Në interpelancën e kërkuar nga opozita parlamentare me kryeministrin e vendit, Edi Rama për të sqaruar shembjen e Teatrit Kombëtar, deputetja Rudina Hajdari nuk i kurseu akuzat.

Ajo tha se Rama do mbahet mend si njeriu që e betonizoi Tiranën dhe se po i ngjan gjithnjë e më shumë Nikola Gruevskit në Maqedoni. Ajo tha po ashtu se do ketë të njejtin fat.

“Duke parë që gjendja është e rëndë, duke parë se sa ndjeshmëri ka cështja e teatrit më lejoni të parashtroj fjalën time. Që më 17 maj nisa leximin e shtypit ndërkombëtar që shigjetonin kryeministrin Rama se kishte shembur në mënyrë brutale Teatrin Kombëtar. Keni 7 vite si kryeministër, por sot bota po të shikon fytyrën e vërtetë. Keni pasur një obsesion me këtë teatër, e keni pasur me atë truall, po të ishte në vend tjetër do ta kishit lënë. Ju doni atë truall në mes të Tiranës për të ndërtuar kulla. Isha këtu kur bëre propozimin e parë, thoni se do modernizoni Tiranën, a nuk jemi ne këtu dhe e dimë fare mirë se këto apartamente luksoze nuk është askush në gjendje t’i blejë. Ju e bëni të gjithë këtë se doni të kënaqni shokët tuaj.

Nga njëra anë thoni se keni hequr dorë nga PPP për ndërtimin e teatrit dhe nga ana tjetër Bashkia thotë se nuk i kemi lekët për ta ndërtuar. Më e keqja e shkatërrimit ka qënë ajo ora 4 e 30 e mëngjesit. Në atë ndërtesë ka pasur njerëz, ka pasur njerëz brenda dhe sipër saj keni bërë tentativë vrasje. S’keni pyetur për artistët. Kush i jepte urdhrat zoti Kryeministër? Na e shpjegni si i bëtë ato akte barbare dhe tani . Betonizimi i Tiranës është fakt, ju sot jeni shndërruar në një Nikola Gruevski që ndërtoi statuja e monumente të pakuptimta. Sot jeni po ai njeri dhe do keni të njejtin fat”,- tha ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb