Huazimi i Joao Mario-s të West Ham ka përfunduar dhe futbollisti portugez do të rikthehet te Interi, klub ku për 1 sezon e gjysmë nuk arriti asnjëherë të impresiononte duke parë që u ble për më shumë se 40 mln euro.

Me shumë mundësi londinezët do të kërkojnë të blejnë përfundimisht futbollistin zikaltër që në këto 5 muaj ka arritur të bindë jo vetëm drejtuesit, por edhe tifozët të cilët e pëlqejnë së shumti.

Gjithsesi e ardhmja e tij është enigmatike dhe për të shtuar më shumë zërat ka menduar Mourinho në një intervistë për gazetën ‘Record’.

“Do të më pëlqente që ai të qëndronte në Angli. Te Manchester United? Përse jo, Joao Mario më ka pëlqyer gjithmonë.”

Trajneri i “djajve” ka përshtypje shumë të mira për Joao Mario dhe për atë që ka bërë për West Ham. “E mira për të do të ishte të qëndronte në Angli. E ka nisur shumë mirë aventurën e tij në Premier League dhe mendoj se duhet ta vazhdojë sepse mund të jetë i suksesshëm. Për rritjen e tij si futbollist kampionati anglez është ideali.”

Dikush flet edhe për Manchester United në të ardhmen e futbollistit që është në pronësi të Inter: “Mario te United? Përse jo. Por West Ham është një klub historik, i rëndësishëm, që dëshiron të rritet. Ai mendon dhe vepron shpejt. Tani po gjen sërish ritmin dhe agresivitetin që i mungonte në Itali. Më ka pëlqyer gjithmonë.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb