Keidi Bare është vetëm 19 vjeç, por stërvitet me ekipin e parë të Atletiko Madridit dhe luan me skuadrën “B”. Gjithashtu, mesfushori i talentuar është një nga pikat e referimit në kombëtaren U-21 të Shqipërisë, duke u cilësuar me të drejtë prej De Biazit si një nga elementët më premtues për të ardhmen.

Fieraku ka komentuar për “Panorama Sport” përballjen e kuqezinjve me Spanjën, jo vetëm si një njohës i filozofisë iberike të futbollit, por edhe si shok ekipi me disa prej titullarëve që do të hedhë në fushë trajneri Lopetegui. Bare mendon se një model loje si i Atletikos do të ishte produktiv, ndërkohë që tregon edhe raportin e tij me Diego Simeonen…

Keidi, sa e njeh kombëtaren e Spanjës dhe a ke njohje personale me ndonjë prej futbollistëve?

Sigurisht që e ndjek gjithmonë dhe mendoj se e njoh mjaft mirë si skuadër. Nuk kam njohje personale me shumë prej tyre, por kam shumë afrimitet me Koken. Ai mund të jetë edhe titullar kundër Shqipërisë.

Cili mendon se është elementi që mund të përbëjë më tepër problem për Shqipërinë në këtë përballje?

Spanja është një skuadër që është e vështirë t’i gjesh pika të dobëta. Arma e tyre më e fortë vjen nga mesfusha, pasi kanë një qarkullim të shkëlqyer topi. Gjithashtu, lëvizin me rrezikshmëri të lartë në zona të ngushta. Janë elementë që nuk i kanë shumë ekipe dhe duhet nivel i lartë cilësie që ta praktikosh me sukses.

Keidi Atletiko A

Duke qenë se je mesfushor dhe mbase përqendrohesh më tepër te ky repart kur ndjek ndeshjet e Spanjës, a është ndier mungesa e Ksavit?

Ksavi ishte një shembull për të gjithë ne që luajmë në mesfushë. Por, mendoj se nuk është ndier shumë pasi kanë Koken, i cili është punëtor, ka teknikë dhe përshtatet shkëlqyeshëm në atë pozicion.

Skuadra ku ti bën pjesë, Atletiko, ka qenë antinomi i Realit dhe Barcelonës në futbollin spanjoll. Me stilin e saj, arriti të gjunjëzojë gjigantë si Reali i Madridit dhe Barcelona që përbëjnë edhe bazën e kombëtares. A mendon se duhet të praktikohet kjo filozofi edhe nga Shqipëria?

Shumë e drejtë. Secili trajner ka mënyrën e tij të stërviturit, teknikën apo menaxhimin e skuadrës. Diego Simeone ka qenë ai që krijoi mentalitetin që ka aktualisht Atletiko. Do të ishte shkëlqyeshëm nëse Shqipëria do të arrinte të luante me filozofinë e Atletikos, pasi jam i bindur që do ta vinte shumë në vështirësi. Por, është një filozofi që kërkon shumë përkushtim nga ana e futbollistëve…

Bare U-21

De Biazi të ka përmendur si një nga futbollistët më premtues për të ardhmen e Shqipërisë. Ke pasur kontakte me të?

Të them të drejtën, nuk kam pasur kontakte direkte. Thjesht kam dëgjuar vlerësimin që ka shprehur për mua në media dhe e falënderoj. Do kisha kënaqësi që të punoja me të në të ardhmen.

Po raporti yt me Diego Simeonen?

Është një raport trajnerlojtar, por e cilësoj si shumë të rëndësishëm për rritjen time futbollistike. Unë stërvitem me ekipin e parë të Atletikos dhe kam luksin të mësoj nga futbollistë të një niveli të madh. Gjithashtu, edhe tekniku më jep besim, duke më dhënë mjaft këshilla. Ai më thërret gjithnjë Kacorla, pasi kemi edhe të njëjtin stil loje. Ndërkohë, në kampionat luaj me ekipin e dytë dhe mendoj gjithashtu se po më vlen.

Ke menduar për të luajtur me ndonjë ekip tjetër, qoftë edhe në formë huazimi?

Unë kam një kontratë me Atletikon dhe dua të qëndroj sa më gjatë. Të jem i sinqertë, ka pasur oferta nga klube të tjera, por unë dua të luftoj që në të ardhmen të luaj pikërisht me këtë klub. Ky është synimi im kryesor dhe besimi që më ka dhënë klubi më motivon më tepër.

Bare U-21 vs Portugali

Je pjesë e përfaqësueses U- 21 të Shqipërisë. Mendon se ka mjaftueshëm elementë cilësorë që mund të bëhen pjesë e Kombëtares së madhe në të ardhmen?

Mendoj se po. Jemi një grup me futbollistë shumë të mirë dhe që shkojmë shkëlqyeshëm së bashku. Harmonia është një element i rëndësishëm për çdo skuadër.

Kush janë miqtë e tu më të afërt?

Te Kombëtarja U-21 kam disa, si Manaj apo Uzuni. Ndërkohë, tek Atletiko kam një raport të mirë me të gjithë, por jo më dikë ne veçanti.

Për ta mbyllur, një parashikim për Spanjë-Shqipëri…

Unë jam shqiptar dhe sigurisht që dua fitoren e Shqipërisë…

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb