Për Fatmir Mediun, parësore është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe qëndresa e opozitës ndaj çdo tentative për manipulim të rezultatit të 25 prillit. Kreu i PR-së apelon për qëndresë të opozitës ndaj tjetërsimit të votës, ndërsa flet për organizimin në çdo qendër votimi për mbrojtjen e votës së shqiptarëve. Përmes “Gazeta Shqiptare”, z.Mediu përmend se “PD ka një avantazh, bashkëpunimin me shumë parti politike, ndërsa Rama është vetëm”. Por sipas tij, “Rama ka qeverinë, administratën, pushtetin lokal, krimin, korrupsionin dhe makinerinë e manipulimit të zgjedhjeve”.

Në një situatë të tillë, aleati më i qëndrueshëm i PD-së apelon se opozita duhet të bashkojë shqiptarët dhe se “ndryshimi i madh që do vijë përmes 25 prillit duhet të përfshijë inteligjencën akademike, studentë dhe profesionistë të aftë brenda dhe jashtë Shqipërisë”. Ish-ministri i Mbrojtjes i kujton opozitës se mund të rikthejë besimin e shqiptarëve duke tejkaluar vetveten, duke mos parë pushtetin por ndërtimin e shtetit, duke mos kërkuar thjesht qoshen e disa individëve, por shtetin e shqiptarëve. “Bashkëpunimi duhet të synojë fitoren e opozitës, jo qoshet e njerëzve”, – shprehet kreu i republikanëve.

Z.Mediu, cili është roli i Partisë Republikane në 30 vite të ekzistencës së saj në politikë?
Në 10 janar 1991 u krijua Partia Republikane shqiptare, nën drejtimin e shkrimtarit, intelektualit, burrit të urtë e të mençur Sabri Godo. Ajo u rreshtua si parti aleate e Partisë Demokratike në betejën kundër Partisë së Punës komuniste. Partia Republikane nëpërmjet z. Godo u shqua si një parti e mendimit politik në shërbim të interesit kombëtar. Mbështetjen e parë Partia Republikane e mori nga ish-presidenti amerikan Ronald Regan. Ajo sot është anëtare e Konservatorëve Europianë (ECR) dhe Unionit Demokratik Ndërkombëtar (IDU) së bashku me Partinë Demokratike. U krijuam si parti antikomuniste, për t’u shndërruar në një parti të besimit te vlerat e shenjta të jetës, lirisë dhe ndërtimit të lumturisë, si të drejta të patjetërsueshme, të dhëna nga Zoti. Kundërshtarë të së majtës dhe antishqiptarizmit.

Çfarë mësuan republikanët përgjatë rrugëtimit të tyre politik nga themeluesi i PR-së, Sabri Godo?
Sabri Godos i detyrohemi të gjithë. Ai na mësoi se: “Politika vlen kur i shërben kombit, ajo është luftë me vetveten, për të qenë i ndershëm dhe i drejtë, ajo është betejë ideore me kundërshtarin dhe papranueshmëri ndaj së keqes. Kemi qenë dhe do të jemi së bashku, Republikanë e Demokratë, në ditë të mira dhe të vështira, sepse kemi përgjegjësi të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të BE-së, ashtu siç liberalizuam vizat dhe e bëmë anëtare të NATO-s nën drejtimin e z. Berisha. Partia Republikane është anëtare e Konservatorëve Europianë(ECR) dhe së bashku me PD-në janë anëtare të Unionit Demokratik Ndërkombëtar (IDU). Prej vitit 1992, Partia Republikane ka qenë e përfaqësuar në parlament dhe në qeverisjen e vendit bashkë me PD-në. 30 vite Parti Republikane shqiptare, janë vite përkushtimi, duke vendosur mbi gjithçka, Kombin, Shqipërinë, liritë dhe të drejtat, përkushtim për të ndërtuar një Shqipëri demokratike europiane. U krijuam si parti antikomuniste, për t’u shndërruar në një parti e besimit te vlerat e shenjta të jetës, lirisë dhe ndërtimit të lumturisë, si të drejta të patjetërsueshme, të dhëna nga Zoti.

…Dhe përherë përkrah Partisë Demokratike, por çfarë ju bashkon me demokratët ndër vite?
Kemi qenë dhe do të jemi së bashku me PD-në, në ditë të mira dhe të vështira, sepse kemi përgjegjësi të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të BE-së, ashtu siç e bëmë anëtare të NATO-s. Kemi përgjegjësinë përballë çdo demokrati e republikani të thjeshtë, të cilët besojnë te ne, për të bashkuar shqiptarët në rrugën e fitores mbi regjimin e korruptuar të Edi Ramës dhe kthyer vendin në rrugën europiane. Detyra jonë është të ndërtojmë, një qeveri që buron nga vota e lirë e shqiptarëve, qeveris me shqiptarët e lirë dhe u shërben dhe mbron liritë dhe të drejtat e tyre. Zgjedhjet e 25 prillit janë me rëndësi kombëtare për të ardhmen europiane, për të çliruar shqiptarët nga një regjim monist, i korruptuar, i inkriminuar dhe antikombëtar i Edi Ramës.

Zgjedhjet parlamentare po afrojnë, ndërkohë që opozita ende nuk e di se si do të hyjë në zgjedhje. Pse nuk është qartësuar ende formula e opozitës?
Opozita është duke negociuar mënyrën e ndërtimit të koalicionit zgjedhor. Tashmë është e qartë që do ketë dy koalicione, të cilat do bashkëpunojnë në qarqe të caktuara për të maksimalizuar votat dhe kthyer ato në mandate. Kemi një koalicion politik i cili duhet të dalë me një program të përbashkët dhe të shndërrohet në një kontratë me çdo shqiptar kudo ku jeton. Po ashtu mendoj se ka nevojë për një trupë qeverisëse e cila duhet të ketë në përbërje pedagoge, mjekë, akademikë, njerëz të artit, profesionistë, të rinj e të reja brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke bashkuar në qeverisje shqiptarët në rrugën europiane. Detyra e parë është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, prandaj duhet të përcaktohen gjithë kandidatët të cilët me strukturat e opozitës në çdo qendër votimi duhet të jenë në funksion të mbrojtjes së votave. Çdo vonesë është në dëm të Shqipërisë dhe opozitës.

Megjithatë duket se lista e kandidatëve për deputetë nuk do të ketë shumë surpriza për sa i përket përfshirjes së aleatëve në listën e PD-së në zgjedhjet e 2007-ës. Ku do të kandidojë Fatmir Mediu më 25 prill?
Më lejoni të sqaroj se bashkëpunimi duhet të synojë fitoren e opozitës, jo qoshet e njerëzve. Partia Republikane kërkon që të bashkëpunojë për të fituar si opozitë, për të larguar regjimin e korruptuar të Edi Ramës. Interesi elektoral është të dalim më vetë, interesi i Shqipërisë dhe opozitës është të dalim bashkë. Koalicioni duhet ndërtuar mbi kritere që vlerësojnë peshën elektorale të partive si dhe personaliteteve që ato ofrojnë për të garuar. Mbi këto kritere nuk është vështirë të përcaktohet as ku duhet të kandidojë PR-ja. Unë jam i gatshëm të kandidoj atje ku shtoj qoftë edhe një votë për fitoren e opozitës.

Formula e koalicioneve është një vendimmarrje që i takon Lulzim Bashës, por çfarë synon konkretisht Partia Republikane si aleatja më e qëndrueshme e saj?
Formula duhet të synojë fitoren. Kjo nuk është çështje dëshire, por bashkëpunimi elektoral, që garanton vlerësimin korrekt të peshës së partive të opozitës dhe kandidaturave për të garantuar një sinergji të domosdoshme për të fituar. Fitorja nuk bëhet me sondazhe, por me ide dhe njerëz në çdo qendër votimi, prandaj asnjë nuk është i tepërt, por dhe të barabartë s’mund të jemi.

Ku e sheh veten PR në gjithë përllogaritjen elektorale? Cila është ambicia e republikanëve në zgjedhje dhe post-25 prillit?
Synimi i Partisë Republikane është që çdo votë e saj në çdo qark, duke filluar nga Kukësi e Dibra deri në Gjirokastër e Berat, nëse nuk shkojnë për mandat të PR-së, të kontribuojnë për mandat të opozitës. Ne synojmë krijimin e një grupi parlamentar në parlamentin e ardhshëm.

A mund të fitojë dot e vetme PD-ja pa aleatët e saj?
Çdo gjë mund të ndodhë, por do u referohem 3 fakteve: Së pari: Edi Rama ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin në mënyrë që opozita të dalë jo e bashkuar, dhe nuk besoj që e ka bërë pa llogari dhe kundër vetes. Së dyti, historia politike dhe elektorale e së djathtës dikton nevojën e një koalicioni sa më të madh. Së treti: PD ka një avantazh, bashkëpunimin me shumë parti politike, ndërsa Rama është vetëm. Por Rama ka qeverinë, administratën, pushtetin lokal, krimin, korrupsionin dhe makinerinë e manipulimit të zgjedhjeve. Dëgjoj që flasim për sondazhe të cilat janë dëshirë e njerëzve, me gabimet e veta, por sidomos në Shqipëri çdo gjë është e lidhur me bashkëpunimin në çdo qendër votimi, për të garantuar që dëshirat të kthehen në vota. Rama nuk do ndalet në rrugën e manipulimit të zgjedhjeve, dhe në këtë rrugë po ndërton edhe aleanca që nuk kanë asgjë të përbashkët me orientimin euroatlantik të kombit shqiptar.

A ka kushte sot Shqipëria për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të barabarta?
Kushtet janë të qarta nga Bashkimi Europian, SHBA-të, Britania, Gjermania (Bundestagu), por kemi një kryeministër që nuk i intereson Europa, por pushteti dhe marrëdhënia me grupet korruptive e kriminale. Rama e ka filluar manipulimin.

…Dhe çfarë e ndalon atë?
Vetëm shqiptarët me opozitën mund dhe duhet të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga se janë të rrezikuara zgjedhjet e 25 prillit?
Zgjedhjet kanë një rrezik, dhe ky është Edi Rama dhe sekti pranë tij, lidhjet me krimin dhe korrupsionin, që duan të garantojnë qëllimet e tyre dhe një sistem monist në Shqipëri.

Për shkak të rrethanave të reja politike, cila formulë e çon opozitën drejt fitores së 25 prillit?
Ka vetëm një rrugë drejt fitores që lidhet me këta elementë: Koalicion i gjerë opozitar bazuar në kriteret e peshës elektorale të çdo subjekti politik dhe kandidatëve. Idetë dhe programet e partive duhet të shndërrohen me një program të përbashkët, si kontratë qeverisëse e cila duhet diskutuar me çdo qytetar. Organizimi në çdo qendër votimi për të garantuar zgjedhje të lira. Bashkëpunimi i dy koalicioneve opozitare në qarqe me numër të vogël kandidatësh. Domosdoshmërisht krijimi i një profili qeverisës që tejkalon atë çfarë shfaq vetëm lidershipi opozitar.

A duhet ta shqetësojnë opozitën partitë e reja që janë regjistruar në Gjykatë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, si ajo e Topallit, Hajdarit apo më herët e Patozit? A besoni se ato do të rreshtohen përkrah opozitës para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit?
Çdo individ në demokraci ka të drejtën e tij dhe po ashtu mund të krijojë parti. Rëndësi ka qëllimi dhe, në rastet që ju vini në dukje, besoj që duan t’i kontribuojnë të djathtës. Për këtë nuk është i mjaftueshëm vetëm qëllimi, por edhe mënyra e realizimit të tij në kuadër të Kodit Zgjedhor të imponuar nga Edi Rama me qëllim përçarjen e opozitës. Mendoj se nuk duhet thjesht të shohim sa vota marrim, por optimizimin e tyre, duke i kthyer në mandate, sepse ndryshe shkojnë në dëm të vetë qëllimit të tyre dhe biem viktimë e lojës elektorale të Ramës. Unë do desha dhe shpresoj të kuptojmë se duhet të jemi me një koalicion, ose të paktën në disa qarqe duhet të bashkëpunojmë.

Në mënyrë të vazhdueshme ju keni folur për një platformë politike të qartë, e cila përfshin idetë nga e majta në të djathtën, por çfarë keni parasysh përmes saj?
Kush është Edi Rama shqiptarët e dinë. Rama ka shkatërruar shtetin, ekonominë dhe të ardhmen tonë europiane. Por mendoj se opozita ka detyrën të përfshijë dhe bashkojë në rrugën e ndryshimit dhe kthimit të vlerave europiane, shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kjo kërkon një program qeverisës; çfarë, kur dhe si do ta bëjmë këtë ndryshim, për të krijuar shpresë dhe besim në shoqërinë shqiptare, te çdo individ dhe në mbarë vendin. Kjo kontratë programore duhet të jetë pjesë e diskutimit të përbashkët të çdo kandidati apo strukture politiko-elektorale të opozitës me çdo qytetar.

Përse kaq i vështirë rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti?
Pushteti i krimit dhe i korrupsionit është gjithmonë i vështirë për t’u ndeshur. Varfëria po ashtu ka bërë që shumë shqiptarë të largohen nga Shqipëria, dhe kjo është pjesa më aktive e shoqërisë, ndërsa një pjesë tjetër ka krijuar mosbesim ndaj politikës. Shqipëria ka nevojë për besim dhe shpresë, ide dhe njerëz që tejkalojnë interesin e thjeshtë të pushtetit, njerëz dhe ide që krijojnë bindjen se Shqipëria mund të bëhet një shtet europian. Ne duhet të besojmë te vlera dhe forca jonë si individ. Duhet të besojmë në vlerat, historinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ne kemi përpara një të ardhme të jashtëzakonshme, por duhet të kemi një qeveri që vjen nga vota e njerëzve, qeveri me ta dhe qeveri në shërbim dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre.

Si mund ta rifitojë opozita besimin e shqiptarëve?
Me ato që thashë më sipër, duke tejkaluar vetveten, duke mos parë pushtetin, por ndërtimin e shtetit, duke mos kërkuar thjesht qoshen e disa individëve, por shtetin e shqiptarëve. Duhet, si me ide dhe njerëz, jo thjesht ta tejkalojnë atë që duket që është e keqe, por të bashkojë të mirën, të bashkojë shqiptarët në rrugën e tyre europiane. Konkretisht ka nevojë: rizgjim të interesit kombëtar, sidomos me sfidat me të cilat përballemi dhe do përballemi në Ballkan; program ekonomik që mbështet biznesin dhe punësimin. Mbi të gjitha njerëz që tejkalojnë thjesht dëshirat apo përzgjedhjen e liderëve. Njerëz të aftë të konkurrojnë dhe drejtojnë qeverinë nesër. Edmond Burke thoshte: Në mënyrë që e keqja të triumfojë, duhet që njerëzit e mirë të rrinë indiferentë.

Kë synon opozita që të përfshijë në “ndryshimin e madh” më 25 prill?
Besoj se duhet të përfshijë inteligjencën akademike, studentë dhe profesionistë të aftë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

A i ka opozita të gjitha përgjigjet që kërkojnë sot qytetarët shqiptarë?
Pa dyshim i ka, por duhet t’i diskutojë në mënyrë të thjeshtë, për t’i bërë të debatueshme dhe të kuptueshme për çdo shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb