Një nga emrat e rinj që Edy Reja do të ftojë për miqësoret e marsit është edhe ai i Kristjan Asllanit, mesfushorit të Empolit, i cili po spikat me ekip toskan nga ndeshja në ndeshje.

Dhe këtë rritje të djaloshit shqiptar e kanë vënë re edhe tek Interi. Asllani i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i janë vënë në dispozicion, për të treguar potencial të madh. Zikaltrit po e monitorojnë me interes, gjithmonë të gatshëm për të vendosur një goditje të re dhe me kosto të ulët, mbi të cilën do të ndërtojnë të ardhmen.

“Gazzetta dello Sport” i ka bërë një profil të shkurtër talentit shqiptar. Sipas asaj që shkruan prestigjozja italiane, Asllani është mesfushor shumë i përgjegjshëm, i cili lufton në çdo pëllëmbë të fushës për të mos lënë kundërshtarët të kalojnë. Ai ka një goditje tipike të tij dhe pothuajse kurrë nuk kryen faulle të rrezikshme për t’u ndëshkuar me karton të kuq.

Asllani

Edhe pse vetëm 1 m e 75 cm, Asllani është guximshëm dhe mjaft i shpejtë për të mbyllur hapësirat e lëna nga shokët e skuadrës. Me pak fjalë, ka karakteristika nga ato që i pëlqen Inzaghit tek Inter, veçanërisht për shpejtësinë, moshën dhe agresivitetin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb