Rritja e çmimeve ka rritur edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit buxhetin e shtetit. Vetëm për katër muaj në arkën e qeverisë kanë hyrë 284 milion euro më shumë së sa e njëjta periudhë e një viti më parë, dhe gati 100 milionë euro më shumë se sa plani i buxhetit 2022. Por këto para duket se nuk po shkojnë për të mbështetur shtresat e prekura nga rritja e fortë e çmimeve.

Agjencitë qeveritare po hapin lumë tenderash nga më të çuditshmit për shërbime që nuk kanë të bëjnë fare për përballimin e krizës.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj po prokuron gati 18 milionë euro brenda pak muajsh për përmirësime shërbimesh elektronike. Skema e preferuar nga AKSHI është nëpërmjet procedurave teknike, të cilat kuptohen pak ose aspak nga publiku i gjerë. Më 20 maj kjo agjenci ka hapur një tender rreth 3 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjobave të policisë rrugore, integrimi me radarët e shpejtësisë, dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit.

Se sa e domosdoshme është një ndërhyrje e tillë nuk saktësohet në dokumentet e tenderit, por e sigurt është që aktualisht çdo polic rrugor e mëson në kohë reale sa gjoba ka secila targë pa pasur nevojë për këto përmirësime me vlerë 3 milionë euro.

Ndërkohë përmes një tenderi të hapur më 17 maj, do të shpenzohen rreth 820 mijë  lekë për sistemin e hartës digjitale për hapësirat publike të mbuluara me kamera sigurie në rang vendi. Por nuk mbaron këtu, pasi AKSHI ka menduar të shpenzojë 1,5 milionë euro të tjera, për përmirësimin e regjistrit elektronik të vaksinimit, për Institutin e Shëndetit Publik. Tenderi është hapur më 16 maj, ndërkohë një sistem i tillë në ISHP është instaluar dhe është aktiv që në vitin 2011. Seria e tenderave të agjencisë së drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, vazhdon me prokurimin prej 960 mijë euro të hapur më 12 maj për përmirësimin e sistemit të regjistrimit të targave te huaja.

Në 4 maj është hapur tenderi prej 1,7 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjendjes civile, ndërsa në 29 prill është hapur tenderi prej 1,4 milionë për sistemin elektronik të menaxhimit të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgje. Prokurimet vijojnë me tenderin e shpallur më 26 prill nga AKSHI me vlerë 1,1 milion euro për “Përmirësimin e sistemit LIMS”, për Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Po më 26 prill është hapur një tjetër tender i majmë prej 2,2 milionë euro për “Ngritjen e Qendrës së operimit dhe monitorimit e-Gov”. Në 24 mars AKSHI ka çelur tenderin mbi 1,3 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit Informatikë të Menaxhimit Financiar, ndërsa 16 shkurti ka qenë data e hapjes së tenderit rreth 1,2 milionë euro për  “Përmirësimin e sistemit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”. Mes këtyre tenderash ka edhe prokurime të tjera nën 1 milion euro të zhvilluara nga AKSHI duke e çuar totalin e faturës nga shkurti në maj në gati 18 milionë euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb