Tre impiante përpunimi të mishit janë mbyllur ndërsa 21 të tjera janë nën shqyrtim. Shumë prej këtij mishi që prodhohej nga kompanitë eksportohej në Evropë dhe në vendet e tjera të botës. Brazili është një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit të kuq. Ministri i Bujqësisë, Blairo Maggi pritet të takojë ambasadorët e jashtëm të hënën për të siguruar ata me qëllim që të parandalohen sanksionet kundër eksportit të mishit brazilian. Autoritetet braziliane kanë pezulluar 33 zyrtarë të qeverisë pas investigimit të zbuluar se disa nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në vend kanë shitur prej vitesh mish viçi dhe pulash të kalbur. Në 6 shtete të Brazilit pas një hetimi dyvjeçar Policia federale ushtroi kontrolle në 194 zona dhe në këtë operacion u angazhuan 1000 oficerë. Sipas hetimeve disa nga menaxherët e këtyre kompanive kanë korruptuar inspektorët dhe politikanët për të siguruar certifikimin e qeverisë për produktet e tyre.

Më shumë se 30 kompani akuzohen për mungesë higjiene, mes tyre është dhe “JBS”, një prej eksportuesve më të mëdha në botë të mishit të viçit dhe “BRF”, prodhuesja më e madhe në botë për produktet me pulë. Policia federale e Brazilit thotë se ka prova për të paktën 40 raste. Prokurorët deklaruan se një pjesë e parave ryshfet i ishte dhënë dy partive të koalicionit qeverisës,Partisë Progresit dhe partisë së Presidentit brazilian Michel Temer, PMDB. “JBS” ka të ardhura neto prej 55 miliardë dollarë ndërsa eksporton në 150 shtete.

“Ata përdornin acid dhe kimikate të tjera për të maskuar produktet e tyre. Në disa raste produktet që ata përdornin ishin kancerogjene” deklaroi policia, shkruan “BBC”.

Në raste të tjera ata përdornin patate, ujë apo dhe karton përzier me mishin e pulës me qëllim që të rrisnin përfitimet. “JBS” përmes një deklarata tha se kishte zbatuar të gjitha standardet e cilësisë por dhe rregullat sanitare, shkruan BBC.

(I.Ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb