TIRANE

6 prerje kartmonedhash të reja pritet të hidhen në qarkullim nga Banka e Shqipërisë në mënyrë graduale. Guvernatori i Bankës Qëndrore Gent Sejko në një intervistë për Neës 24 thotë se në prerjet e reja të kartmonedhave janë shtuar elementët e sigurisë dhe është e vështirë që ato të falsifikohen.Të parat që do të hidhen në treg më 30 shtator janë prerjet 200 dhe 5 mij lekshe.

Më poshtë intervista e plotë e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për gazetaren Erjola Jata.

Gazetarja:  Z.Sejko faleminderit që në fakt pranove, se në fakt keni dhe një axhendë të ngjeshur, një intervistë për News 24, të diskutojmë dhe të sqarojmë publikun për një temë shumë të rëndësishme siç është hedhja e kartëmonedhave të reja në qarkullim.

Guvernatori: Faleminderit juve mirëserdhët.

Gazetarja: Z. Guvernator vetëm pak ditë më parë ashtu siç e thashë dhe pak më parë Banka e Shqipërisë ka prezanuar kartëmonedhat e reja të cilat priten të hidhen në qarkullim. A mund të na thoni se cilat janë këto prerje dhe çfarë të reje do të sjelli për qytetarët.

Guvernatori: Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave para pak ditësh, ku prezantuam dhe të gjithë prerjet e series së re. Seria e re e kartëmonedhave përbëhet nga gjashtë prerje, duke filluar me dyqind lekë, pesëqind lekë, njëmijë lek, pesëmijë, dymijë dhe e reja është që vitin që vjen në vitin 2020 neve do të prezantojmë dhe prerjen prej dhjetë mijë lek të kartëmonedhës sonë, e cila siç e kemi prezantuar do jetë me tematikën e himit kombëtar.

Kartëmonedhat e series së re përmbajnë element sigurie të shtuar një nga arsyet kryesore është jo vetëm koha e përdorimit të kartëmonedhave të series ekzistuese kishte kaluar limitet, kishte ardhur momenti i ndryshimit por në këtë rast ne përmirësuam cilësinë e kartëmonedhës dhe rritëm elementët e sigurisë. Është shumë e rendësishme që ne të kemi një kartëmonedhë bashkëkohore të sigurtë por dhe të vështirë për tu falsifikuar. E vërtetë është që dhe kartëmonedha jonë edhe ekzistuese nuk ka pasur problem fallsifikimi, por koha ka ardhur që ne duhet të shtonim elementët e sigurisë pasi po të shohim kartëmonedhat e të gjithë shteteve të tjera kanë disa elemente bashkëkohore sigurie dhe kartëmonedha jonë duhet të ishte në këto nivele. Pra ne jemi përpjekur dhe themi që kemi arritur të bëjmë një kartëmonedhë cilësore, bashkëkohore me element sigurie. Kemi ndryshuar dhe përmasat e kartëmonedhës pasi prerja e re që do dali vitin tjetër, prerja prej dhjetëmijë lekësh duke qënë që është preja më e lartë, më e madhe, do të ketë dhe përmasën më të madhe, do të jetë e barabartë po thuaj me prerjen që ne kemi sot më të madhe që është pesëmijë lekëshi dhe prerjet e tjera ku përmasat dhe dimensionet do të vijnë duke u zvogëluar.

Ju keni në ambientet tona të Bankës së Shqipërisë muzeun ku mund ti shihni më me detaje dhe elementët e sigurisë dhe risitë që ka sjellë seria e re e kartëmonedhave.

Gazetarja: Unë në fakt do të doja të ndalesha pak te dy kartëmonedhat e reja, dyqind dhe pesëmijë lek. Kur pritet të hidhen këto në qarkullim, dhe ju folët pak për pjesën që nuk falsifikohen por sa të sigurta janë këto për qytetarin.

Guvernatori: Kartëmonedhat ne besojmë që i kemi rritur mjaftueshëm elementët e sigurisë për të bërë të vështirë falsifikimin e tyre, themi që janë të sigurta për qytetarët pasi kanë element bashkëkohor të sigurisë, po ti shihni i ka si filli i sigurisë ashtu dhe holograma janë elementët më bashkëkohor më të fundit në aspektin e sigurisë së kartëmonedhave. Kartëmonedhat dyqind lekë do të jetë në një material të vecantë, material plastik, polimer e quajmë. Ky material e bën kartëmonedhën që të ketë një jetëgjatësi më të madhe, rezistencë dhe qëndrueshmëri më të madhe, në krahasim me kartëmonedhën letër. Edhe kartëmonedha letër është me një material të veçantë specifik që është fiber pambuku me sa di. Kjo kartëmonedhë është prerje më e vogël dhe qarkullon më shumë. Po ta shihni është dhe më e përdorur, më e rënduar, më e vjetëruar. Me hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës së re polimer dyqind lekë, ne do sigurojmë që është më e qëndrushme në përdorim. Ndërsa kartëmonedha pesëmijë lek do të hidhet në të njëjtën kohë me datë 30 shtator dhe kjo kartëmonedhë ka element sigurie të shtuar, ka një pamje më moderne bashkëkohore. Ndërkohë në vitin që vjen ne do të hedhim në qarkullim kartëmonedhën njëmijë lekë dhe dhjetëmijë lek. Në vitin 2021 kemi planifikuar të hedhim në qarkullim kartëmonedhën dymijë lek, dhe e fundit në hedhjen në qarkullim në emision, do të jetë kartëmonedha pesëqind lek, e cila do të hidhet në vitin 2022. Ky është dhe kalendari ynë i hedhjes në qarkullim. Kemi vendosur ose është gjykuar, është vlerësuar hedhja në qarkullim në këtë cikël pasi aktualisht Banka e Shqipërisë ka stok kartëmonedhash, dhe ky stok sigurisht që do të vazhdojë të qarkullojë. Pra hedhja kalendari është bërë me një analizë nga Departamenti Emisionit në varësi të stokut që ka Banka e Shqipërisë.

Gazetarja: Në fakt një pikëpytje që na lind të gjithëve cfarë do të bëhet me kartëmonedhat aktuale. Kemi kartëmonedhën dyqind lekëshe dhe pesëmijë lekëshe do të vazhdojnë të jenë në qarkullim?

Guvernatori: Si kartëmonedhat dyqind lekëshe dhe pesëmijë lekëshe ashtu dhe kartëmonedhat e tjera në momentin që do të hedhim serine e re, do të vazhdojnë të jenë në qarkullim paralel me serine e re të kartëmonedhave. Pra këto kartëmonedha nuk do të dalin nga qarkullimi do vazhdojnë të jenë në përdorim njëlloj siç ishin. Banka e Shqipërisë do të tërheqi gradualisht këto kartëmonedha nga qarkullimi duke emetuar duke nxjerrë në qarkullim kartëmonedhat e reja, Banka e Shqipërisë do të tërheqë gradualisht kartëmonedhat ekzistuese në hark kohor të disa viteve. Kartëmonedhat ekzistuese do të tërhiqen gradualisht nga qarkullimi por do të jenë paralelisht në qarkullim me kurs ligjor njëlloj si kartëmonedhat e reja që ne do të nxjerrim.

Gazetarja: Z. Guvernator ju e përmendët dhe pak më parë kartëmonedhën e cila pritet të hidhet në vitin 2020, kartëmonedhën dhjetëmijë lekëshe. Pse pikërish zgjodhët vitin tjetër dhe pse pikërisht zgjodhët kartëmonedhë krejtësisht të re për ta hedhur në treg.

Guvernatori: Kartëmonedha dhjetëmijë lekëshe është një kartëmonedhë me prerje më të lartë. Kushtet ekonomike janë pjekur, që ne të kemi një kartëmonedhë me prerje më të lartë, e cila do të jetë kartëmonedha dhjetëmijëlekëshe. Kjo do të krijoj dhe mundësi praktike për përdoruesit pasi është një prerje më e lartë, do të krijonte më lehtësi nga pikëpamja praktike, për të gjithë përdoruesit në përdorimin e cash-it dhe sigurisht ne duam ta zvogëlojmë përdorimin e cash-it në ekonomi dhe kemi shumë plane për digitalizimin e sistemit bankar, modernizimin e sistemit të pagesave, por sigurisht që cash është i pashmangshëm në ekonomi si e jona e cila do të vazhdoj dhe për disa vite të jetë në qarkullim. Në këtë aspekt për të krijuar lehtësi për përdoruesit, ne do të hedhim në qarkullim kartëmonedhën dhjetëmijë lekëshe.

Fakti që do të hidhet vitin tjetër nuk ka të bëjë me një specifik të vecantë, përvec faktit që kërkon kohën e saj prodhimin, dizenjimin dhe të gjithë elementët e tjerë që ndiqen nga Departamenti i Emisionit.

Gazetarja: Z. Guvernator në fakt pse vazhdojmë ende të përdorim lekun dhe jo euron duke qënë se ne synojmë të shkojmë drejt Bashkimit Evropian.

Guvernatori: Sigurisht që ne do të vazhdojmë të përdorim lekun si monedhë kombëtare pasi Integrimi në Bashkimin Evropian është një proçes Integrimi në radhë të parë ekonomik, kartëmonedha është ajo që reflekton ekonominë që pasqyron, fuqinë ekonomike dhe produktet e shprehura në vlerë të një vendi. Sikurse dhe shtetet e tjera nuk e kemi të mundur aplikimin e monedhës euro dhe unë kam dëgjuar shpesh herë që diskutohet aq më tepër nga reziqet që vijnë nga kursi i këmbimit. Për të shmangur rezikun e kursit të këmbimit ka një preference nga grupe të caktuara për të pasur monedhën e bashkimit evropian. Natyrisht në qoftë se do të ishte e mundur kjo do të ishte e preferueshme dhe për ne pasi do të kishte shumë kokcarje, si për shembull prodhimi i kartëmonedhës, rreziku i kursit të këmbimit, ndikimet që ka rreziku i kursit të këmbimit në stabilitetin financiar, inflacion dhe të gjithë elementët të cilat ne i ndjekim mundohemi dhe lodhemi do ti kishim shamgur, por kjo do të ishte ideale, do të ishte një ëndërr e bukur. Praktikisht ne siç do shtet, do të duhet të zhvillojmë ekonominë tonë drejt integrimit nëpërmjet reformave strukturore, nëpërmjet një pune të palodhur, në shumë aspekte ekonomike, shoqërore sociale, politike, në mënyrë që të përshpejtojmë dhe përafrojmë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Hapja e negociatave është një hap shumë i rëndësishëm por kjo nuk do të thotë që Shqipëria është integruar pra deri në momentin e pranimit, ne do të kemi shumë punë. Dhe pas momentit të pranimit po të shofim shumë shtete që janë antare të Bashkimit Evropian si Polonia, Cekia, Rumania, Bullgaria vazhdojnë të përdorin kartëmonedhën e tyre kombëtare. Pra pavarësisht që niveli ekonomik, stadi i zhvillimit të këtyre vendeve është shumë më lart se ai i vendit tone, ato përsëri vazhdojnë të mbajnë kartëmonedhën e tyre, pasi e kanë të pamundur ose e kanë të vështirë të aplikojnë monedhën euro në këtë moment. Sigurisht që punojnë drejt integrimit drejt konvergimit, dhe një ditë dhe ato do të jenë pjesë e eurozonës. Por për momentin po punojnë me kartëmonedhën e tyre. Ka disa elementë jo vetëm teorik por dhe praktik që përdorimi i monedhës kombëtare ka disa avantazhe që krijon përdorimi i monedhës kombëtare, sic janë transmetimi i politikës monetare. Nëpërmjet përdorimit të monedhës kombëtare bankat qëndrore kanë një transmetim më të mirë të monedhës kombëtare. Kanë elementë të shmangies së rrezieqve dhe të krizave nëpërmjet përdorimit kartëmonedhës. Bankat Qendrore po e furnizojnë sistemin financiar bankar me likuiditet dhe nëpërmejt prodhimit të kartëmonedhës kombëtare e kanë më të lehtë dhe më të mundur nga të gjitha pikëpamjet furnizimin e sistemit me likuiditet. Po të shohim disa shtete të cilat janë dhe anëtare të eurozonës si Greqia dhe Italia, por kryesisht Greqia, është shëmbulli më i mirë në momentin e krizës kishte shumë analiza dhe shumë ide që të riktheheshin në monedhën e tyre kombëtare pasi kjo krijon një fleksibilitet të caktuar për këtë qëndrueshmëri të ekonomisë, në mënyrë që të ketë një amortizim më të mirë të goditjeve që vijnë nga jashtë dhe nga brenda. Këto janë disa element që praktikisht dhe teorikisht e bëjnë të domosdoshme përdorimin e monedhës kombëtare. Duhet të jemi të qartë që nuk është aplikimi i monedhës së huaj, i monedhës euro në rastin konkret, që do ta bënte Shqipërinë të integruar. Ajo që do ta bënte Shqipërinë të integruar do të ishte aplikimi, zhvillimi i reformës strukturore, zhvillimi i caktuar ekonomik për të pasur një konvergim sa më të shpejtë ekonomik dhe social në mënyrë që dhe ne të përafrohemi si shtetet e tjera dhe jo vetëm të jemi anëtarë të eurozonës por një ditë dhe ne të përdorim monedhën euro.

Gazetarja: Duke folur për kartëmonedhat e reja, në fakt ju keni këtu në Bankën e Shqipërisë një muze, në të cilin janë ekspozuar pothuajse të gjitha kartëmonedhat e reja. Keni bërë një kalendar për qytetarët të cilët duan të informohen në lidhje me këtë çështje, si proçedohet?

Guvernatori: Ne kemi bërë prezantimin e series së re të kartëmoendhave. Muzeu i Bankës tonë Qendrore e ka të prezantuar serinë e kartëmonedhave, elementët e sigurisë, por njëkohësisht  bashkëpunimin me bankat e nivelit të dytë, pasi furnizimi me kartëmonedha në treg bëhet me bankat e nivelit të dytë. Ne kemi shpërndarë dhe kalendarin për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave të reja por dhe kemi vënë instruksionet e nevojshme për të sqaruar dhe informuar saktë publikun lidhur me kartëmonedhat e reja. E kemi përmëndur në shumë emisione gjatë këtyre ditëve kalendain për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave të reja, konkretisht në 30 shtator do të hedhim në qarkullim kartëmonedhën 200 lekëshe dhe pesëmijë lek, dhe për momentin është e rëndësishme që informacioni të jetë i fokusuar tek këto dy kartëmonedha që do të hidhen në 30 shtator. Natyrisht që ditët e para publiku, përdoruesit, do të prezantohen me një kartëmonedhë të re, por është vetëm momenti i parë i cili do të jetë dhe interesante nga pikëpamja e kuriozitetit për tu prekur këto kartëmonedha me dorë. Pastaj publiku do të jetë i familjarizuar në përdorimin e këtyre kartëmonedhave dhe ne do të vazhdojmë të njëjtën gjë me rradhë me plotësimin e hedhjes në qarkullim të series, të informojmë publikun në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.

Gazetarja: Z. Guvernator unë do doja të diskutonim pak dhe për pjesën e zhvillimeve të fundit ekonomike, dua të ndalem në një raport të fundit monetar ndërkombëtar i cili ka apeluar për kujdes me hyrjen e aktorëve të rinj në sistemin bankar. Ju si Guvernator i Bankës së Shqipërisë keni një koment lidhur me këtë çështje.

Guvernatori: Do përpiqem të jem i përmbledhur se kjo është një çështje që do të kërkonte kohë për të diskutuar. E rëndësishme është që gjatë kësaj periudhe që ne kemi pasur ndryshime strukturore në sistemin bankar stabiliteti financiar i vendit është ruajtur më së miri, ne nuk kemi çeduar dhe cënuar parametrat e sigurisë së bankave të nivelit të dytë, pra kemi manaxhuar ndryshimet strukturore duke pasur një qëndrueshmëri dhe një sistem bankar të shëndetshëm dhe duke vazhduar operimin dhe kreditimin në ekonomi, paralelisht me ndryshimet strukturore. Kjo është shumë e rëndësishme pasi kemi parë vende të ndryshme, pasi kemi patur godije ose rreziqe të caktuara, tronditje në stabilitetin financiar si pasojë e ndryshimeve strukturore ose vështirësive që kanë hasur bankat e nivelit të dytë. Pikërisht për këto vështirësi që bankat në Eurozone kryesisht në europë kanë hasur, shumë grupe të mëdha pas vitit 2008 kanë ndryshuar strategjitë e tyre, për operimin me filiale dhe me degë në vendet jashtë Bashkimit Evropian. Fatkeqsisht këto banka janë tërhequr, disa nga këto grupe të mëdha sikurse kemi parë dhe në Shqipëri. Por nuk janë tërhequr vetëm nga Shqipëria, por janë tërhequr nga gjithë rajoni disa grupe për shkak të vështirësive të tyre dhe imponimeve qe i ka bërë Banka Qendrore Evropiane dhe Autoriteti Bankar Evropian. Në këto kushte bankat qendrore të gjithë vendeve të rajonit ne kemi bashkëpunuar dhe me kolegët tanë atje, janë përballur me ndryshime strukturore. Paralelisht me këtë fakt ky ka qënë shkaku kryesor, që ka ardhur gjatë viteve të fundit, është konkluduar gjatë katër viteve të fundit, por kjo histori ka filluar që para 10 vjetësh pas krize, krizës së vitit 2008 – 2009.  Paralelisht me këtë situate, ne jemi përpjekur që të ruajmë stabilitetin financiar në vend dhe të ndjekim konsolidimin e sistemit tonë bankar. Një nga objektivat tona është që të ruajmë stabilitetin financiar në vend dhe të ndjekim konsolidimin e sistemit tonë bankar. Ka qene një nga objektivat tona që sistemi bankar të konsolidohet. Në Republikën e Shqipërisë kanë operuar 16 banka. Pas ndryshimeve strukturore ne kemi zvogëluar numrin e bankave në 12, aktualisht kemi 12 banka. Konsolidimi i sistemit bankar si pasojë e analizave tona në Bankën e Shqipërisë ka qënë një objektiv i synuar i cili është arritur. Pra me ndryshimet strukturore është bërë një konsolidim. Kjo për hir të pasjes së një kurrence më të kujdeshme në sistemin bankar dhe pas ndryshimeve, ne vëmë re që kemi një numër bankash, në bankat e mesme të cilat janë me përmasa të barabarta. Pra nga pikëpamja e konkurencës këto banka do të jenë më të iniciativuara për të operuar jo vetëm në kredidhënie por në të gjithë produktet e tjera që ka publiku nevojë. Është ruajtur parametrat kryesore si mjaftueshmëria e kapitalit gjatë gjithë ndryshimeve dhe pas ndryshimeve, dhe të gjitha bankat kanë një nivel shumë të mirë mjaftueshmerie kapitali e cila i bën ato të qëndrueshme dhe cilësore. Bankat janë me një sasi me një gjëndje shumë të mirë likuiditeti. Bile ne kemi pasur sfide që këtë likuiditet i cili përfaqëson kosto për bankat ta përkthejnë në kreditim të shëndetshëm për ekonominë. Po të vemë re gjatë periudhës së fundit në tre tremujorë në vazhdim kemi një rritje të mirë të kredisë, sidomos të kredisë në lek, si pasojë e politikës tonë monetare lehtesuese. Por nga ana tjetër kemi dhe një ulje të nivelit të kredive me probleme. Pra në të njëjtën kohë ne kemi arritur të kreditojmë ekonominë nëpërmjet sistemit bankar dhe të ruajme cilësinë e kredisë. Brenda portofolit të kredisë, kredia jocilesore i referohet kryesisht kredive të kaluara ndërkohë që vemë re që në terma relative te kemi një gjenerim cilësor të kredisë që do të thotë që bankat e kanë mësuar mësimin nga e kaluara pra tregohen më të kujsesshme në analizën e riskur drejt kreditimit. Nuk po zgjerohem me shumë ne segmentet e kreditimit pasi mund të zgjetemi e rendësishme është për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj që me ndryshimet strukturore që ka ndodhur ne kemi arritur konsolidimin e sistemit bankar, kemi ruajtur cilësinë e bankave, kemi bërë të mundur që bankat të vazhdojnë të operojnë dhe ti sigurojnë tregut produkte financiare. Dhe sigurisht që ne do të vazhdojmë ta monitorojmë dhe ta mbikëqyrim tregun pas ndryshimeve strukturore dhe kjo është një nga rekomandimet e Fondit Monetar por pavarësisht nga kjo ne do ta bënim dhe sikur mos kishim rekomandim. Do të mbikëqyrim në mënyrë më intensive bankat e ndryshuara me aksioner të ri dhe strukturat të reja akosionere në mënyrë që ato të vazhdojnë të operojnë në mënyrë të qëndrueshme në përputhje me të gjithë kërkesat ligjore rregullatore të Bankës së Shqipërisë

Gazetarja: Faleminderit z.Guvernator.

Guvernatori: Faleminderi ju

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb