NGA FATMIRA NIKOLLI*
“Ishte një stuhi e fuqishme dhe u quajt si tërmeti në Beograd se unë u mbyta nga duartrokitjet, u mbyta nga bravot, u mbyta nga pritjet e artdashësve. Dhe sikur humba në atë atmosferë kaq të bukur të një emocioni të jashtëzakonshëm që rrallë herë e kam ndjerë. Ky ishte misioni im”. Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula sapo është kthyer nga Beogradi ku shënoi sukses me interpretimin e Mimisë në operën “La Boheme”.

E “mbytur nga duartrokitjet”, e lumtur për suksesin, sopranoja që ka prekur skenat më të mëdha të operës botërore, ka shumëçka për të treguar mbi skenën e fundit që pushtoi, mënyrën si u prit, takimin me kryeministrin serb para një flamuri shqiptar, bashkëpunimin me drejtorin e operës serbe dhe kujdesin që patën ndaj saj në Beograd.

Në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE”, ajo tregon se në vizitën e saj në Serbi është shoqëruar nga bashkëshorti, ndërsa ndan me lexuesit edhe emocionet e mikpritjen në operën serbe. Sopranoja e njohur shqiptare, me suksese të mëdha ndërkombëtare, shoqërohej gjatë këtij rrugëtimi artistik në Beograd nga bashkëshorti, Hetem Ramadani. “Nuk ishte edhe për të kollaj që të shkonte në Beograd mbas shumë vitesh e ngjarjeve prandaj vizita jonë kishte një karakter personal shumë delikat. Megjithatë arti është fitimtar, është ai që na zhvesh nga paragjykimet”, thotë sopranoja.

– Ishit sopranoja e dytë shqiptare që interpretonit në Beograd, si u ndjetë?
Ky ishte një eveniment shumë i madh dhe unë e ndjeva këtë përgjegjësi të madhe në radhë të parë artistike dhe e trajtova si të tillë. Nuk doja të merrja mbi supe asnjë lloj peshe të kësaj marrëdhënie e cila ka qenë e vështirë ndërmjet dy vendeve për vite e dekada të tëra. Mendova që gjëja më e mirë që unë mund të bëja është të kisha një paraqitje shumë dinjitoze, nga ana profesionale se ajo do të sillte edhe suksesin e këtij aktiviteti. Dhe në fakt kjo ndodhi.

– Si u pritët nga kolegët në teatër?
T’u them të drejtën gjeta një mikpritje në teatër dhe një trajtim që u bëhej divave të vërteta. Ato kishin një organizim shumë të madh të bukur dhe shumë dinjitoz. Fotografia ime në banerin e madh ishte në hyrjen e operës dhe në të kishte epitete të jashtëzakonshme. Që aty e kuptova që kishte dashuri për këtë shfaqje. Ditën e parë të provave kishte shumë studentë dhe shumë artdashës, nuk ishte një provë e thjeshtë, por mbase ishte një takim do të thoja që më bëhej jo vetëm me kolegët por me të gjithë ata që kishin dëshirë që të takonin. Ishte një provë e hapur për të gjithë artdashësit.

– Ju u pritët nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, madje në takim kishte edhe flamurin shqiptar. Për çfarë u bisedua?
Etapa e dytë e kësaj ngjarje që ishte një etapë shumë e rëndësishme, ishte kur mu komunikua që më priste kryeministri Vuçiç në zyrën e tij dhe tu them të drejtën u befasova. U befasova sepse vizita ime nuk ishte në kuadrin e një vizite zyrtare sepse unë nuk përfaqësoj asnjë zyrë, por përfaqësoj artin tim dhe emrin tim, por si duket u kërkua një takim i tillë sepse ishte ngjarje dhe ata e vlerësuan shumë që një artiste shqiptare shkonte mbas 71 vjetësh në Beograd.

Duhet të kuptojmë që marrëdhënia dhe gjithë kjo pjesë e historisë nuk ishte ajo e viteve 1945. Prandaj kishte rëndësinë e vet. Në momentin që kisha takimin, ishte dita e dytë në Beograd. Në 10:30 isha me ambasadorin shqiptar Ilir Boçka. Në parantezë po them se vetë ambasada më ka bërë një pritje të jashtëzakonshme. Një pritje vërtet e jashtëzakonshme dhe Boçka ishte një zotëri që diti të përfaqësonte shtetin dhe të mbështeste artistët.

Në takimin me kryeministrin shoqërohesha nga ambasadori Boçka dhe drejtori i operës, një personalitet i muzikës dhe i artit që ishte njëherësh edhe dirigjent i shfaqjes, Dejan Saviç. Kur arrita në Kryeministri, personi i protokollit më thotë që kur të hysh duhet të ulesh nga ana e flamurit, por pa e përcaktuar se cilin flamur dhe unë u gjenda e papërgatitur. Kur hyra në hyra në zyrën e pritjes së kryeministrit pashë që aty ishte vënë flamuri shqiptar. Tu them të drejtën u emocionova shumë sepse nuk prisja të ishte një respekt kaq i madh, sepse siç thashë më lart unë nuk përfaqësoja zyrë. Kjo pritje bëhet në rang vizite qeveritare e personalitetesh të tilla.

– U duk se u pritët si përfaqësuese e Shqipërisë në një farë mënyre, apo jo?!
Unë them që kjo u përkthye me një respekt për artin shqiptar për artisten shqiptare, që unë isha dhe përfaqësoja kombin tim. Ishte një instalim i një atmosfere, shumë të bukur. Vlerësimet nga ana e kryeministrit ishin shumë të mëdha për artisten që unë jam dhe për atë që unë kam bërë, për atë që përfaqësoj në këtë moment që shkoj në Beograd dhe për këtë pritje që kishin bërë artdashësit e Beogradit që ishin të shumtë dhe për një fillim të një bashkëpunimi në fushën e kulturës ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Unë mendoj që këto janë pika shumë të rëndësishme, ka shumë artistë shqiptarë që mund ta bëjnë këtë punë ashtu si unë e fillova dhe ka shumë artistë shumë të mirë të Serbisë që mund të vijnë të performojnë tek ne, jo vetëm në muzikë, por edhe në artet e tjera të bukura ku nuk mungojnë artistët e personalitet e mëdha që kemi, prandaj do të thosha që ishte instalimi i kësaj fryme të bukur për të vënë ura lidhëse ndërmjet dy shteteve tona. Urat lidhëse, më të bukura, më solide dhe më të shkurtrat janë urat e artit dhe besoj se me shfaqjen e “La Boheme” në Operën e Beogradit u vendos një urë e rëndësishme.

– Një moment i rëndësishëm ishte shfaqja e operës “La Boheme”, ku ju interpretonit Miminë. A kishit emocione?
Kjo ishte një etapë tjetër që ishte më e rëndësishmja. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, biletat ishin shitur dy javë më parë, teatri ishte stërmbushur dhe kishte një atmosferë vërtet artistike. Të gjithë pjesëmarrësit kishin një përgjegjësi të madhe për të bërë një nga shfaqjet më të bukura me përgjegjësi artistike e me një mobilizim të veçantë. Çdo gjë ishte e organizuar deri në detaj. Kostumet për mua ishin gati kur unë arrita. Pjesa e organizimit që kërkon shfaqja, ashtu si provat me orkestër, që mua mu bë një provë, në pozita normale të një shfaqje që të mos kisha emocione. Çdo gjë që mund të kërkojë një këngëtar ishin të realizueshme.

– Dirigjenti ishte drejtori i operës, Dejan Saviç. Ai u është gjendur pranë dhe sa i takon kërkesave tuaja artistike?
Mendoj që në momentin që vajtja në teatër dhe pashë gatishmëri, për të më veshur, për të më krehur, kisha një ekip të tërë në dispozicion që merrej me mua dhe një ekip teknik po ashtu që unë të isha sa më komode për të dhënë më të mirën time dhe ashtu ndodhi. Nga ana artistike, nga ana muzikale, me orkestrën patëm bashkëpunim të jashtëzakonshëm e sidomos me dirigjentin, Dejan Saviç që më ndoqi në çdo moment dhe mu përgjigj në çdo gjë, muzikalisht çdo frazë, çdo efekti vokal që unë kërkoja të interpretoja në shfaqje.

– Kemi lexuar se patët sukses, por mund të na thoni si e pritën spektatorët Miminë tuaj?
Sigurisht që momenti kulminant ishte se nuk e dija si do të pritesha në fund, pra në fund të shfaqjes. Ju e dini që në fund janë ato duartrokitjet personale që merr çdo artist. Dhe fundja punon dhe jep gjithçka pikërisht për ato minutat e duartrokitjeve. Ishte një stuhi e fuqishme dhe u quajt si tërmeti në Beograd se unë u mbyta nga duartrokitjet, u mbyta nga bravot, u mbyta nga pritjet e artdashësve. Dhe sikur humba në atë atmosferë kaq të bukur të një emocioni të jashtëzakonshëm që rrallë herë e kam ndjerë. Nuk e di, por krijohen disa momente që edhe nga pritja e publikut, i cili kënaqet nga një performancë, të bën të japësh më të mirën nga vetja.

– A ishte ky misioni i Invës në Beograd, ky sukses?
Them se u krye një mision nga ana ime, një mision do thosha shumë delikat që të ishte më i miri në shumë drejtime, por u krye në formën më të mirë të mundshme dhe nuk më ngelet gjë tjetër që të falënderoj në radhë të parë të gjithë ata që u bënë nismëtarë të këtij aktiviteti siç ishte drejtori Ilir Kerni në Tiranë dhe drejtori i Operës së Beogradit, Dejan Saviç.

– A ishte bashkëshorti juaj me ju në Beograd? A patët mbështetjen e tij për këtë shfaqje?
U shoqërova nga bashkëshorti im Hetem Ramadani, i cili më qëndroi çdo moment afër. Nuk ishte edhe për të kollaj që të shkonte në Beograd mbas shumë vitesh e ngjarjeve prandaj vizita jonë kishte një karakter personal shumë delikat. Megjithatë arti është fitimtar, është ai që na zhvesh nga paragjykimet, është ai që na çliron për të dhënë më të mirën. Dhe këtë të mirë ne e pamë tek publiku, e pamë tek artdashësit, e pamë tek vetja jonë.

– Si u pritët nga media serbe?
Media ishte shumë e interesuar. Nuk refuzova asnjë intervistë sepse e dija që ishte në dobi të imazhit të artistit shqiptar. Pra kanë qenë media radiofonike, të gjitha gazetat kryesore, artikulli të nesërmen në gazetën e njohur “Danas” ishte i gjatë, ishte intervistë në emisionin qendror të lajmeve, ndërsa pas shfaqjes kam qenë direkt në televizionin “PINK”, në emisionin e paradites që ishte me imazhet e shfaqjes.

Ka qenë një jehonë e jashtëzakonshme. Ky aktivitet do thosha që shënoi për mua një ngjarje të rëndësishme, të bukur e të veçantë, për mua personalisht dhe shpresoj se kjo do hapë rrugën e një bashkëpunimi në fushën e kulturës mes dy popujve që janë popuj të një pjese gjeografike të rëndësishme të Europës e që duhet të gjejnë këtë rrugë të përbashkët të paqes e të bashkëpunimit.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: