Sopranoja e njohur Inva Mula këtë të diel ishte e ftuar në programin “Dola te Ola”, ku ndër të tjera zbuloi detaje nga dy koncertet e fundit muzikore, “Për ty Kosovë” në Prishtinë dhe “Për ty babë” në Shkodër.

Inva Mula tregoi se kompozitori Florent Boshnjaku i kishte bërë një ftesë për të realizuar një koncert me këngët më të bukura shqiptare, por ndryshe nga herët e tjera sopranoja do të performonte me një bandë të muzikës pop. Sopranoja e cilësoi këtë koncert një eksperiencë të bukur dhe të vlefshme, “Shënoi një kapitull të bukur, të hapur për të rimarrë të gjithë repertorin e bukur shqiptar dhe për ta sjellë në këtë formë”.

Ndërkohë për koncertin “Për ty babë” në Shkodër, sopranoja tha se kishte një emocion të jashtëzakonshëm pasi ajo së bashku me Genc Tukiçin u rikthyen aty ku baballarët e tyre, Avni Mula dhe Ibrahim Tukiçi, nisën karrierën e tyre. “Ishte një rrëfim i dashurisë për qytetin e artit, e gjitha e rrëfyer në muzikë”, tha ajo.

Inva shtoi se realizimi i koncertit ishte një ftesë nga kryetari i bashkisë Bardh Spahia, babai i të cilit ka qenë shok me Avni Mulën dhe Ibrahim Tukiçin, dhe në një farë mënyre edhe ai fliste për babanë e vet.
“Me ‘Për ty babë’ doja që secili që ndodhej në atë koncert të kujtonte babanë e vet, pasi kur kujtojmë prindërit i kemi thënë jetës faleminderit”, tha Inva Mula.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb