Inter “thyen” 0-1 Sparta Pragën. Ndaj ekipit të Laçit mjaftoi vetëm një gol i Martinez, me “demin” që fluturimthi gjeti një kënd të pabesueshëm duke i dhuruar ekipit zikaltër një fitore shumë të rëndësishme. Me 16 pikë në 7 javë, tani Interit i mjafton vetëm një pikë në sfidën e fundit kundër Monaco për të kualifikuar direkt në fazën e 1/8. Asllani dhe Laçi, dy legjionarët kuqezi zbritën në fushë si titullar.

Sparta nuk qëndroi pasive në këtë takim, por tentuan në çdo formë të shmangnin këtë humbje. Inter gjeti dhe golin e dytë në minutën e 60-të me Dumfries, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.

Pas kësaj humbje ekipi i Qazim Laçit e sheh veten jashtë Champions League, me vetëm 4 pikë në 7 javë. Simone Inzaghi, trajneri i Inter, u shfaq i kënaqur për këtë sukses, ndërsa nuk harroi as t’i dilte në krah Kristjan Asllanit, i shumë kritikuar këtë periudhë:

“Jemi shumë pranë një rezultati të madh. Na duhet vetëm një pikë, por e kemi vetë në dorë fatin tonë. Kjo nuk ishte e lehtë, por kemi zhvilluar 7 ndeshje në mënyrën e duhur. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e djemve, i bëra komplimentet e mia.

Asllani? Po bën gjëra të mira, po punon shumë mirë. Sigurisht mund edhe të gabosh ndonjë ndeshje, por ai është gjithnjë gati. Ai punon shumë, nëse nuk do të ishte ndëshkuar me të verdhë do ta lija më gjatë në fushë. Unë kam shumë besim tek ai, edhe shoqëria”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes kundër Sparta Pragës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb