NGA GERILINA KODHELI

Lajmi se Inva Mula i ka dhënë fund martesës së saj të dytë, ka pushtuar vëmendjen e publikut. Sopranoja e famshme shqiptare thuhej se kishte kaluar një krizë në martesën e saj me biznesmenin nga Kosova Ethem Ramadani, madje edhe se marrëdhëniet e tyre ishin ftohur aq shumë, saqë çifti ishte në prag të divorcit. Megjithatë, Inva Mula, e kontaktuar nga “Bluetooth”, ka thënë se bëhet fjalë për një spekulim. “Ç’janë këto budallallëqe? (Qesh) Po e marr vesh nga ju, sepse nuk i kam lexuar mediat. Rrini të qetë, sepse nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë artistja.

Inva Mula ka mohuar edhe faktin se martesa e saj po kalon një periudhë të vështirë. E pyetur nëse martesa e saj e dytë është në krizë, sopranoja shqiptare, e njohur ndërkombëtarisht është shprehur se, “Jo, ç’janë këto budallallëqe, as i konsideroj. Sa lexoj nga këto e sa flasin njerëzit nuk i marr në konsideratë, janë fjalë kot”. Ndërkohë, këngëtarja e muzikës lirike ka shuar thashethemet që i referohen marrëdhënies së saj me Ramadanin duke publikuar edhe një foto në rrjetet sociale.

Çifti shihen tejet të lumtur dhe të buzëqeshur në krahët e njëritjetrit, duke konfirmuar se asgjë nga çfarë përflitet nuk është e vërtetë dhe se ata vazhdojnë të shijojnë martesën e tyre. Ethem Ramadani është një ndër 10 biznesmenët më të pasur nga Kosova, ndërsa lidhja mes tyre ka nisur rreth marsit të vitit 2008. Ata janë njohur 8 vjet më parë në një festë ku ishin të ftuar të dy, në Izrael, përpara se këngëtarja të deklaronte publikisht se i kishte dhënë fund martesës së saj 20- vjeçare me Pirro Çakon. Siç ka treguar Inva në një rrëfim të disa kohëve më parë për martesën e saj, gjërat mes saj dhe biznesmenit kanë ardhur shumë spontanisht dhe në mënyrë të natyrshme.

“Nuk kisha bërë plane për jetën time, dhe nuk kisha marrë asnjë vendim për të ardhmen. Isha shumë mirë në raport me profesionin dhe me një dashuri shumë të madhe që kisha me djalin tim. Mendoja se mund ta vazhdoja jetën duke iu dedikuar këtyre dy dashurive, pa pasur nevojën e një njeriu të tretë”, ka thënë ajo, ndërsa thekson se projektet e tyre të përbashkëta i afroi edhe më shumë. Sa i takon vështirësive që has dashuria e një biznesmeni dhe një artisteje që i duhet të udhëtojë shumë, Inva Mula ka treguar se, “dashuria konservohet mbi të gjitha, mbi kujdesin që ne kemi për personin që i dedikohemi dhe na dedikohet”.

Inva Mula dhe Ethem Ramadani janë martuar në qershor të vitit 2009. Dasma e tyre luksoze është bërë në kështjellën e Davidit, një nga më të bukurat në Jerusalem, pikërisht në vendin ku janë takuar për herë të parë. Çifti i famshëm janë prindër të një vajze të quajtur Nina, e cila mban emrin e nënës së ndjerë të Invës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: