TIRANE- Opera “Peshkatarët e Perlave”, me regjinë dhe pjesëmarrjen e sopranos me famë botërore Inva Mula, do të çelë sezonin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Gjatë një konference për mediat, drejtoresha e institucionit Zana Çela paralajmëroi një sezon të pasur artistik.

“Këtë vit ne do t’i japim shumë prioritet performancave të Ansamblit Popullorë, pasi ky është viti i 60 vjetorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore”, tha Çela.

“Peshkatarët e Perlave” të shkruar nga Bizet, Mula e ka kënduar të plotë vetëm në Shqipëri në vitin 1990, me regji të Nikolin Gurakuqit.

“Siç e shikojmë të gjithë ne, madje duke ndenjur këtu po thosha si ka mundësi që marrim guximin të luajmë në një teatër që nuk është teatër operash, madje nuk është as një teatër i mirëfilltë është një sallë konferencash. Teatri ka nevojë për ballkone për një rrumbullakësi e thellësi skene, megjithatë nëse antikapet do t’i kthejmë në favor, e të mendojmë që po bëjmë një show të bukur një spektakël, i cili nuk do të jetë vetëm për melomanët e të dashuruarit e operas klasike, por do të jetë për një publik më të gjerë”, u shpreh Mula.
invaa

Inva Mula tregoi se vepra e Bizet ka shumë vështirësi muzikore dhe për ngjitjen në skenë ka ndihmuar edhe dirigjenti francez Gerard Akoka.

Dirigjenti, që ka qenë në Shqipëri edhe për premierën e ‘90-s, pasi vlerëson artistët e orkestrën, i bëri apel qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e Teatrit të Operës.

“Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet më 22 shtator në skenën e Pallatit të Kongreseve. Vepra shoqërohet edhe me pjesë koreografike të drejtuara nga Enada Hoxha dhe Gert Vaso.

Në këtë premierë do të interpretojnë artistë të njohur shqiptarë si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani e më gjerë, por edhe të huaj si Caner Hakin, Atalas Mladenov dhe Hrisimir Damjanov. Shfaqjet do të vijojnë edhe në datat 24 dhe 25 shtator.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: