Nga: PETRIT HALITI*
Në kohën e baticës së presionit diplomatik grek mbi Shqipërinë, disa zyrtarë të mesëm dhe të lartë po hedhin në qarkullim tezën e një rinegocimi të marrëveshjes së vdekur të detit me Greqinë. Ajo që e bën më shqetësuese këtë dukuri, është fakti që disa hallka në administratën shtetërore, të cilat në “përshkrimin e vendit të punës” kanë detyrën e dhënies së rekomandimeve për marrëdhëniet me vendet e tjera, gjithashtu po përpiqen t’i veshin mantel zyrtar tezës së mësipërme. Çfarë do të thotë të rinegociosh marrëveshjen e vdekur të detit, të nënshkruar në 27 prill 2009 nga ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, me ish-ministren e Jashtme greke, Dora Bakojanis, dhe të hedhur poshtë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin e saj historik të 15 prillit 2010.
Rinegocimi i marrëveshjes së vdekur të detit do të thotë të përpiqesh të ringjallësh, në një formë apo tjetër, të njëjtën marrëveshje të zhvleftësuar dhe efektet e saj të rrezikshme. Do të thotë të bësh objekt tratativash të reja diplomatike të njëjtën marrëveshje që ligjëronte humbjen e 350 kilometrave katrorë hapësirë detare territoriale shqiptare dhe dhënien e saj Greqisë. Do të thotë të bësh përsëri tratativa diplomatike me të njëjtin objekt skandaloz, që kishte qysh në titull marrëveshja e vdekur e vitit 2009. Do të thotë të pranosh dhe të ribësh pazare me të huajt për kufijtë shtetërore të Shqipërisë. Do të thotë të hedhësh në tratativa ato 140 koordinata të marrëveshjes së vdekur, që i fusnin thikën e copëtimit integritetit territorial në ujërat e brendshme dhe në detin territorial të Shqipërisë. Do të thotë, në fund të fundit, të ripranosh dhe të ringjallësh marrëveshjen e vjetër të pavlefshme, me kënaqësinë idiote, që përpiqen të përhapin sirenat greke në Shqipëri, se tani Greqia mund të tregohet gjeneroze dhe të na rikthejë disa kilometra katrorë nga hapësira e madhe që i dhuroi asaj qeveria e vitit 2009.
Shfaqja e tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit nuk është e rastësishme. Në radhë të parë duhet thënë se ajo është një tezë greke, pjesë e strategjisë së diplomacisë së Athinës për t’i imponuar Shqipërisë cedimin e ujërave territoriale shqiptare. Plani diplomatik grek për këtë temë përbëhet nga dy faza. Faza e parë është ajo e imponimit nëpërmjet presionit diplomatik dhe fizik grek të zbatimit të marrëveshjes së vdekur, pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në këtë fazë përfshihen edhe përpjekjet arrogante për të zbatuar dhunshëm marrëveshjen e vdekur dhe për të dërguar misione eksplorimi për hidrokarbure në detin Jon në blloqet detare që i përkasin Shqipërisë. Në funksion të këtij presioni grek janë edhe idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë, sipas të cilëve, për hir të humorit të Athinës me Shqipërinë ia vlen të sakrifikohen territoret dhe integriteti territorial i vendit. Faza e dytë është ajo e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit, të cilën Greqia dhe klakerët e saj në Tiranë duan ta shesin si lëshim, dhe të pranojë të ulet në bisedime të reja diplomatike, për të diskutuar të njëjtën marrëveshje dëmtuese, të njëjtin objekt të paligjshëm marrëveshjeje, të njëjtat koordinata gllabëruese të marrëveshjes së vjetër etj.
Lobimi i tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit ka në Shqipëri grupin e vet të interesit. Në këtë grup përfshihet së pari lobimi politik nga qeveria e mëparshme e vitit 2009, e cila është aktori dhe fajtori i nënshkrimit të marrëveshjes së vjetër të aneksimit të detit shqiptar. Duke zhurmuar për rinegocimin e marrëveshjes, politikanët dhe ish-ministrat e lidhur me atë marrëveshje të zezë, tentojnë t’i bëjnë retushin dhe apologjinë një krimi shtetëror. Me një gur ata tentojnë të vrasin dy zogj; edhe realizojnë angazhimet dhe detyrimet, që kanë marrë në skenë dhe në prapaskenë ndaj Athinës, kur firmosën marrëveshjen e vdekur të detit, dhe nga ana tjetër, synojnë të bëjnë pis dhe të përziejnë në skenën e krimit kombëtar qeverinë e sotme të Partisë Socialiste, e cila në fondin e saj krijoi një vlerë historike me padinë në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së zezë të detit, të firmosur nga qeveria e vitit 2009.
Një grup tjetër interesi janë hijet e ekipit diplomatik dhe ushtarak, që u angazhua në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e cedimit të integritetit territorial të Shqipërisë në bisedimet me palën greke në vitet 2008-2009. Të lënë në paqe nga shteti, qeveria dhe prokuroria, hienat e detit shqiptar janë rizgjuar. Një rinegocim i marrëveshjes së vdekur do të hiqte nga supet e tyre çdo lloj apo formë akuze për aktin e rëndë të papërgjegjësisë profesionale, juridike dhe morale, që ata realizuan kundër interesave të vendit të tyre në vitin 2009.
Grupi i tretë i interesit për rinegocimin e marrëveshjes janë njësitë e lobit grek në politikën shqiptare, në të dy krahët, të cilët janë të lidhur me interesa financiare dhe jofinanciare me institucionet e ndryshme greke dhe përpiqen të realizojnë një detyrë të vjetër të bërjes fakt të kryer të rrudhjes territoriale të Shqipërisë dhe të ekspansionit territorial të Greqisë.
Ajo që bie në sy, është fakti se të tria grupet e mësipërme janë në sinkron në objektivin për të krijuar një lloj alarmizmi publik dhe politik brenda në Shqipëri për “kataklizmën”, që mund të ndodhë nëse zemërohen afendikonjtë e shtetit fqinj. Sipas lobistëve grekë në Tiranë, për të shmangur “kataklizmën” Shqipëria duhet të japë edhe detin, edhe Vjosën, edhe tokën, edhe nëntokën, edhe qiellin, me përjashtim të pronave private të pjesëtarëve të tri grupeve të mësipërme.
Çdo përpjekje për rinegocimin e marrëveshjes së vdekur të detit ka bllokadën e pakapërcyeshme juridike dhe kushtetuese, të vulosur nga vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese e ka zhvleftësuar dhe e ka bërë nul atë marrëveshje, kështu që asnjë institucion zyrtar i Shqipërisë, tani dhe në të ardhmen, nuk mundet të bëjë objekt bisedimesh atë marrëveshje të vdekur. Çdo përpjekje për të rinegociuar marrëveshjen e vdekur të detit përbën një faj penal. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur në verdiktin e saj si antikushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes dhe në radhë të parë objektin e saj. Asnjë institucion zyrtar në Shqipëri, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ulet në tavolinën e bisedimeve me të njëjtin objekt të marrëveshjes së vjetër të zhvleftësuar, e cila kërkonte të legalizonte ratifikimin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, të caktuar dhe të sanksionuar në dokumente dhe akte formalo-juridike ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur të pavlefshme dhe ka dënuar cenimin e ujërave të brendshme dhe të detit territorial të Shqipërisë, ku synonte marrëveshja e vdekur, dhe asnjë zyrtar shqiptar, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ndërmarrë ndonjë hap për tratativa me të huajt për ujërat e brendshme dhe detin territorial të Shqipërisë. Duke zbërthyer karakterin antiligjor të marrëveshjes së vdekur të detit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj historik të 15 prillit 2010 thekson: “Marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujëra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar”. Gjykata Kushtetuese e ka varrosur marrëveshjen e vdekur të detit dhe nuk mund të ketë institucion apo qeveri shqiptare, që të veprojë kundër këtij vendimi.
Natyrisht, në planin diplomatik, qeveria e vitit 2009 me marrëveshjen e dëmshme të detit ka krijuar një problem në marrëdhëniet me Greqinë, e cila në këndvështrimin e saj mendon se ka të drejtë të kërkojë që Tirana t’ia legalizojë dhuratën e paligjshme prej 350 kilometrash katrore det, që u bë gati t’ia jepte qeveria e Sali Berishës dhe e Lulzim Bashës. Në këtë situatë Shqipëria nuk ka asnjë arsye as të ngutet e as të alarmohet. Diplomacia greke provokon tensione për të nxitur diplomacinë shqiptare të bëjë gabime. Tirana mund të marrë shembull nga vetë grekët, të cilët nuk po nguten me ligjin absurd të luftës dhe nuk po e heqin prej 75 vjetësh, ndonëse Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s dhe në bazë të artikullit 5 të Traktatit themelues të NATO-s duhet të bëjnë luftë kundër të tretëve për të mbrojtur njëri-tjetrin.
Shqipëria nuk ka asnjë arsye as të ngutet e as të krijojë alarme false. Shteti mbron interesat dhe integritetin e tij dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri mirë që konfirmoi me zë të lartë në 27 maj parimin e madh të shtetësisë, të dinjitetit dhe të pavarësisë, se “ne nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”. Intriga e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit synon pikërisht negocimin e interesit kombëtar.
Shqipëria mund të hapë bisedime me Greqinë vetëm për objektin fillestar, për të cilin Athina zyrtare ka kërkuar bisedime në vitin 2007. Greqia ka kërkuar zyrtarisht bisedime vetëm për shelfin kontinental. Qeveria e asaj kohe i është përgjigjur kërkesës greke me vendimin për të filluar bisedimet për shelfin kontinental. Nëse qeveria dhe diplomacia shqiptare e vitit 2009, për arsye që i dinë vetëm ata, bënë devijimin e madh antikombëtar dhe hynë në rrugën e rrezikshme të cedimit të sovranitetit dhe të integritetit territorial, kjo nuk është faturë që paguhet nga interesi kombëtar dhe pavarësia e Shqipërisë. Bisedimet për shelfin mund të jenë objekt dhe këtë start, sipas interpretimit dhe praktikës diplomatike, duhet ta kërkojë përsëri pala greke. Recetat e tjera, po të përdorim një metaforë të stërkonsumuar, që e kanë qejf fshatarët e politikës shqiptare, “shpien ujë në mullirin e Greqisë”.
Në situatat, kur disa forca politike dhe jopolitike, të brendshme dhe të jashtme, po kërkojnë të provokojnë dhe të përhapin konfuzione, është detyruese që zyrat shtetërore dhe zyrtarët, të cilët rasti apo jorasti i ka sjellë në postet ku “përshkrimi i vendit të punës” kërkon ndjekjen e marrëdhënieve me Greqinë, të mbajnë në tavolinat e punës, në memorien dhe në memot e tyre, vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të datës 15 prill 2010. Pesë vjet pas vendimit historik dhe shpëtimtar të Gjykatës Kushtetuese, institucionet dhe qeveria shqiptare, që mbajnë përgjegjësi për marrëdhëniet me jashtë dhe për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit, duhet të kërkojnë arsyet dhe faktorët e intrigës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: