Gatimin e zbuloi. Relativisht vonë madje. Por jo shijen dhe aromat ndjellëse. Me to filloi të njihej pak nga pak, që nga fëmijëria kur nëna e saj, po aq artiste në kuzhinë sa edhe në skenë, nuk e shpërfille marrëdhënien me gatimin. Përkundrazi.
Nuk është një gjë që mund të ndodhë më shumëkënd, sikurse është rasti i Inva Mulës. Ajo është rritur me një përzierje kuzhinash, aromash, shijesh nga më vështirë të përfytyrueshmet. Kur pati marrë rrugën nga Rusia, për shkak të një dashurie, nëna e vet “futi në valixhe” edhe pak prej kuzhinës së vendit të saj, pse jo, si një relike që duhet marrë me vete ngado. Ndryshe e thënë: pak shije e veçantë Rusie, nuk mund të mos shtrohej në tryezën e familjes së sapokrijuar Mula, në fund të viteve ‘50 të shekullit të shkuar, si ngjyresë identifikues e të zonjës së shtëpisë. Për pasojë, me pak sharm Rusie, i skalitur qysh në krye të herës në pamjen e saj nëpërmjet gjeneve, Inva Mula, nuk mund të mos mëkohej.
Me kohën, me gramaturat e duhura, kësaj shijeje, që nuk mund të njihej nga të gjithë në vendin plot diell, do t’i shtohej padyshim edhe shija mesdhetare, e stërpikur më në fund edhe me aroma që vinin prej recetave italiane, drejt të cilave pasioni do ta çonte të zonjën e shtëpisë… Kësisoj, tryeza në familjen e artistëve të operës, nuk do të ishte edhe aq e zakontë… Panoramë, pothuaj e pakrahasueshme…
E tillë i vjen në kujtesë shumë vite më pas këngëtares lirike…
Tashmë Inva Mula ka shëtitur botën, ka njohur sa e sa kuzhina, ka përvetësuar copëza prej tyre andej këndej, është bërë mjeshtre në kuzhinë, aq sa edhe në të gjitha skenat ku ka vënë këmbët. Dhe i vjen mirë që gjen, në këtë rast, edhe një pikë tjetër përkimi me të ëmën, që në fillim, as që i kishte shkuar në mend.(shije)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: