Gjithmonë me kostumin e zyrtares dhe me dosje në dorë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duket mjaft e rezervuar për të folur ose për ta shfaqur jetën e saj private.

Por së fundmi ajo ka bërë një rrëfim të gjatë për fëmijërinë, familjen, shkollimin në Itali, martesën, humbjen e njeriut të zemrës. Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë”, Elva Margariti kujtoi momentin e njohjes me bashkëshortin.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Ne jemi njohur që në Tiranë në fakt, megjithëse vërtet kemi filluar të frekuentoheshim kur kemi shkuar në Itali. Ai ishte kushëriri i shoqes time të ngushtë, jetonte edhe ai në Itali dhe filluam të frekuentoheshim, kur unë shkova në Itali ishte një gjë rastësore që erdhi pastaj me kohën, por ndërkohë ishim njohur që më përpara me familjet”– tha Ministrja për njohjen e saj me bashkëshortin.

Margariti zbuloi se ajo dhe bashkëshorti i saj i thanë “po” njëri-tjetrit heshturazi, me lindjen e vajzës së tyre dhe bënë një celebrim kur vajza ishte 3 vjeçe. Madje, atë moment, ajo e ruan ende sot në kujtesën e saj sa herë sheh ndërtesën e gjendjes civile.

Biseda:

Pyetje: I bëtë të gjitha me etapa, i dogjët?

Elva Margariti: I dogjëm të gjitha.

Pyetje: Edhe shaminë?

Elva Margariti: Jo, jo dogjëm etapat, shaminë nuk e dogjëm asnjëherë. Unë nuk jam martuar me dasmë të vërtetë, me dasmë shqiptare.

Pyetje: Je penduar që s’ke veshur fustanin e bardhë?

Elva Margariti: Jo, them që do ketë pasur ndonjë arsye sepse nuk e kam përfytyruar ndonjëherë veten me fustan të bardhë.

Pyetje: Asnjëherë?

Elva Margariti: Jo, e di sa herë ia thoja edhe shoqeve të mia këtë gjë, habiteshin, por s’e kam menduar ndonjëherë se cili mund të ishte modeli i fustanit të bardhë që mund të më shkonte. Përveç vendit që gjithmonë thoshim që nëse një ditë do të bëjmë një festë për të celebruar dashurinë me njerëzit që duam, duhet të ishte në një anije dhe në një udhëtim.

Bashkëshorti i ministres së Kulturës u nda nga jeta para kohe, në moshën 49-vjeçare. Artan Asllani ndërroi jetë pas një beteje me një sëmundje të rëndë, për të cilën Margariti shprehet se “nuk e ka menduar asnjëherë të keqen”

Biseda:

Elva Margariti: Ishte një periudhë e gjatë sfide dhe ishte po njësoj një luftë nga njëra anë me një sëmundje, pastaj edhe një e përditshme me punën, domethënë ishin shumë gjëra bashkë. Në njëfarë mënyre, sepse ma pyesin këtë, si ishte të vazhdoje punën? Mendoj që fillon bëhesh më konkret dhe kupton cilat janë vështirësitë e vërteta dhe vështirësitë e mëdha të punës fillon bëhesh më i ftohtë për të thënë që kjo nuk është jetike, vërtet është situatë e vështirë në punë, por nuk është jetike, problemet janë të tjerat. Gjithmonë duhet të gjesh një ekuilibër midis gjithë gjërave që shkojnë përpara dhe familjes që jeton në këtë vuajtje.

Pyetje: Ka qenë një sëmundje që ka zgjatur dhe që ka ndikuar në jetën tuaj në njëfarë forme dhe keni luftuar gjatë gjithë kohës, ndërkohë që me vajzën duhej të flitej.

Elva Margariti: Po, atë e kemi përfshirë pothuajse që në fillim sepse siç thashë ishte diçka që duhej të merrej gradualisht kjo beteja, nuk mund të ishte një gjë që mund ta mbaje mënjanë dhe nëse do ndodhte më e keqja do vinte krejt papritur, nuk do ishte krejt normale.

Pyetje: A e mendove më të keqen në fillim?

Elva Margariti: Jo.

Pyetje: Asnjëherë. Ishte një gjë që gjithmonë vjen si papritur, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë. Ke pishmane?

Elva Margariti: Pishmane kush nuk ka, të gjithë kanë, por në çdo moment, një gjë që ndodh keq e ka një arsye, mëson nga ajo dhe me kalimin e kohës e mbart vetë në vetvete. Them që do ishte e kotë të thuash sikur të kthehesha pas, është shprehje e kotë.

Pyetje: Do kishe dashur të thoje diçka? Ke menduar “pse nuk ia thashë?”

Elva Margariti: Ndoshta.

Elva Margariti me vajzën
Duke lënë pak mënjanë postin e ministres së Kulturës dhe duke u kthyer pas në kohë, Elva Margariti rrëfu edhe të panjohura rreth saj.

Elva Margariti: Unë kam një vëlla më të madh. Jemi totalisht ndryshe në pamje, në karakter, në mënyrën si i çojmë përpara dëshirat. Unë jam më e vendosur, mund të dukem ndonjëherë si më e ftohtë kur marr vendimet, por kompletohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Jam rritur te gjyshja me dy dajat e mi. Kam pasur dy daja të cilët dedikoheshin totalisht një grupi të tre fëmijëve dhe ka qenë një fëmijëri shumë e bukur me ta. Ndërtonim gjëra vetë, me bukë peshku, ata janë njëri arkitekt, tjetri inxhinier mekanik. Na vendosnin të vizatonim përpara objektve të ndryshme.

Pyetje: Duket se arkitektura ka qenë një vazhdimësi?

Elva Margariti: Po, në familje gjyshi, mamaja, daja im janë arkitektë, por realisht nga të gjithë fëmijët vetëm unë e kam zgjedhur vërtet arkitekturën.

Pyetje: Loja e preferuar kur ke qenë e vogël?

Elva Margariti: Gjithçka që kishte të bënte me sportive dhe pak rrezik, hedhjet nga lartësitë, por çdo gjë që lidhej edhe me meshkujt, të luaje futboll, më pëlqente shumë edhe pjesa fizike. Kam qenë gjithmonë shumë e shpejtë në vrap dhe fitoja çmime. Më pëlqente kjo pjesa e mos të qenit vajza delikate. Nuk e di, ishte një mozaik i vërtetë sepse ndërkohë kisha edhe qëndisjen me gjyshen time nga ana e mamit. Po, ajo më ka mësuar, por që e vogël fare.
Panorama Plus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: