Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Pas 34 vitesh në administratën publike, më hoqën nga puna me motivacionin e shkurtimit të vendit të punës, ndërsa sot nuk kam asnjë lloj të ardhure për të jetuar”. Me këto fjalë e nis historinë e saj Hyri Mata, e cila përveç faktit që ka mbetur pa punë, është person me aftësi të kufizuar. Prej moshës 10-vjeçare ajo është diagnostikuar me artrit rematoit, një sëmundje kockash, që kërkon lëvizje për të mos u përkeqësuar. Në këtë intervistë, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, 54-vjeçarja nga fshati i Moglicës tregon sesi u hodh në rrugë 7 vite para pensionit, ndërsa kërkon një vend pune, pasi siç thotë edhe vetë, kjo “është më shumë jetike se ekonomike”.

Znj. Mata, a mund të na tregoni punën që keni bërë në administratën publike?
Kam filluar punë në gusht të vitit 1981 si magaziniere e Këshillit të Bashkuar dhe gjatë kontratës që kisha si magaziniere punova edhe 2 vjet si shefe personeli e Këshillit të Bashkuar. Kur u prish sistemi në gusht të 1992-it, kalova si magaziniere e Komunës Moglicë dhe në 2 gusht 1992 arkëtare komune, duke m’u bërë 15 vite pa ndërprerje nga arka. Pasi arkat “u transferuan” në bankomat, në dhjetor të 2010-ës, në 2011-ën punoja si magaziniere dhe formuluese e listë-pagesave. Kjo deri në 31 gusht 2015, kur më erdhi fleta e largimit nga puna. Shkurt, kam punuar 34 vjet në administratën publike.
Cili ishte shkaku i largimit nga puna?
Në fletë thuhej se shkaku i largimit ishte shkurtimi i vendit të punës. Brenda 5 ditëve bëra dorëzimet, konform rregullave, dhe ia dorëzova kryetarit të Partisë Socialiste.
Në vendin tënd të punës është emëruar dikush tjetër?
Me sa di unë, punën time e bën kryetari i Partisë Socialiste, të cilit unë i bëra dorëzimet.
Ti keni edhe probleme shëndetësore. Cila është diagnoza e sëmundjes tënde?
Unë jam invalide. Jam e diagnostikuar me artrit rematoit dhe jam sëmurur që në klasën e 3-të. Kam ecur për 14 vjet me patericë, por me mjekime fillova të përmirësohem pak.
A mund të na thuash çfarë të ardhurash ke? Me kë jeton?
Nuk kam asnjë lloj të ardhure. Unë kam jetuar me nënën dhe babain, të cilët kanë vdekur dhe aktualisht jetoj vetë. Nuk ka kush të më ndihmojë sepse edhe vëllezërit kanë familjet e tyre.
Pas largimit nga puna, çfarë përpjekjesh ke bërë për të gjetur një punë?
Unë kam shkuar 3 herë te kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu. 3 herë më priti mirë, më tha që “do e kem parasysh”, duke ditur dhe pozitën time. Herën e 4-rt, në datën 16 nëntor, më tha “zonjë, unë kam vënë në punë ç’më ka sjellë partia nga fshati”. Edhe mesazhi i fundit që më ka sjellë është “nuk të takon vend në bashki”.
Çfarë lloj pune mund të bësh?
Unë mund të bëj shumë mirë punën që kam bërë deri më tani. Me ndihmën ekonomike kam punuar, me taksat kam punuar. Pse jo?!
Sa kohë të duhet për të dalë në pension?
Unë jam ditëlindja 17 korrik 1962 dhe sipas viteve që kam më duhen edhe rreth 7 vite punë për të dalë në pension.
Cila është kërkesa jote?
Unë dua të jem në punë. Reumatizma është një sëmundje që të gjunjëzon. Të thashë që, kam qenë 14 vite me patericë dhe vetëm falë lëvizjes që unë bëja e hoqa patericën, sepse duhet të jem gjithmonë aktive. Në rastin tim, puna ime është më shumë jetike se ekonomike, sepse duhet të dal. Unë kam 2 muaj që rri brenda.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb