Mauro Icardi ishte heroi i Interit në derbin e Milanos, pasi një gol i tij në kohën shtesë i dhuroi fitoren zikaltërve, në një ndeshje që deri në momentin e golit nuk dhuroi shumë emocione.

Në pjesën e parë Interi ishte dominues por nuk arriti të gjente golin. Pas vetëm 13 mintuash lojë Interit i anulohet një gol për një pozicion jashtë loje të Icardit, i cili befasohet nga vendimi i gjyqtarit. Zikaltërit përpiqen që të shtyjnë përpara dhe rrezikojnë sërish me Ivan Perisic, i cili përpiqet të devijojë në kuadrat një krosim në zonë, por Donnarumma largon topin në goditje këndi.

Në të 30’, Interi humbet Radja Nainggolan, i cili u dëmtua pas një përplasjeje me Lucas Biglia. Belgu rrezikon seriozisht praninë në fushë kundër Barcelonës të mërkurën në “Camp Nou”, pasi ka ndrydhur kaviljen.

Vecino shpërdoron një mundësi të mirë në të 34’ kur edhe pse brenda zonës e dërgon topin mbi traversë, ndërsa Icardi bën të njëjtën gjë, por me kokë 7 minuta më vonë. Tre minuta para fundit të pjesës së parë është Milani që shënon me anë të Musaccios, por goli me kokë i argjentinasit gjithashtu anulohet për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë Handanovic dhe Donnarumma ishin më tepër spektatorë, pasi sulmet respektive treguan mungesë të theksuar idesh. Por në minutën e 92-të ishte Icardi që siguroi trepikëshin për zikaltërit, kur pas një krosimi në zonë të Vecinos kërceu mbi mbrojtësit kundërshtarë dhe goditi saktë me kokë falë edhe një daljeje amatore të Donnarummas nga kuadrati.

Një fitore që e ngjit Interin në vend të tretë mbi Lazion, 2 pikë pas Napolit dhe 6 pas Juventusit. Ndërsa Milan mbetet në gjysmën e dytë të klasifikimit

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: