Emisioni investigativ Vetting, News24
Me detyrë efektiv i Burgjeve, Mustafa Kabili, ka jetuar për shumë vite në Paskuqan, në një banesë që u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019. Pas tërmetit, gjithçka ndryshoi për familjen tij për keq. Ajo që duhet të ishte një mundësi e re për një jetë më të mirë, u shndërrua në një kalvar vuajtjesh pafund. Fatkeqësia natyrore ia shkatërroi banesën, por pas saj institucionet që duhet ta ndihmonin e lanë më të shkatërruar se sa vetë tërmeti. Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori përsipër rindërtimin, por sa nisi të rikonstruktohej shtëpia, një grup i dytë inspekimi u paraqit në terren për të kryer matjet. Mbi shtëpinë e tij do kalonte Unaza e Tiranës, një mantel ankthi mbulonte familjen…
***
Më anë të VKM-së nr.319, datë 18.5.2022 “Për Kalimin te Bashkitë Shijak, Kamzë, Kavajë, dhe Krujë të Njësive Individuale të Banimit” do të shpërndaheshin banesat për personat e goditur nga tërmeti, ku përfshihej dhe banesa e Mustafa Kabilit me vlerë të objektit 25 milionë lekë ose 25 mijë euro.
Por VKM-ja e firmosur nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që është në kërkim ndërkombëtar për akuzat për korrupsion është firmosur pasi janë shpërndarë njësitë individuale, duke ngritur pikëpyetje për organizimin e tërë procesit.
Menjëherë pas këtyre vendimeve, në 13 tetor 2022 Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin nr.662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-“Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6”.
Në fakt, në projektin fillestar nuk gjendet emri i Mustafa Kabilit dhe vlera e kompensimit në këtë rast është 3.1 miliardë lekë ose 31 milionë euro dhe përfshihen 197 subjekte për shpronësim.
Disa muaj më pas, në 17 maj 2023, me anë të vendimit 287 Këshilli i Ministrave do të ndryshonte vendimin e mëparshëm duke shtuar vlerën e shpronësimit të projektit nga 3,1 miliardë lekë në 3.8 miliardë lekë.
Por qeveria shqiptare do të ndryshonte vendimin 662 përsëri, ku në 20 dhjetor 2023, Këshilli i Ministrave do të mblidhej për të ndryshuar vendimin e mëparshëm me anë të vendimit 748 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin 662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-“Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6”.
Në këtë vendim do të gjendej edhe emri i Mustafa Kabilit për përfitimin e shpronësimit të banesës së sapondërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Por në këtë rast vlera e banesës do të ishte 41 mijë euro nga 25 mijë euro që u deshën për rindërtimin e saj. Vlera e plotë e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe në këtë segment do të kalonte nga 31 milionë euro në 4,1 miliardë lekë ose 41 milionë euro.
Problemi tjetër është se kemi devijim të projektit të unazës, që do të thotë se kemi përplasje edhe me tenderat e organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Historia e ndërtimit të Unazës së Madhe për segmentin 4, 5, 6 dhe 7 është denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike për kostot e larta.
Në fakt, në fund të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesit e tenderit “Projektim Rikualifikim i Unazes Lindore, per Lotet 4, 5, 6”, që u fitua nga kompanitë “KLODIODA & A.L.T.E.A. – GEOSTUDIO 2000” me vlerë 282 mijë euro.
Por përfituesit e tenderave për ndërtimin e akseve 4, 5, 6 të Unazës së Jashtme të organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar janë shpallur dhe lidhur kontratat në fund të vitit 2021.
Përkatësisht fituesit janë “EUROTEOREMA PEQIN shpk – “PE-VLA-KU” sh.p.k – “NOVA Construction 2012” shpk”, “ G.P.G. COMPANY” – ”SENKA” shpk, “ALKO-IMPEX General Construcion – 2 T”. Por të tre tenderat janë shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi ka indicie për korrupsion dhe favorizim të fituesit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Pyetja që ngrihet është: Si janë organizuar tenderat parakohe, kur Vendimet e Këshillit të Ministrave të marra pas tenderave kanë ndryshime, të cilat bazohen te devijimet e projektit?
Në fakt, institucionet që kanë përgjegjësi janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamëz dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Por, problemet me dokumentacionin e pronësisë në Bashkinë Kamëz nuk janë një risi, pasi më herët Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika të shumta nga kryetari i Bashkisë, Rakip Suli.
Sipas auditit rezulton se nga totali prej rreth 2000 pasuri që i janë transferuar kësaj bashkie, duke përfshirë zonën e Paskuqanit, janë dërguar për regjistrim 93 pasuri, nga të cilat vetëm 47 janë regjistruar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se zona e Paskuqanit ku gjendet edhe prona e Mustafa Kabilit nuk është rakorduar me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Kamëz-Vorë mbi statusin juridik dhe tjetërsimin e mundshëm të pronave nga persona të tretë, përmes procedurave të legalizimit, privatizimit, vendimet e kthimit/kompensimit apo vendimet gjyqësore.
Në raport theksohet se inventari i pasurive të paluajtshme të Bashkisë Kamëz është i papërditësuar dhe në shkelje të nenit 37, të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Por vet programi i Rindërtimit ka mangësi të theksuara në mënyrën e hartimit dhe zbatimit.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka zbuluar probleme me programin e Rindërtimit, ku për periudhën nga 10 janari 2020 deri më 30 prill 2021 realizoi auditimin për Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin dhe Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, duke u përqendruar te zbatimi i kompetencave të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.
Që nga themelimi i kësaj ministrie e deri në gusht 2022, programi i Rindërtimit është drejtuar nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e ish zv.kryeministrit Ahmetaj mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.
Në raport evidentohen edhe probleme me Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, ku theksohet se nuk rezulton i dokumentuar hartimi dhe miratimi i Programit të përgjithshëm të rindërtimit nga KSHR, dhe më pas përcjellja e tij për miratim në Kryeministri.
Në konkluzionin e përgjithshëm auditi zbulon se mungon në mënyrë të dokumentuar evidentimi i burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet publike e shtetërore. Gjithashtu nuk është dokumentuar plotësisht ndjekja e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për bashkitë, për trajtimin e banorëve që kanë humbur familjarëtose kanë mbetur të pastrehë.
Meri Lika audituese ligjore: Si ka mundësi që dy institucione publike që të gjitha veprimet e tyre dhe procedurat të tëra të administruara në një strukturë, që e administron AKSHI dhe të kenë përplasje? Shteti ka çdo të dhënë për cdo individ, e jo më për institucionet publike që të kenë mangësi në bashkëpunim me njëri tjetrin. Më duket absurde në kohën e teknologjisë.”

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur për shkak të mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe duke krijuar një ngërç të rëndë për qytetarët e prekur.
Problemi kryesor është se FSHZH nuk ka pasur një bashkëpunim të mjaftueshëm me Autoritetin Rrugor Shqiptar para hapjes së tenderave dhe ndërtimit të shtëpive, duke bërë që këto investime të kthehen në një humbje totale për shtetin dhe qytetarët.
Meri Lika audituese ligjore: “Dëmi ekonomik ka në qendër individin sepse dëmi në buxhet ose në forma të ndryshme të tjera dëmton individin sepse Buxheti i Shtetit është e ardhur nga taksapaguasit shqiptar . Çdo e ardhur që hyn në buxhetin e shtetit është një e ardhur që u është marrë individëve dhe qytetarëve të vendit.” Tenderat tek ne nuk është se kanë shpëtuar nga korrrupsioni apo nga mënyrat e përfitimit. Këtë e tregojnë edhe çmimet shumë të larta të tenderave si Sterilizimi, Chek up apo edhe tendera të tjerë, që kanë kosto më të lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit apo edhe në Europë. Prandaj për mua kur dalin me flamur të kuq do të thotë që ka problem.
Një familje shqiptare i duhen të pakten 30 vite për të blerë një banesë pasi niveli i kursimit është shumë i ulët si shkak i çmimeve të larta që tek produktet e shportës dhe më pas të atyre më pak të domosdoshëm.
Shqipëria renditet e treta më e shtrenjtë në Europë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke në Indeksin e Çmimit të Pasurive të Paluajtshme. Të dhënat janë publikuar nga Numbeo, i cili është portali më i madh i të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetesës.
Treguesi kryesor është raporti i çmimit të shtëpive me të ardhurat e individëve, i cili bën matjen e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti dhe shprehet në vite të ardhurash. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie.
Ervin Dermixhiu ekspert imobiliar: “Çmimi i banesave u bë vite që ka një trend goxha rritës, sidomos këto 2 ose 3 vitet e fundit ka pasur një kurbë rritëse shumë të lartë. Kjo vjen si pasojë e kërkesave dhe si rezultat kemi këto çmime që janë shumë të larta.”

Edhe e drejta kushtetuese mbi pronën nuk është e garantuar edhe në rast se qytetarët sakrifikojnë dhe kursejnë fati i së nesërmes është i pasigurt.
Historia e Mustafa Kabili është vetëm një nga shumë raste që tregojnë dështimin e institucioneve shtetërore për bashkëpunimin institucional, kosto e cila përkthehet në mungesën e mbështetjes për qytetarët që kanë nevojë për përkrahje.
(BalkanWeb)