Champions League rikthehet me ndeshjet e treta në grupe, ku për disa skuadra marrja e pikëve është vendimtare. Sytë do të jenë nga dy ekipet e Milanos, Inter dhe Milani, që ende nuk e kanë provuar shijen e fitores në këtë edicion.

Zikaltrit do të presin në shtëpi Sheriff Tiraspolin, një sfidë e lehtë në letër, por debutuesit moldavë kanë 6 pikë, pasi kanë mposhtur Shaktar Donjeck dhe Real Madrid në dy sfidat e para. Nëse zikaltrit nuk do të fitojnë edhe sonte, me siguri nuk do të kualifikoheshin për në raundin tjetër. Në këtë grup ukrainasit e Shaktar presin Real Madridin, një sfidë jo aq e lehtë për spanjollët, që gabuan në shtëpi ndeshjen e dytë.

Situatë e vështirë edhe për Milanin, që ka pësuar dy humbje në po kaq ndeshje. Skuadra e Piolit do të luajë në transfertë me Porton, dhe pas rezultateve të mira në kampionat, vijnë më të karikuar se kurrë për sfidën ndaj portugezëve. Kuqezinjtë kërkojnë maksimumin, ndryshe do të komplikonin gjithçka.

Përballje interesante do të jetë dhe ajo midis Atletikos së Madridit dhe Liverpulit. Të besuarit e Jurgen Klopp do të kërkojnë hakmarrjen për eliminimin para dy sezoneve, por ndaj vendasve spanjollë nuk do të jetë e lehtë.

Ndërsa PSG do të luajë në shtëpi përballë Lajpcigut. Prozhektorët edhe njëherë tjetër do të jenë të drejtuar te Messi, i cili nuk luajti në fundjavë në kampionat. Ajax-Dortmund është dueli për kreun e grupit përkatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb