TIRANE- Zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së shprehet se një koalicion me LSI-në në kurriz të interesave të shqiptarëve është i panevojshëm. Ajo gjithsesi nuk përjashton mundësinë për një koalicion paszgjedhor

Deputetja demokrate Jorida Tabaku nuk përjashton mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por jo para zgjedhjeve parlamentare. Në një intervistë për revistën “MAPO”, Tabaku thekson se një koalicion me LSI-në mund të diskutohet vetëm nëse qytetarët me votat e tyre vendosin balanca të atilla që kërkojnë këtë zgjidhje. Por sipas saj, LSI është po aq përgjegjëse sa edhe PS për keqqeverisjen e vendit në këto 3 vite. Në këtë intervistë, Tabaku flet edhe për autoritetin e Bashës në krye të PD-së dhe debatin mbi dublimin që atij i bën ish-kryeministri Berisha, për përgatitjet e PD-së për të hyrë në garën e ardhshme elektorale, si dhe mundësitë e femrës për të depërtuar dhe bërë karrierë në politikën shqiptare.

Zonja Tabaku, dua ta nis këtë intervistë me disa pyetje që kanë të bëjnë më shumë me angazhimin e grave në politikë. Ndaj së pari doja t’ju pyesja se nga angazhimi juaj i deritanishëm në politikë a e keni vërtetuar shprehjen se politika është sporti i burrave?
Sigurisht që nuk është e lehtë sepse nuk e gjen rrugën e shtruar. Kërkon më shumë angazhim në kohë, kërkon nerva të forta, kërkon qetësi më shumë se çdo profesion tjetër. Por nga ana tjetër të jep dhe kënaqësi kur shikon që arrin disa objektiva që i ke vendosur vetes, kur ndihmon njerëz në nevojë, kur shikon që disa nga ato shtresat që ti përfaqëson të vlerësojnë për punën që bën. Si çdo punë ka të mirat e të këqijat e saj. Po miti i politikës si sport i burrave besoj ka vite është thyer.

Jeni shpesh në fokus të lajmeve të lehta për stilin e veshjes dhe pamjen. Ju pëlqejnë, apo jeni indiferente ndaj life-style për politikanët?
Media në këtë periudhë duket më shumë e zënë në betejën e klikimeve të asaj çfarë ofron për publikun se sa për esencën e lajmit. Për fatin e keq, disa të tilla janë të prirur të investohen në fotot se si është veshur një politikane; fundi i këtij diskutimi është i qartë për të gjithë. Besoj se kjo është një nga të metat e medias, personalisht jam tërësisht indiferente për lajme të tilla që nuk kanë të bëjnë me politikën apo debatin për të mirë publike.

Ka disa politikane të linjës së fortë. A është kjo një zgjedhje e detyruar e femrave për t’u faktorizuar në politikë apo një zgjedhje personale? Ju ku do ta pozicionit veten si politikane?
Më së pari, duhet të përcaktojmë se çfarë quajmë linjë të fortë, nëse quajmë forcën e argumentit atëherë mendoj se ai është i domosdoshëm për të qenë jo vetëm politikan i suksesshëm. Çdokush mendoj se duhet të bëjë zgjedhjen personale që është në përputhje me karakterin, si dhe vlerat etike e morale të tij. Sa i takon pozicionimit të vetes, mendoj që kjo u takon qytetarëve për ta përcaktuar. Por mendoj që gjërat thuhen me mençuri dhe pa bërtitur, logjika e argumenti janë kryesoret.

Cili është modeli juaj i femrës në politikë? Theçer, Merkel, Klinton…?
Ime më! Ndonëse Theçer, Merkel, Klinton apo dhe zonja të tjera janë ngjitur lart në majën e politikës apo do të ngjiten së shpejti. Mësimet dhe parimet që ime më ka injektuar që në vogëli më kanë bërë ajo që jam sot. Përmes tyre kam mundur të deshifroj jo vetëm sfidat që jeta më ka dhënë por edhe të kuptoj si dhe të lexoj më së miri karakteret e zonjave që përmendët në pyetjen tuaj.

Pavarësisht vlerësimit maksimal personalisht nuk përpiqem të ndjek askënd. Mendoj se gjithsecili duhet të bëjë rrugëtimin e tij origjinal drejt qëllimeve personale, duke mësuar nga eksperienca e të tjerëve por jo duke pasur modele të ngurta. Ka qenë kjo udha që kam ndjekur si pedagoge, në shoqëri civile e ashtu siç jam në marrëdhëniet e përditshme. Rëndësi ka që politika deri më tani nuk më ka ndryshuar.

Keni një koment për ngjarjen në Maqedoni ku ne qendër ishte Ermira Mehmeti?
Kalojmë sërish tek ajo që diskutuam në pyetjen e parë. Çfarë reagimi do të kishte nëse kjo do t’i kish ndodhur një politikani mashkull? Sulmet politike ndoshta janë ndër elementet e vetme që meshkujt mund t’i marrin me lehtësisht se femrat, megjithëse mendoj që zonja Mehmeti e menaxhoi situatën me qetësi e maturi.

Duket se në politikën shqiptare ka dy modele të femrave në politikë. Atë të linjës së ashpër të përfaqësuar nga PD dhe ato të socialisteve që janë pothuajse të pazëshme, të përkora në publik por sikur të mos i promovonte Rama askush s’do tua ndiente mungesën. Pse kjo ndarje me thikë, pse s’ka një normalitet sipas jush?
Arsyeja e vetme që mund të them lidhet me të qënurit në pushtet dhe duke patur parasysh edhe kolegen Hafizi që ka qenë e angazhuar në kritikë ndaj mazhorancës që përfaqëson partinë e saj. Ndërkohë që opozita si për arsye numrash por mbi të gjitha edhe si një zë që nuk mund të tolerojë aspak çfarë po ndodh në këto tre vjet në vend, nuk mund të rri e heshtur. Por, nuk do të dëshiroja që ta kufizonit vetëm te femrat këtë qasje sepse e vërteta është që edhe nga zotërinjtë e Partisë Socialiste ka shumë prej tyre që nuk njihen dhe janë të pazëshëm. Përjashto këtu ato që flasin përherë apo atyre që emrat ua kemi dëgjuar në tenderët abuzivë që shpërndan qeveria Rama. Kështu që heshtja nuk më duket se lidhet dhe aq shumë me gjininë, por më së shumti me pushtetin dhe angazhimin që si deputet ke ndaj përfaqësuesve.

Tani dua të kaloj në disa pyetje të mirëfillta politike. Pas kalimit të Reformës në Drejtësi ka një analizë që thotë se PD është ftohur apo akoma më keq është zhgënjyer ngaqë LSI nuk tentoi rrëzimin e qeverisë siç u duk në disa momente. Sa të vërtetë ka sipas jush?
Partia Demokratike nuk ka pasur marrëveshje me LSI për të rrëzuar qeverinë, për këtë arsye nuk ka asnjë arsye se përse të ndihet e zhgënjyer. Së dyti, LSI u fut në diskutimin e Reformës në Drejtësi si pasojë e interesit të saj politik, dhe në këndvështrimin tim kjo është një lëvizje e pastër politike. Kryetari i Parlamentit kërkoi me të drejtë dakordësinë e një spektri të gjerë politik, duke qenë se asnjë kushtetutë nuk mund të aprovohet apo ndryshohet me vullnet të përçudnuar. Por mbi të gjitha, pa harruar faktorin e rëndësishëm se z. Meta dhe z. Rama ndonëse janë aleatë kanë shumë pak besim te njëri-tjetri dhe për këtë nuk ka nevojë për shumë prova. Së treti, PD ka nisur lëvizjen për krijimin e një qeverie teknike që në dhjetor të vitit 2015 kur u vu re se qeveria po përdorte gjithë ingranazhin e saj për të ndikuar jo vetëm në krijimin e një reforme në gjyqësor në shërbim të kryeministrit Rama. Por gjithashtu edhe në shndërrimin e Shqipërisë në një parcelë të madhe droge, me paratë e së cilës pasurohen pushtetarë dhe vitin tjetër do të blihen qytetarë si komisionerë apo si votues. Nëse LSI, ndan këtë shqetësim që është përforcuar edhe nga një raport që SHISH ia ka çuar Prokurorisë (siç raportojnë mediat) atëherë ajo është e mirëpritur në këtë lëvizje. Por të pretendohet se PD është zhgënjyer sepse aleati dhe njëkohësisht bashkëpërgjegjësi për sa e sa bëma të qeverisë Rama nuk rrëzoi qeverinë është tërësisht e pavend dhe e pasaktë.

Edhe për zgjedhjet e Dibrës por edhe në ato të qershorit 2017 votat e LSI duket se vendosin fituesin. PD e PS nuk fitojnë dot shumicën pa LSI. Për këtë po dorëzohet dhe optimisti më i madh. A vjen dot në pushtet PD pa LSI?

Në zgjedhjet e vitit 2015 në Bashkinë e Dibrës ishin në garë 5 kandidatë për kryetar Bashkie, njëri ishte kandidat i Partisë Socialiste që u shkarkua për shkak të videos ndërsa nga ana tjetër ishte kandidati i Partisë Demokratike si dhe tre kandidatë të tjerë që merrnin vota nga elektorati i djathtë. Megjithëse LSI dhe z. Meta kishin raporte shumë të mira me PS-në dhe z. Rama, kandidati i tyre mundi të fitonte me 200 vota përpara, ndërsa vetëm njëri nga kandidatët e pavarur që merrte vota nga elektorati i djathtë siguroi 702 të tilla. Aritmetika na tregon se nëse nuk do të kishim kandidatin e pavarur në Dibër sot nuk do të kishte patur nevojë për zgjedhje të parakohshme. Optimistit më të madh duhet t’i kujtojmë se Partia Demokratike ishte partia e parë që mundi Partinë Shtet, prandaj nuk duhet dorëzuar për asnjë moment në përpjekjen për të nxjerrë vendin nga bataku.

Vet Partia Demokratike çfarë po bënë në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme, a ka ajo gati një program të detajuar për të gjitha çështjet dhe problematikat që shqetësojnë shqiptarët?
Ndonëse në një situatë kritike për vendin si pasojë e krimit në rritje por edhe korrupsionit galopant si dhe reformës në drejtësi, opozita në këto tre vjet ka shpalosur pjesë të programit të saj në fusha të ndryshme. Kemi patur takime, diskutime si dhe prezantim të paketës fiskale si dhe një pjese të politikave ekonomike. Po kështu ka patur prezantime edhe sa i takon politikave shëndetësore, sociale e kështu me radhë, të gjitha këto në funksion të qytetarëve dhe në takimet me qytetarët që z. Basha dhe deputetë të Partisë Demokratike kanë patur gjatë kësaj kohe. Nga ana tjetër nisma të rëndësishme si e ligjit të pronave, ligjit për arsimin e lartë e kështu me radhë janë prezantuar në publik. Por prezantimi përfundimtar i programit të detajuar do të vijë në muajt në vazhdim, synimi parësor mbetet transmetimi i pikave të tij në derën e çdo shqiptari që ai të ketë në dorë alternativën e opozitës dhe realitetin e hidhët që i ofron qeveria Rama. Sigurisht që kohë e burime njerëzore po i kushtohen dhe organizimit të partisë e strukturave.

Është një koalicion i PD-së me LSI-në një nga gjerat e mundshme që mund të ndodhin para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?
Pak më sipër më pyetët nëse PD-ja ndjehej e zhgënjyer nga tërheqja e LSI, një tjetër arsye se përse nuk ndjehemi të zhgënjyer lidhet dhe me mundësinë që bashkëqeverisja e tyre po i jep PD-së për të paraqitur sa më qartë dhe më mirë alternativën e saj tek shqiptarët. Ndryshe nga ajo që u propagandua si Aleanca e Evropiane, Partia Demokratike nuk ka nevojë për të bërë një aleancë të ngjashme në kurriz të interesave të shqiptarëve. Por nëse vota e qytetarëve vendos një ekuilibër politik atëherë do të jenë forumet e partisë që do të vendosin se si do të zbatohet parimi i lashtë “Politika është arti i të mundurës”.

Me gjithë performancën e zbehtë të qeverisë dhe akuzave për korrupsion serish vihet re se PD është duke ndërtuar raportin e besimit me shqiptarët dhe si e tillë nuk shfaqet si forca alternative që do të zgjidhej prej tyre për të ardhur në pushtet. Kjo sipas jush vjen se PD nuk ka kërkuar falje për mandatin e fundit të qeverisjes tuaj, se Partia Demokratike nuk ka ndëruar kuajt e betejës, apo se njerëzit kyç në pozicionet drejtuese janë ata që qeverisën gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD?

Nuk e di nëse ka ndokush sot në Shqipëri që nuk ka dëgjuar z. Basha të ketë kërkuar falje për qeverisjen e Partisë Demokratike në Kuvendin e Partisë Demokratike në 27 shtator 2014?! Madje mund të them që edhe deputetë të tjerë, përfshirë edhe veten, kemi kërkuar falje publikisht edhe nga foltorja e kuvendit për gabimet në kohën e qeverisjes së PD. Pyetja është; a mjaftojnë gjithë këto falje për të vazhduar diskutimi përtej paradigmës së të “kërkuarit falje”? Jam e mendimit që duhet të mjaftojnë, jo për arsyen politike se PD duhet të vijë në pushtet, por mbi të gjitha apo veçanërisht për arsyen politike se një opozitë që kërkon falje pambarimisht është e pabesueshme edhe në faljen që kërkon. Pa harruar, që gjatë gjithë kësaj periudhe betejat e opozitës kanë qenë të tilla që kanë dëshmuar reflektimin ndaj atyre që janë bërë gabim në kohën kur ishte në pushtet. Mënyra se si qeveria përpiqet që ta heqë fajin nga vetja është duke atashuar dështimet e saj me emrin e opozitës, duke evokuar qeverinë e djeshme (pjesërisht) si fajtore megjithëse mandatin e morën pikërisht për ta ndryshuar rrugën. Mua ndarja në të rinj dhe të vjetër nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Unë jam angazhuar në Partinë Demokratike në moshe të re. Më bën kjo mua të re apo të vjetër? Sigurisht që ka njerëz me më shumë eksperience në qeverisje, e të tjerë që kanë më pak. Por siç thotë dhe Ciceroni “Politika është një histori që fluturon”, eksperienca e këtyre 3 viteve në opozitë ka krijuar një balancë të mirë. Partia ka forumet e strukturat e saj ku secili, pavarësisht moshës, angazhimit në politikë e eksperiencës mund të japë kontributin e tij.

Ka gjithashtu një debat të vazhdueshëm të paktën në media nëse Basha ka ende autoritetin e duhur në drejtimin e PD-së dhe opozitës apo ai vijon të dublohet nga ish-kryetari historik i PD-së, ish-kryeministri Berisha. Si e shihni këtë debat?

Edhe ky më duket një debat i ezauruar, aq më shumë që këto kohë shumëkush e ka kuptuar qartësisht përmes zgjidhjes së Reformës në Drejtësi se kush është kryetari i Partisë Demokratike. Gjithsesi, në mendje më vjen një nga leksionet e Max Weber ku ai flet për liderin dhe atë që e pason atë. Sipas tij, pas largimit të një lideri, pasuesi i tij është një menaxher i aftë dhe i zotë për të shpërndarë punën që dikur lideri e kryente vetë, duke i dhënë përgjegjësitë por dhe meritat atyre që i janë deleguar punët. Një drejtues partie i ngjason një burokrati apo lideri efektiv, i cili përdor eksperiencën e tij, njohjen e mirë ligjore për të arritur rezultatin e dobishëm. A është ky lideri apo drejtuesi që ka nevojë PD? Shumica ishin skeptikë, por rezultati i Reformës në Drejtësi, dekriminalizimi apo edhe beteja të tjera të vogla të fituara nga opozita janë si pasojë e këtij drejtimi të ri. Sigurisht që ky model është i ndryshëm nga ai i z. Berisha por që po dëshmon eficiencë dhe që padyshim mund të prodhojë një parti fituese në zgjedhjet e radhës. Mirëpo ndryshimi i kësaj mënyre lidershipi sigurisht që kërkon kohë të perceptohet dhe nga njerëzit, media e qytetarët. (MAPO)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: