Tre javë përpara fundit, gara për titull dhe jo vetëm mbetet e hapur, duke e shndërruar këtë vit në një nga sezonet më konkurrues. Sulejman Mema, trajneri i mirënjohur, në një intervistë për “News24” në emisionin “Sport News” të moderuar nga Trevisa Tufa, u shpreh i bindur se Tirana e meriton plotësisht të jetë në krye dhe se i ka të gjithë shanset jo vetëm të fitojë titullin, por dhe të bëjë “dopietë. Mema vlerësoi punën e bërë nga Shehi dhe mentalitetin e këtij ekipi, ndërsa fakti që dolën të pamposhtur nga derbi i bën dhe më të fortë në këtë sprint final. Mema vlerësoi Hadrojin e Partizanit, por ka dhe një tjetër emër që i ka sugjeruar Sylvinho-s. Në analizën e tij për Kombëtares, tekniku kryeqytetas u shpreh se dy ndeshjet më të rëndësishme janë dy sfidat e radhës, ato kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, vetëm pas këtyre dy ndeshjeve mund të kemi një ide më të qartë:

-Profesor, mjaftojnë dy pikë tre javë përpara fundit, është titulli llogari e mbyllur?
Nuk mund të them i mbyllur, por dy pikë janë shumë që Tirana të luajë e qetë. Nuk humbi në derbi, edhe pse kishte probleme. Them qe duhet të jetë e qetë, vetëm me qetësi mund ta marrë kampionatin.

-Pse festuan te Tirana pas barazimit, nuk e kuptoi këtë as Colella…
Festuam sepse kjo diferenca prej dy pikësh do t’i jap qetësinë dhe sigurinë, do t’i japë garanci sepse kthehen edhe lojtarët që nuk luajtën, për ta pasur skuadrën më të plotësuar, një skuadër që për mendimin tim e meriton që është e para në klasifikim.

-Profesor, në 20 vite Tirana nuk e ka mbrojtur kurrë titullin, e as nuk ka bërë dopjete, a është e mundur dhe çfarë ka ndryshe ky ekip i Shehit, që për hir të së vërtetës është shumë i limituar?
Nuk është e limituar, ka një skuadër të mirë, kjo është edhe meritë e trajnerit Shehi me këtë grup futbollistësh, edhe pse janë larguar elementë cilësorë ai prapë e ka konsoliduar ekipin. Mendoj se Tirana i ka mundësitë të bëjë dopietë këtë sezon, edhe kampionatin edhe Kupën, kur fitohet Kupa dhe Kampionati i jep më shumë garanci skuadrës, trajnerit, opinionit për ta ndjekur, për të parë spektakël, siç ndodhi në pjesën e dytë në derbi

-Profesor, të gjithë prisnim që titulli të vendosej në derbi, por nuk ndodhi kështu, këtë javë Tirana luan në transfetë kundër Laçit ndërsa Partizani pret Vllazninë, është ky momenti final?
Dy ndeshje shumë interesante. Tirana do të ketë vështirësi në Laç sepse janë një skuadër shumë e fortë edhe pse humbën ndeshjen e fundit. Kurse Partizani ka ndeshje të fortë me Shkodrën, po Partizani kam parë si asnjë herë tjetër 4-5 elementë shumë të mirë, nga elementët e mirë të futbollit shqiptar, nuk po i përmend me emra, por me të vërtetë më pëlqyen.

-Pse çedon gjithnjë atëherë kur nuk duhet Partizani profesor, nuk besoj se mund ta gjejë me Tiranën me kaq shumë probleme, në asnjë moment nuk e vrau dot kampionatin?
Sepse Partizani ndoshta nuk ka eufurinë që mund të ketë Tirana në momentet më decizive. Tirana ka karakter, ndryshe nga Partizani, një skuadër autoktone, tifozët ambienti i japin këtë ndjesi, këtë ndjesi që i garanton të luftojnë deri në fund për kampionatin.

-Profesor, jeni një ikonë e klubit të Tiranës, dua një mendim personal për Orges Shehin, është trajneri më jetëgjatë i Tiranës, mqs e ke thirrur dhe te Kombëtarja e veteranëve, sa peshë ka pasur trajneri Shehi në këtë rrugëtim?
Unë kam parë një njeri shumë të qetë, më ka pëlqyer se si ka drejtuar skuadrën. Orgesi është djalë shembullor, unë e kam thirrur tek ekipi Shpresa, edhe pse shtatshkurtër ka bërë veprime shumë të mira. Si trajner e vlerësoj për qetësinë që tregon, një qetësi që trajnerët e tjerë duhet ta kenë zili. Mënyra se si ai lidhet me skuadrën, mënyra se si ai lidhet me tifozët them që i ka bërë mirë kësaj skuadre, jetëgjatësinë e ka nga rezultatet që ka arritur.

-Profesor flasim shumë për një kampionat shumë të fortë, shumë konkurrues, por pse çedojmë në Evropë, pse zbehet kaq shumë madhështia e një klubi si Tirana duke mos kaluar asnjë tur në Evropë siç ndodhi një vit më parë?
Largimet e tepërta, sidomos e lojtarëve cilësorë, ose konsolidimi i skuadrës ka të bëjë shumë. Tirana duhet të zë mend, të gjithë ekipet shqiptare, sepse kompeticionet evropiane të japin shumë të ardhura që i bëjmë mirë skuadrave për vazhdimësi. Largimi i lojtarë për të fituar diçka më shumë ka bërë që skuadrat të mos konsolidohen, kur fillojnë kompeticionet evropiane i gjen ekipet shqiptare te çrregullta.

-Profesor, shkurtimisht, kush është lojtari më premtues i këtij edicioni?
Më ka pëlqyer numri 44 i Partizanit(Hadroj), herën e fundit pashë parametrat fizik të tij. Të them të drejtën më pëlqeu. Nuk e kisha parë me atë sy më përpara, por më pëlqeu.

-Kë do i sugjeroje Sylvinho-s?
Një nga këto e thashë, Hadroin, por duhet të jenë dhe të tjerë. Unë kam biseduar pak me Sylvinho-n, një prej tyre që i kam sugjeruar është Ismaljgeci, duhet të jetë pjesë e ekipit Kombëtarë sepse nuk kemi një të majtë, një puro sallakas do t’i bënte mirë ekipit kombëtarë, shpresoj ta marrë në konsideratë.

-Mqs jemi te Sylvinho, te Kombëtarja, çfarë pret nga dy sfidat e qershorit, kundër Moldavise dhe Ishujve Faroe, ke frikë se mund të rrëshqasim?
Shiko, më duken të vështira. Pavarësisht se me të fortët kemi luajtur më mirë, me ekipet e vogla kemi çeduar. Silvinho dhe stafi i tij janë të preokupuar, të gjithë janë në zyrë, punojnë për të evituar futbollistët, për të parë gjendjen e tyre. Janë dy ndeshjet më të rrezikshme për të arritur objektivin, shpresoj t’i kalojmë sepse një barazim në këto ndeshje do të ndikojë negativisht.

Duke parë dhe grupin, kemi shanse të kualifikohemi?
Unë shpresoj që pas këtyre dy ndeshjeve të themi që kemi shanse për tu kualifikuar, pasi të fitojmë këto dy ndeshje.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb