Dael Dervishi, anëtari i Institutit McCain ka rrëfyer për “Panorama” njohjen me ish-senatorin John McCain dhe eksperiencën si pjesë e programit “Udhëheqësit e brezit të ardhshëm”.

Dervishi ka treguar rreth bisedave që ka pasur me ishsenatorin dhe vlerësimin që kishte për Shqipërinë. Si dhe ka ndarë disa pjesë nga jeta e tij kur ka qenë ushtarak dhe është zënë rob gjatë luftës në Vietnam.

Z. Dervishi, ju keni studiuar me një bursë lidershipi në Institutin McCain në SHBA, cilat janë përshtypjet tuaja pas kësaj eksperience?
Programi, pjesë e të cilit u bëra edhe unë në vitin 2016, quhet “Next Generation Leaders”, në shqip “Udhëheqësit e brezit të ardhshëm” dhe midis shumë programeve që Instituti McCain organizon në SHBA, ky është edhe programi kryesor i tyre. “Next Generation Leaders” ka filluar 5 vjet më parë dhe deri më sot instituti ka trajnuar 52 individë nga vende të ndryshme të botës në një temë shumë të rëndësishme, siç është, udhëheqja e shtyrë nga karakteri, etika dhe vlerat. Me termin “udhëheqje” nuk kuptohet vetëm lidershipi në fushën politike, por edhe lidershipi në biznes, art, sport, media, në të drejtat e njeriut dhe shumë fusha të tjera.

Qëllimi kryesor i këtij programi është ndërtimi i një rrjeti global udhëheqësish, të cilët do të modelojnë botën që ne do të jetojmë në të ardhmen. Në fakt, lidershipi përcaktohet nga karakteri i individit. Ashtu siç thoshte senatori McCain: “Është karakteri yt dhe vetëm karakteri yt ai që do ta bëjë jetën tënde të lumtur ose jo të lumtur”. Mënyra më e mirë, sipas tij, për të përkufizuar lidershipin ishte t’i shërbeje një kauze më të madhe sesa vetja jote.

Ndihem tepër me fat që u përzgjodha të jem pjesë e Institutit McCain dhe kjo eksperiencë padyshim ka ndryshuar në mënyrë thelbësore botëkuptimin tim. Doja gjithashtu t’ju bëja me dije që së bashku me McCain Institute jemi duke punuar që shumë shpejt të kemi edhe këtu në Shqipëri programe trajnuese me modelin dhe nën drejtimin e tyre.

Ju keni takuar personalisht z. McCain gjatë studimeve, si do ta përshkruanit këtë personalitet të politikës amerikane?
Senatori McCain padyshim që ishte një personalitet i politikës amerikane dhe një hero lufte, megjithatë unë do të doja ta shikoja dhe kujtoja si një personalitet global, pasi ai në raste të shpeshta, me anë të shembullit të tij personal dhe me një kurajë të rrallë, ka frymëzuar anembanë botës liderë, të cilët e kanë vendosur veten e tyre realisht në shërbim të një kauze më të madhe se vetvetja.

Një nga episodet më frymëzuese të jetës së tij do të mbetet padyshim rasti kur senatori McCain, atëherë pilot ushtarak, u kap rob lufte në Vietnam. Pasi kreu 2 vite në një burg ushtarak vietnamez, ku praktikat e torturës ishin në rendin e ditës dhe që i shkaktuan atij invaliditet të përhershëm, atij iu dha mundësia të lihej i lirë, pas negociatash të shumta midis dy qeverive, amerikane dhe vietnameze. McCain ishte futur në listën e ushtarëve që do të liroheshin, por ishte në këtë listë pa respektuar radhën, pasi ai vinte nga një familje tepër e rëndësishme në ambientet ushtarake amerikane.

Në fakt, gjyshi dhe babai i tij kanë qenë figura të rëndësishme të ushtrisë amerikane. Por, sipas një kodi moral ushtarak pengjet, që janë kapur të parët, kanë edhe prioritetin të lirohen të parët dhe John McCain me një kurajë të rrallë vendosi ta refuzojë ofertën për t’u liruar nga burgu famëkeq, duke deklaruar se nuk jam unë ai që e ka radhën tani, ka të tjerë para meje. Pas këtij refuzimi, atij iu desh të priste edhe 3 vjet e gjysmë të tjerë në burg dhe nën torturë, përpara se të lirohej.

Imagjinoni tani se çfarë frymëzimi dhe çfarë force shpirtërore mund t’i ketë dhënë ai shokëve të tij ushtarë të burgosur me anë të këtij shembulli. Senatori jetoi një jetë të mbushur plot me kësisoj shembujsh frymëzues. Mënyra sesi i ka trajtuar ai kundërshtarët politikë përgjatë fushatave elektorale ka qenë gjithashtu e paprecedentë. Në arenën ndërkombëtare ai do të kujtohet gjithmonë si një ambasador i mbrojtjes së dinjitetit njerëzor,i lirisë dhe të drejtave bazike. Ai udhëtonte jashtëzakonisht shumë në të gjithë botën, duke folur hapur dhe me një gjuhë nga më të ashprat kundër autokratëve dhe diktatorëve të botës dhe duke besuar fort që Amerika ka një detyrim të përdorë fuqinë e saj në shërbim të të drejtave të njeriut.

A keni folur për Shqipërinë me z. McCain në takimet që keni pasur dhe çfarë përshtypjesh kishte senatori pas vizitës në Tiranë?
Me Senatorin kemi folur për Shqipërinë dhe ai ishte shumë mirënjohës për rolin që ka luajtur Shqipëria pas viteve ’90 në arenën ndërkombëtare. Ai i ka vlerësuar shumë të gjitha kontributet e vogla dhe të mëdha, që ka dhënë vendi ynë si për Amerikën ashtu edhe në kuadër të aleancës atlantiko-veriore. /Panorama.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb