Dinamo synon që të rikthehet te lavdia, aty ku i takon, për shkak të emrit të madh që ka në futbollin shqiptar. Dinamovitët po zhvillojnë një sezon pozitiv, teksa janë në vendin e dytë, me të njëjtën kuotë pikësh sa Partizani kryesues. Për objektivin titull, merkato në hyrje dhe dalje, pritshmëritë, apo edhe për shumë çështje të rëndësishme në shtëpinë e këtij klubi, foli drejtori sportiv i skuadrës, Luan Pinari.

Në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, Pinari shprehet i bindur në potencialin që ka ekipi, ndërsa thotë se pret një derbi të bukur ndaj të kuqve.

 

 

Pinari, po lëvizni në merkato si një “nëndetëse”, pa shumë zhumë, vetëm një lëvizje, afrimin e Jonuzit. Jeni të kompletuar për pjesën e mbetur të sezonit, nuk do ndërhyni?

Në merkaton e janarit duhem vetëm lojtarë cilësorë. Ne duhet të fitojmë lojtarë që nuk kanë qenë në formë apo të dëmtuar. Ne jemi të hapur deri në ditën e fundit. Nëse do ketë lojtarë për të forcuar grupin, në rregull, ndërsa nëse do ketë futbollistë për të plotësuar grupin, nuk na nevojiten.

Ka ndonjë kërkësë specifike Daja, do t’i bënë ndonjë dhuratë në garën për titull?

Ne jemi në sinkron, që nga presidenti e deri te trajneri Daja. Ne na duhen lojtarë cilësorë. Për momentin jemi mirë kështu si jemi. Kemi organikë të mirë për të përballuar kampionatin deri në fund.

Është në shitje Zabërgja, ka ndonjë ofertë konkrete për të apo për ndonjë titullar tjetër?

Jo vetëm Zabërgja, ka patur 4-5 lojtarë që kanë marrë oferta. Ne nuk jemi kundër daljeve, në këto momente. Në bazë të ofertave që janë në të mirë të klubit, do të bëhet vlerësimi i duhur. Ofertat nuk kanë munguar. Në këtë merkato janari, është e vështirë.

Të shtunën përballeni me Partizanin në derbi, çfarë ndeshje pret?

Më vjen mirë që është një ndeshje që luhet për titullin, për vendet e para. I mungonte futbollit shqiptar kjo përballje në të tilla nivele. Duhet të përballemi dhe të shikojnë veten të dyja skuadrat, se ku janë. Një ndeshje që do luhet hapur, për t’i dhënë sinjal njëra-tjetrës që jemi këtu dhe do të luftojmë deri në fund.

E shihni më të dobët tani Partizanin Pinari, (shitën 4 titullarë) a mendon se kanë ndryshuar balancat pas merkatos së janarit?

Po ta shikosh nga jashtë dhe teknikisht, normalisht që duket më e dobët. Po të shikosh pastaj afrimet apo mënyrën si do funksionojë skuadra nga ana psikologjike, them se mund të forcohet, pasi lojtarët mund të japin diçka më tepër. Tani, te Partizani do bëhen më grup.

E prisje që Dinamo të ishte në këtë pikë në fillim të fazës së tretë, në garë për titull?

Është bërë një punë e mirë, ka 2-3 vite që punohet. Duhet të theksoj se ka rëndësi një gjë, te Dinamo kemi mësuar nga gabimet dhe jemi ku jemi. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe të arrijmë objektivat e sezonit.

Pinari, çfarë i duhet Dinamos për të fituar titullin, çfarë i mungon, si e sheh në raport me tre ekipet e tjera të kreut?

Duke besuar te cilësitë që ka kjo skaudër, mund t’i shkojmë deri në fund. Në final four, do na duhet pak fat. Rivalët pastaj, janë aty-aty, në të njëjtin nivel. Ndoshta ka diçka më tepër Egnatia si kampione në fuqi, por skuadrat e tjera që janë në katërshe, kanë histori dhe janë shumë-shumë herë para Egnatias me historinë që kanë. Ky është plusi që kanë 3 skuadra, krahasuar me Egnatian kampione.

(J.S/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb