me një pandemi globale të COVID-19, e cila po gjunjëzon ekonomi shumë më të zhvilluara se kjo e jona. Me këtë premisë sigurisht çdo përparësi e realizuar nga Shqipëria merr një vlerë tjetër.

Megjithatë duhet të jemi të sinqertë me të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët pavarësisht mbështetjes së plotë ndaj këtij procesi, kërkojnë përmirësim të dukshëm në përditshmërinë e tyre. Dhe kjo është arsyeja themelore përse ne do ta kemi gjithmonë prioritet mbi prioritetet avancimin në reforma. Sepse në fund të ditës përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit dhe vendimarrjes në mars të Këshillit për hapjen e negociatave me Shipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendimarrja e fundit e Këshillit për mosmiratimin e kuadrit negociues për të dy vendet konfirmon edhe një here tezën e humbjes së pozicionit qëndror nga ana e Komisionit Evropian në vlerësimin teknik të vendeve tona.

Megjithatë pavarësisht vendimarrjes në Bruksel, Shqipëria nuk është tërhequr për asnjë çast nga vazhdimi i procesit të reformës dhe ruajtja e këtij momentumi. Ne do të ndjekim me vendosmëri konsolidimin e rekordeve tona në reformat e rëndësishme të ndërmarra deri më tani ashtu siç e thekson edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit për Shqipërinë. Vendosmëria jonë lidhet pikërisht me faktin që Shqipëria nuk ka një plan B përpos integrimit në BE dhe pavarësisht dritëhijeve të procesit, vendi do të vazhdojë i palëkundur në këtë rrugëtim kompleks.

Taulant Balla, Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijimit BE–Shqipëri, nënvizon se tërmeti dhe pandemia Covid-19 si edhe rindërtimi e strategjitë dalëse prej pandemisë po ndodhin në momentumin në të cilin Shqipëria ndodhet vis a vis procesit të integrimit evropian. Si pasojat e tërmetit, ashtu edhe implikimet e pandemisë, teorikisht mund të ishin një sfidë për avancimin e integrimit. Por nuk ndodhi kështu. Shqipëria eci me hapa të vendosur drejt familjes europiane. Në kulmin e përpjekjeve për rindërtim dhe në nisje të pandemisë, Shqipëria ndjeu mbështetjen e fuqishme të familjes europiane dhe të partnerëve ndërkombëtarë në Konferencën e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” të 17 shkurtit. Në kulmin e pandemisë, më 25 mars 2020, Shqipëria mori vendimin e shumëpritur të Këshillit Europian për celjen e negociatave. Integrimi europian mbeti “ylli polar” i Shqipërisë, si gjatë rindërtimit, ashtu edhe gjatë pandemisë. Duke sfiduar dhe fituar mbi atë që u kristalizua si “skepticizmi europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb