NGA ANISA YMERI*

TIRANË- Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës kanë nisur provat intensive…kjo fundjavë shënon premierën e operës ‘Pagliacci’! Është kjo shfaqja e përzgjedhur e sopranos shqiptare Inva Mula e cila karrierën e ka në skenën botërore, për t’u përballur me publikun shqiptar jo vetëm si protagonistja kryesore e operës, por edhe si regjisore e saj.


Po çfarë do të rreket të sjellë me vënien e saj në skenë të operës ‘Pagliaçi’ artistja Inva Mula. Sipas saj, në të do të ketë Shqipëri, në skenën e operës sonë kombëtare do të ketë Tiranë, zgjidhje artistike këto që na e bëjnë të prekshme këtë vepër, e cila i ka mbijetuar dhjetëra viteve!

Në sallë, në këtë mjedis ku ka kaluar dekada të jetës së tij qëndron Avni Mula. Këshillat e tij s’mund të mungojnë dhe ai ndjek me kërshëri çdo lëvizje në skenë e çdo fjalë të thënë prej së bijës në rolin e regjisores.

Orkestra drejtohet nga mjeshtri Michelangelo Mazza. Tenorët që interpretojnë në skenën e Tiranës, Walter Fraçaro dhe Davide La Verde.

Prova gjenerale e 29 majit në orën 20:00 do të jetë e hapur për publikun, çka po shndërrohet në traditë. Premiera e operës ‘Pagliaçi’ do të shfaqet mbrëmjen e 31 majit për të vijuar të shfaqet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit edhe më 1 e 2 qershor në orën 20:00.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: