TIRANE – Nëna e një fëmije 5 vjeç, që ndjek ciklin parashkollor në shkollën ‘Shyqyri Peza’ në Kombinat, pretendon se djali i saj është dhunuar vazhdimisht në ambientet e shkollës dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Në një bashkëbisedim me gazetarët e “BalkanWeb”, Enkeleda. V. thotë se në lidhje me dhunimin e djalit dhe mungesën e sigurisë në shkollë, i ka dërguar edhe një mesazh Ministrisë së Arsimit, por askush nuk i ka kthyer përgjigje. Nëna e vogëlushit ka dërguar në redaksinë tonë edhe foto të djalit, ku duken qartë shenjat e dhunës në shpinë.
Pa dashur të drejtojë gishtin ndaj askujt për dhunën ndaj të birit, nëna kërkon që institucionet të mbajnë përgjegjësi për sigurinë e fëmijëve.

Në cilën shkollë mëson djali juaj, sa nxënës janë në klasë?
Djali im 5 vjeç e gjysmë është parashkollor në shkollën ‘Shyqyri Peza’ në Kombinat. Si mundet një edukatore të kujdeset për 46 fëmijë të moshës 5-6 vjeç. Mësuesja ka punësuar një prind për arsye se nuk i mban dot 48 fëmijë dhe prindi është pa arsimin përkatës.

Përse flisni për pasiguri në shkollë?
I çojmë fëmijët në mëngjes në shkollë dhe i gjejmë nëpër oborre. Kush mban përgjegjësi për sigurinë e fëmijëve tanë? Drejtori me mirësjellje thotë po të pëlqyen kushtet sille, nëse jo mund ta marrësh dhe të shkosh ku të duash. Fëmija im vjen me pullë të zezë në krah dhe mësuesja nuk di gjë se çfarë ka ndodhur, sepse s’kujdeset mësuesja por prindi i punësuar dhe as drejtori s’mban përgjegjësi.

femijet-dhuna

Çfarë ju ka thënë mësuesja, kur keni kërkuar llogari për shenjat në trupin e djalit?
Mësuesja nuk di asgjë se çfarë i ka ndodhur fëmijës, por thotë ballafaqohu me prindin. Ku do gjendet e drejta jonë si prindër për ti arsimuar fëmijët? Kush është përgjegjës për fëmijët tanë në institucione shtetërore? I jam drejtuar Ministrisë së Arsimit, nuk kam marrë asnjë përgjigje, por përkundrazi në shkollë vazhdohet dhe më keq dhe fëmija im lëndohet dhe më shumë.

Ka ndodhur shpesh që djali të jetë kthyer në shtëpi me shenja dhune?
Ka ndodhur herë të tjera, saqë fëmija s’do të shkojë me në shkollë. Fëmijës i është mërzitur ambienti i shkollës, sepse nuk mbahet qetësi.

Ju jeni e bindur se fëmija dhunohet nga bashkëmoshatarët, apo dyshoni tek mësuesja apo prindi që e ndihmon?
Fëmijët zihen me njëri-tjetrin, i grisin fletoret dhe marrin mjetet e njëri-tjetrit. Fëmija im ka shkuar ne kopësht që dy vjeç dhe është i ambjentuar me fëmijë të tjerë. Djali më tha që më kafshoi fëmija tjetër me emrin Andrea dhe sot që shkova të ballafaqohesha me mësuesen, prindi tjetër që e ndihmon me tha që fëmija juaj u nxi dhe unë i dhashë pak ujë që të qetësohej. Pse nuk u njoftova si prind, por duhet ta shikoja fëmijën tim pas katër orësh kur kthehem nga puna me pullën e zezë në kurriz?
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: