Inteligjenca izraelite pretendon se SHBA-ja do të kthehet në marrëveshjen bërthamore me Teheranin në përfundim të bisedimeve për Iranin që vazhdojnë në Vjenë.

Gazetari izraelit Barak Ravid në artikullin e tij në faqen e lajmeve “Axios” me qendër në SHBA, të cilin e bazon mbi dy zyrtarë izraelitë që kanë marrë pjesë në mbledhjen informuese lidhur me bisedimet në Vjenë, thotë se SHBA-ja është pranë kthimit të saj në marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Sipas lajmit, zyrtarët e inteligjencës ushtarake të Izraelit dhe disa zyrtarë me grada që janë me detyrë në Mossad, i kanë përcjellë qeverisë izraelite se SHBA-ja pritet që të kthehet në marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015 në përfundim të bisedimeve që vazhdojnë në Vjenë me Iranin.

Në takimin informues në fjalë, thuhet se zyrtarët e inteligjencës izraelite kanë transmetuar informacionet e nevojshme në mënyrë që qeveria të kryejë përgatitjet për rezultatet e mundshme të bisedimeve në Vjenë.

Një nga zyrtarët, emri i të cilit nuk është zbuluar, lidhur me çështjen ka thënë se “Nuk do të na habisë së SHBA-ja me vendet e tjera përkatëse të nënshkruajë një marrëveshje me Iranin brenda javësh”.

Qeveria izraelite e cila që në fillim të procesit ka deklaruar se është e shqetësuar për rikthimin e SHBA-së në marrëveshjen bërthamore me Iranin, kërkon nga administrata e Bidenit që të rrisë presionin mbi Teheranin.

Në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë prej dy javësh vazhdojnë bisedimet ku diskutohet zbatimi i plotë i marrëveshjes bërthamore me Iranin të emërtuar si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA) si dhe rikthimi i SHBA-së në marrëveshje.

Administrata amerikane ka theksuar se nëse Irani rikthehet në kushtet e marrëveshjes bërthamore edhe ajo është e gatshme të rikthehet në marrëveshje dhe të heqë sanksionet lidhur me marrëveshjen. Por, qeveria e Iranit kërkon që të hiqen të gjitha sanksionet e zbatuara ndaj tij që nga viti 2017 e deri më tani.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb