Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, vlerëson të mundshem vendimin e komisionit te reformes zgjedhore per krijimin e një qeverie tranzitore para zgjedhjeve. Në një intervistë për Neës24, kreu i Prezencës së OSBE-së pajtohet me mundësinë e prezantimin e partive përmes listave të hapura.

Më poshtë intervista e plotë për gazetarin e News24, Ergys Gjençaj:

Zoti Ambasador, klasa politike shqiptare arriti, më në fund, armëpushimin politik dhe janë ulur në tryezën e reformës zgjedhore. Për këtë qëllim është ngritur edhe Këshilli Politik për reformën zgjedhore, është miratuar metodologjia e punës, sipas së cilës, deri më 15 mars, reforma zgjedhore duhet mbyllur. Kanë pasur shumë takime, por, sipas informacioneve tona, nuk është bërë aq sa duhet. Ju si e konsideroni ecurinë?

Ambasadori Borchardt: E kemi thënë publikisht se fillimi i procesit të reformës zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike ishte një lajm shumë i mirë për ne. Puna duket sikur po shkon në një drejtim paksa të ndryshëm nga sa ishte synimi fillestar, por, në përgjithësi është bërë përparim në shumë çështje. Mund të jenë pak pas me planin, por është ende e mundshme që të arrihet një rezultat i mirë. Ka nevojë për përqendrim dhe për vullnet politik të vijueshëm për negociata, kompromis dhe për të ecur përpara.

Z. Ambasador, një ndër pikat kur mazhoranca dhe opozita jashtëparlamentare nuk bien dakord është kërkesa e opozitës së bashkuar për krijimin e një qeverie teknike 100 ditë para zgjedhjeve. Në këndvështrimin tuaj, ju jeni një njeri që e njihni shumë mirë procesin zgjedhor shqiptar dhe klimën politike shqiptare, a do ta këshillonit një formulë të tillë?

Ambasadori Borchardt: Nuk është rekomandim i ardhur nga OSBE/ODIHR-i, megjithatë një qeveri teknike përara zgjedhjeve do të ishte, në parim, një zgjidhje e mundshme. Keni shembullin e Maqedonisë së Veriut, me kushte specifike edhe atë të Greqisë, pra është e mundur, por vendimet i merr politika shqiptare dhe ne nuk japim opinion as pro dhe as kundër.

Një ndër pikat e tjera të diskutimit politik për reformën zgjedhore është edhe ndarja e krimit nga politika. Sipas jush, ku duhet të përqendrohen ndryshimet ligjore për ta mundësuar një gjë të tillë?

Ambasadori Borchardt: Më lejoni t’ju jap një përgjigje në dy nivele të ndryshme:
Së pari, hapi më i mirë për të rikthyer besimin te kandidatët do të ishte që partitë të paraqisnin kandidatë të pastër. Ligji i ashtuquajtur i dekriminalizimit u lejon partive që të kontrollojnë kandidatët e tyre të mundshëm, përmes prokurorisë, shumë përpara zgjedhjeve.
Aspekti i dytë është se, sigurisht, duhet të trajtohen krimet elektorale. Merrni shembullin e presionit ndaj administratës publike: ODIHR-i rekomandoi fuqishëm krijimin e një strukture të pavarur për të trajtuar pretendimet e presionit mbi administratën dhe abuzimin me burimet publike në procesin zgjedhor. Reforma zgjedhore mund ta krijojë një strukturë të tillë, si edhe një procedurë me të cilën punonjësit e administratës mund të denoncojnë çdo presion politik ose abuzim të burimeve. Këta denoncues duhet të gëzojnë më pas statusin e një sinjalizuesi.

Ju e prekët pak më parë: zgjedhjet lokale të 30 qershorit treguan problematikën e disa kandidatëve për kryetarë bashkish, e kaluara e të cilëve nuk ishte shumë e pastër dhe këtë të kaluar e kishin fshehur në formularin e vetëdeklarimit. Në një takim, më 21 janar të këtij viti, ju përkrahët idenë e kalimit të të gjithë kandidatëve në një proces vettingu. A mund të na jepni një formulë se si mund të funksionojë?
Ambasadori Borchardt: Ajo që thashë ishte pak më komplekse. Në vitin 2018, ka pasur propozime në Kuvend, madje edhe një projektligj, për krijimin e një mekanizmi të efektshëm për prerjen e lidhjeve të krimit me politikën. Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike, në fund të vitit 2018, u shqyrtua nga Komisioni i Venecias dhe u konsiderua si jopërpjestimor. Sidoqoftë, Komisioni i Venecias theksoi, në të njëjtën kohë, se e konsideronte të arsyeshëm diskutimin në parlament dhe në procesin e reformës zgjedhore për një strukturë dhe një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja, gjithashtu, një diskutim të thellë për mënyrat e mundshme për të kufizuar ndikimin e shkelësve të ligjit apo kriminelëve në jetën politike të nivelit të lartë. Gjatë procesit të vettingut në gjyqësor, kemi parë që justifikimi dhe verifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues. Kjo është diçka që mund të zbatohet edhe për politikanët e nivelit të lartë
Javën e kaluar ju, z. Ambasador, patët një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, ku mësuam se keni diskutuar mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por edhe rolin potencial që mund të ketë Prokuroria.

Shitblerja e votës ka qenë një ndër momentet e evidentuara nga raportet e ODIHR-it si një ndër problemet më madhore të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Çfarë gjykoni se duhet bërë më tepër për ta eliminuar këtë fenomen?

Ambasadori Borchardt: ODIHR-i dhe ne kemi theksuar në mënyrë të përsëritur se nevojiten përpjekje të forta për të trajtuar çështjen këmbëngulëse të blerjes së votave, si përmes fushatave ndërgjegjësuese për qytetarët, ashtu edhe përmes ndjekjes penale, ndëshkimit të shkelësve, në mënyrë që të ushqehet më shumë besim në procesin zgjedhor.
Pikësëpari, zgjedhësit duhet të refuzojnë të shesin votën e tyre. Kaq shumë njerëz kanë telefon celular: ju mund ta regjistroni lehtësisht kur dikush ju afrohet dhe përpiqet të blejë votën tuaj, dhe pastaj ta dërgoni regjistrimin në prokurori si provë.
Për më tepër, një refuzim publik nga politikanët për të mos pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në rritjen e besimit të publikut në integritetit e zgjedhjeve.
Institucionet ligjzbatuese – kjo është pika ime kryesore e dytë – duhet të hetojnë katërçipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e kësaj rruge përpara. Për shembull, dhe kjo ishte diçka që e diskutuam, ngritja e një Task Force nga prokuroria gjatë periudhës zgjedhore që të jetë në gjendje të reagojë shpejt – dhe e nënvizoj fjalën shpejt – ndaj pretendimeve të besueshme për krime zgjedhore, sigurisht që do të ishte e dobishme. Kjo do të krijonte menjëherë një efekt frenues.

Një vit më parë, opozita u largua nga parlamenti dhe në terminologjinë politike shqiptare lindi togfjalëshi “opozitë parlamentare”. Pikërisht kjo opozitë parlamentare ka kushtëzuar votën e saj në parlament për reformën zgjedhore me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Si e shikoni këtë situatë dhe a mund ta bëjë kjo më të vështirë kalimin e reformës zgjedhore?

Ambasadori Borchardt: Këtu mendoj se duhet t’ju jap një përgjigje në tri nivele.
E para është që OSBE-ja dhe ODIHR-i bëjnë rekomandime për përmirësimin e kodeve zgjedhore, por ne nuk u sugjerojmë shteteve se çfarë sistemi zgjedhor të kenë.
E dyta është se sistemi zgjedhor është shumë i rëndësishëm për lidhjen mes kandidatit dhe zgjedhësit, elektoratit të tij, dhe më vonë midis deputetit dhe njerëzve që votuan për të dhe partitë e tyre. Sa më të forta të jenë partitë në sistemin zgjedhor, aq më i fortë është roli i tyre në politikë.
Unë personalisht – dhe kjo është pika ime e tretë – pra, unë personalisht simpatizoj një sistem që krijon një lidhje të fortë midis kandidatit dhe elektoratit të tij. Listat e hapura mund të jenë një opsion i tillë.

Mazhoranca dhe opozita jashtëparlamentare kanë vendosur, të themi, prioritetet e tyre në këtë reformë zgjedhore: teknologjia në zgjedhje është e opozitës jashtëparlamentare, ndërsa mazhoranca thekson rëndësinë e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Sa mund të bëhen realitet këto dy momente për zgjedhjet e ardhshme politike?

Ambasadori Borchardt: Këto përsëri janë dy ide reforme, të cilat janë pjesë e sugjerimeve të OSBE/ODIHR-it. Të dyja, në parim, janë të ligjshme: teknologjitë e reja të votimit zbatohen nga disa prej Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, ndërsa votimi jashtë vendit zbatohet nga shumica e Shteteve pjesëmarrëse. Por për të dyja sistemet duhet shumë kohë përgatitore. Pajisjet elektronike të votimit janë një angazhim shumë milionë eurosh, dhe duhet bërë një proces i plotë prokurimi. Pastaj, duhet të prodhohen makineritë, pasi nuk mund të porositen në “Amazon” apo kompani të tjera të ngjashme. Pastaj, duhen instaluar, ka nevojë për trajnim të administratorëve të zgjedhjeve dhe ka nevojë për edukimin e zgjedhësve. Gjithashtu, edhe votimi jashtë vendit është një sistem mjaft i ndërlikuar. Pra, nëse politika shqiptare i do këto, vendimi duhet marrë shumë shpejt, në mënyrë që këto sisteme – qoftë të dyja apo njëri prej tyre – të mund të ngrihen siç duhet.

Financimi i partive politike është një ndër pikat kryesore të reformës zgjedhore. Sipas jush, cilat janë ato momente që duhen prekur dhe si mund të bëhet realitet një ndryshim i tillë?

Ambasadori Borchardt: Financimi i fushatave zgjedhore dhe partive është ndoshta tema më e diskutuar e reformës. Në nëntor të vitit 2019, pra vetëm para disa javësh, ne organizuam së bashku me miqtë tanë të Këshillit të Evropës dhe Instituti Demokratik Amerikan një tryezë pune me këtë temë. Shumica e ekspertëve në atë tryezë rekomanduan një sërë çështjesh ku duhet përqendrim. Para së gjithash, kufizimet për shpenzimet e fushatës; së dyti, masat e transparencës apo si shpenzohen paratë; pastaj përjashtimi i donatorëve të partive për ca kohë nga prokurimet publike; më pas një fuqizim – dhe unë mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme – e aftësisë së auditimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja ka nevojë për njerëz të zotë, të cilët kushtojnë shumë, për të qenë në gjendje të verifikojë siç duhet atë që është shpenzuar dhe si justifikohet. Përndryshe, nuk do të jenë në gjendje të hetojë vërtet thellë.

Z. Ambasador, depolitizimi i administratës zgjedhore ka qenë një ndër rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Sa është e mundur të bëhet një gjë e tillë në kushtet e mungesës së besimit politik në Shqipëri?
Ambasadori Borchardt: Kolegët tanë të ODIHR-it, në raportet e tyre ndër vite, kanë nënvizuar si pikë thelbësore nevojën për depolitizim të administratës zgjedhore. Vendimi për këtë rekomandim do të vëzhgohet edhe nga vendet që kanë interesuar për reformën zgjedhore në Shqipëri. Për ne, fuqizimi i institucioneve është i rëndësisë kryesore – institucionet kanë rëndësi, jo partitë! Administrata zgjedhore, në këndvështrimin tonë, nuk duhet të jetë në dorë të partive për të cilat administrata zgjedhore duhet të sigurojë një garë të ndershme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: