TIRANË- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte sot e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 dhe komentoi aktualitetin politik, por nuk nguroi të flasë edhe për të ardhmen.

Zonja Kryemadhi u shpreh e bindur se shkarkimi i kreut të Prokurorisë së Kriemve të Rënda, Besim Hajdarmataj ishte pjesë e lojës së gatuar nga Edi Rama për të shpëtuar Saimir Tahirin. Por pavarësisht kësaj, ajo shkoi më tej dhe akuzoi zëvendësuesen e Hajdarmatajt, Donika Prelën, mike të kryeprokurores Arta Marku, siç u shpreh Kryemadhi, se ishte një nga personat që kishte dijeni për vjedhjen e postës sekrete të Prokurorisë së Durrësit.

Ju e keni quajtur të paligjshëm shkarkimin e Kreut të Prokurorisë së Krimeve të Renda, por a keni një koment më të zgjeruar?
Kemi pritur mrekulli nga Reforma në Drejtësi, por vetëm kjo nuk ka ndodhur. Po t’i rikthehemi shkarkimit të Hajdarmatajt, ai jo vetëm është i paligjshëm, por na doli se zonja Marku ishte vazhdimësi e falangave të krimit dhe Edi Ramës, për të sjellë një proces që stopon hetimin e çështjes “Tahiri”. Ky i fundit është vetëm një instrument se ajo duhet të quhet çështja “Rama”. Zëvendësimi i tij me shoqen e klasës të Arta Markut, që dy ditë më parë iu vodh posta sekrete se për atë kanë pasur dijeni dy veta, njëra nga ata ajo zonjë. Pra duhet hetuar nëse ka pasur gisht kjo zonjë .

Pse ndodhi pikërisht kjo lëvizje?
Ishte kompromis për dorëzimin e mandatit të zotit Tahiri. Të mos harrojmë që Hajdarmataj dhe të tjerët kërkuan arrestimin e Tahirit në tetor. Për mua kjo është vazhdimësia e lojës.

Do ketë hetim apo arrestim për Tahirit?
Kush do ta arrestojë? Prokurorë që kanë probleme me veten e tyre me të shkuarën dhe atë që përfaqësojnë. Për mua situata tani ka mbetur shumë tragjike dhe largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga dita e hapjes së negociatave. Situata ekonomike është alarmante kjo si rezultat i një situate të tillë ku Edi Rama kapi edhe sistemin e drejtësisë.

Po zhvillimet e fundit me vëllain e ministrit Xhafaj në çfarë pozicioni i shihni?
Është shumë e rëndë nëse kjo është e vërtetë. Të falsifikosh një nen të kodit penal është shumë e rëndë. Ky është një rast tjetër që zonja Marku mund të hapë një proces për të hetuar kush e ka bërë këtë falsifikim. Me këtë i është bërë një shërbim super i madh trafikantëve dhe kriminelëve të cilëve iu sigurohet mbrojtje në Shqipëri.

Pse dosja u botua vetëm tani dhe jo kur e konstatoi ish ministri teknik i PD, Gazment Bardhi?
PD donte të ishte e sigurt, të mblidhte të gjitha të dhënat. Besoj se duhet të vijohet me një ftesë ndaj zonjës Marku që të nisë hetimet. Ata kanë vepruar në mënyrë serioze, kanë mbledhur fakte dhe më pas ia kanë ofruar organeve të drejtësisë.

Tahiri ditën kur tha dorëheqje tha se e bëri ëpr të mos penguar negociatat, meqë ashtu ishte deklaruar, ndërsa Presidenti Meta nga Gjirokastra deklaroi se ka ende kohë që t’i çelimi. Ju si kryetare e LSI-së çfarë mendimi keni?
Në çështjet e integrimit ne mbajmë qëndrime të njëjta. S’besoj që ka shqiptarë që mund të jenë kundër edhe pse është një proces me kosto të madhe qoftë politike dhe ekonomike. Bëhet fjalë për një proces të gjatë dhe shumë të rëndësishëm, por Shqipëria ka mjaft problematika. Çështja Tahiri është një pikë në oqeanin e llumit që ka krijuar Edi Rama

Kush e pengon Shqipërinë deri në qershor?
Është Edi Rama. Ne merremi me Tahirin por ai është viktima e radhës. Themi që e kanabizoi vendin Tahiri po si nuk paska dijeni Edi Rama për mijëra hektarë me kanabis? Kjo është qesharake. Nëse negociatat nuk hapen shkaktari i vetëm është Edi Rama. Pse e kërcënon ai Edi Ramën me kode mafioze? Pse U hoq Hajdarmataj? Se do arrestonte Tahirin çfarë do ndodhte? Tahiri do hapte librin e shënimeve, do nxirrte të gjitha urdhëresat. Rilindja ka përgjegjësinë, por Edi Rama është përgjegjësi si për kanabizimin, rritjen e borxhit, rritjen e taksave, koncesioneve.

Në vend të Tahirit deputet është zgjedhur Spartak Braho, keni një koment për të?
I uroj punë të mbarë. Besoj se, uroj që ta ndjejë veten mirë për zgjedhjen që ka bërë. Është zgjedhja e tij

Flitet edhe për të tjerë deputetë të LSI që i bashkohen mazhorancës së Edi Ramës…çfarë qëndrimi keni?
Nuk ka asnjë deputet të LSI që i bashkohet Edi Ramës. Sigurisht që ai ushtron presionet e tij, jo vetëm ndaj deputetëve të LSI por edhe të PD dhe PS.

Me kë ka ndodhur kjo?
Sigurisht që ka deputetë të LSI që kërcënohen nga Rama por që kanë vazhduar punën e tyre.

Po që joshen?
Se besoj, për të joshur josh familjarët e tij ai. Nis këto fushatat manipulative dhe e bën për t’i bërë presion deputetëve të tij. Edhe rastet e Tavos, Kokës dhe Çelës janë se nëse s’do merrnin pjesë në votime humbisnin mandatin. Është thjesht çështje teknike. Por jo vetëm ata, çdo deputet i LSI është i lirë të mbajë qëndrimin që do, as nuk i cënon njeri, as nuk i ngacmon njeri.

LSI është një vit larg zgjedhjeve lokale çfarë është prioritare?
Shqiptarët mbeten me të njëjtën rrogë si 5 vite më parë por do të thotë 15% më pak para nëse i përkthejmë në ushqime. Flitet për drogë e krim, por në fund të ditës janë me mijëra shqiptarë që nuk fitojnë dot bukën e gojës. Kjo është plaga më e madhe. Largimi i 500 mijë shqiptarëve sjell jo vetëm plakje por edhe zhbërje të popullsisë. Prioriteti i LSI është që të krijojmë një lloj mundësie dhe shansi që pushteti vendor të bëhet më i pavarur nga pushteti qendror.

Si do futeni në zgjedhje opozita me marrëveshje?
Ka kohë për këtë, Pyetja kryesore është të nxjerrim shqiptarët nga varfëria, pra si do t’ja bëjmë.

A jeni të kënaqur me PD, a do vijoni kështu përpara?
Për herë të parë në këto 27 vite pluralizëm kemi një reagim opozitar të fuqishëm, të jashtëzakonshëm, agresiv në të shprehur, pavarësisht se kemi një qeveri që përdor presion për t’ju mbyllur gojën qytetarëve të saj, për mua kjo do të thotë se edhe pse. Unë mendoj që për herë të parë kemi një opozitë të konsoliduar më qëndrimet e saj parlamentare dhe në konsolidimin e një fronti opozitar. Do hapat e veta edhe një bimë ka etapat e veta për tw çelur lule.

Të fortë apo të dobët si e ndjen veten LSI?
Nuk e ndjemë, nuk kemi pse e ndjmë, LSI është një forcë politike që mori 19 deputetë ndonëse ishte forca më e sulmuar se ka prishur atë kohezionin mes PD dhe PS. LSI ka një strategji në shërbim të njerëzve dhe në forcimin e shtresës së mesme. Ky mbetet objektivi ynë.

A është gati LSI të dalë e vetme në zgjedhje?
Çfarë rëndësie ka se si do dalim. Objektivi ynë është të përmirësojmë jetën e shqiptarëve. Ka socialistë pafund që do bashkohen me LSI. Ka socialiste pafund që janë bashkuar me ne, por ka një problem se ky i merr i arreston njerëzit

Ku e bazoni këtë?
Nënprefekti i LSI i Rrogozhinës bëri burg 100 ditë.. arrestuan edhe kandidatin për deputet në Gramash. E arrestuan se kishte bërë një telefonatë me një pedagog, e futën në burg dhe e nxorën pastaj. I bie që për një telefonatë Edi Ramën ta fusësh në burg për tre jetë. Nga telefonatat, nga drekat e darkat nga kokaina që pi.

Keni emra konkretë nga PS që bashkohen me LSI?
Nuk kam si i them tani, unë i njoh gjysmën e deputetëve të PS. Pse nuk e di Vasilika Hysi që Etilda Gjonaj duhet të marrë ndjekje penale për rastin e Nezar Seitit, si qenka dakord Braçe me Peleshin? Është një situatë që ata heshtin se e dinë shumë mirë hakmarrjen e Edi Ramës. Imagjinoni kur u hakmor ndaj Koço Kokëdhimës që e promovoi, suportoi dhe një ditë të bukur me diell i tha ik.

vijon

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb