Pjesa e Dytë/ Në Shënjestër
Por ndërsa grupi hetues ishte në përpjekje të ngutshme për të zbardhur pengmarrjen e 2 Tetorit, ata u investuan edhe te e shkuara e vëllezërve Beqiraj. Që në mos ishin vrasës me pagesë duket se kishin dijeni apo ishin bashkëpunëtorë në vrasje të tjera të kryera në dy vitet e fundit, në aksin Tiranë-Durrës.

2-Por që na krijon edhe një tablo të trishtë, pse këta të rinj i futen rrugës së krimit.
Të rinj që vijnë nga familje të margjinalizuara, me të ardhura të pakta ekonomike, që të vetmen mundësi shpëtimi, duket se kanë gjetur rrugën dhe paratë që u jepen nga grupet kriminale.
Të cilët piketohen dhe më pas rekrutohen pikërisht për shkak të gjendjes së tyre të mjeruar ekonomike.
Dëshmia në polici e Indrit Beqirajt
Unë banoj në lagjen Nr.10 Durrës, me vëllain tim Gentjan Beqiraj. Nëna na ka vdekur para 15 vitesh dhe babai jeton në Greqi. Banesa është e rrënuar dhe gati e pabanueshme, por aty jetojmë. Jemi të papunë dhe pa asnjë të ardhur për momentin. Herë pas here babai na dërgon para.

3-Kryesisht rri me vëllain tim dhe nuk kam shokë. Kemi një motor të blerë nga Kreshnik Kuçi, komshiu ynë.
Por ndërsa tregonin këto detaje mjerane të jetës së tyre, grupi hetues kuptoi përmes rreshtave të rrëfimeve të vëllezërve Beqiraj, se përfshirja e tyre në porositë e grupeve kriminale ishte më e gjerë, se detajet ordinere të një zënke rruge të përfunduar në pengmarrje.
Menjëherë pas episodit me ‘Rrumin’, ata treguan edhe krime të tjera për të cilat kishin dijeni.
Por pa pranuar asnjëherë se ata kishin qëlluar.
I tillë, duket se ishte edhe zbulimi që ata do i bënin masakrës së ‘Don Boskos’ në kryeqytet.
Ngjarje e ndodhur më 4 janar 2022.
Një nga lagjet më të populluara të Tiranës.
Masakër ku u vra pafajësisht Erjon Çela.

4-Një shitës ambulant produktesh duhani. Dhe u plagosën tre persona të tjerë, të cilët ishin ulur në kafe ‘Focus’, kur u qëlluan me batare plumbash, nga një makinë në lëvizje.
Ngjarje, ku u mendua se objektivi i atentatit ishte e shkuara e errët e njërit prej personave të ulur në tavolinë. Por, që rrëfimet e vëllezërve Beqiraj, treguan se shënjestra ishte dikush tjetër. Dhe se autori kishte ngatërruar objektiv. Ata zbuluan, se objektivi i vërtetë i atentatit të ‘Don Boskos’ ishte, Geron Hasanbelli. Dhe se porositësi i vrasjes ishte, Kasandër Noga. Të dy këta, personazhe, në një përplasje të gjatë, gati 22 vjeçare.

5-Por që pavarësisht plumbave të shumtë që kishin derdhur, nuk kishin mundur të eleminonin njëri-tjetrin. Sipas rrëfimit që Indrit Beqiraj, bëri përpara grupit hetues, i pari që e kontaktoi për të vrarë Geron Hasanbellin, ishte Ilirjan Feçi, i cili sot, ndodhet në pritje të dënimit, në burgun e Peqinit, pas atentatit të dështuar në Lezhë, më 17 gusht 2021, ndaj Albert Gjokës. “Kishte kaluar një muaj nga fundi i gushtit kur Ilirjani më takoi tek lokal ‘Varka’ në Durrës. Ai erdhi së bashku me një person tjetër që nuk e njihja dhe më ofroi shumën 100 000 euro për të vrarë shtetasin Geron Hasanbelli.

Emrin ma tha më vonë kur mora punën përsipër. Geron Hasanbellin e njoh si fytyrë sepse ma ka treguar Ilirjani në foto. Ai më ka thënë se këtë shtetas ka dashur ai ta vrasë bashkë me Alban Skonjën dhe Kevin Zenelin i cili mbiemrin e tij në fakt e ka Suçi.”, pohoi Indrit Beqiraj. Kevin Zeneli apo Suçi, që në fakt, rezulton të jetë një i afërm i Kasandër Nogës, i cili, mesa duket nuk kishte besim te askush tjetër për mbylljen e këtij hesapi me Hasanbellit. Fakt që konfirmohet edhe nga Indrit Beqiraj, i cili tha për grupin hetues se vrasjen e Geron Hasanbellit do ta kryenin për llogari të Kasandër Nogës, i cili, edhe pse në Belgjikë, vazhdonte të kishte llogari të pambyllura me vëllezërit Hasanbelli.

7-Por ndërkohë mesa duket Kasandër Noga vazhdonte të kishte lidhje të fuqishme në Shqipëri.
Dhe të ishte në ndjekje të kundërshtarëve të tij. “Ilirjani më tha se e kishin ndjekur disa herë Geronin me motor, por u kishte ikur. Këtë vrasje ata do ta bënin për llogari të Kasandër Nogës. I gjendur në kushte të vështira ekonomike dhe pa para e pranova atë punë pa e menduar fare. Ilirjani dhe Kevini mësuan se Geron Hasanbelli qëndronte në Tiranë në zonën e ‘Don Boskos’, në një lokal që quhej ‘Focus’. Kevini më dha 2 000 euro që të merrja një banesë me qera në Tiranë afër zonës ‘Jordan Misja’.”, tha Indrit Beqiraj.

8-Aty kemi qëndruar një muaj. Dhjetë ditët e para kemi shkuar pranë lokal ‘Focus’ dhe kemi qëndruar në një lokal tjetër aty përbri.

Gjatë këtyre dhjetë ditëve bashkë me ne vinte çdo ditë Ilirjani dhe Kevini. Geroni vinte aty rreth orës 17.30.
Por ndërsa prisnin që të kryenin atentatin, duket se diçka shkoi keq. Çuditërisht, Geron Hasanbelli, nuk u shfaq më në lokalin ku rrinte zakonisht. Çka rriti dyshimin te atentatorët. “Ilrijani më kërkoi me insistim ta realizonim sa më parë punën. Atë ditë pritëm që Geroni të vinte, por ai nuk erdhi. Dyshuam se tradhtari ishte Ilirjan Feçi, pasi ai kishte një shok në Fier me emrin Platon, shok i Ben Qimes, që njihte Geron Hasanbellin.
Për ta larguar, i kemi thënë Ilirjanit që e kemi mbyllur këtë punë.”, tha Beqiraj. Por ndërsa Geron Hasanbelli nuk u duk më në lokalin ku pinte zakonisht kafenë e pasdites, urdhëri që erdhi nga Belgjika, ishte eleminimi i nipave të tij.

“Kevini më pas na dha dy armë. Njëra ishte manovër, por që ishte përshtatur dhe ishte kthyer në armë funksionale. Geronin nuk e pamë më, por pamë nipat e tij. Kevini foli me Kasandër Nogën dhe i tregoi situatën. Ky i fundit i tha meqë nuk po gjeni Geronin, vrisni nipat. Kështu që ne kemi ndjekur nipat e tij, ku për secilin Kasandër Noga na tha se do të jepte shumën prej 50 000 eurosh. Pasi nuk e realizuam dot vrasjen jemi kthyer në Durrës. Për të justifikuar faktin që nuk arrita të kryeja punën, kam qëlluar me armën pistoletë tek banesa ime, duke u kapur tek preteksti se më kishte ngelur predha brenda.”, shtoi Beqiraj.

Por ndërsa thotë se ai hoqi dorë përfundimisht nga ekzekutimi i Geron Hasanbellit dhe nipave të tij, më 4 janar 2022, Kevin Zeneli (Suçi) thuhet se kreu masakrën e ‘Don Boskos’. Ku gabimisht u ngatërrua objektivi. Indrit Beqiraj, e kuptoi që pas masakrës së Don Boskos, fshihej Kevin Zeneli (Suçi), pasi ai pa në lajme makinën e krimit, e cila ishte përdorur nga po ai vetë dhe Kevini, për të ndjekur gjatë kësaj kohe një tjetër objektiv, me qëllim eliminimin e tij. Ndërkohë që Kasandër Noga në Belgjikë, nuk dukej fare i kënaqur nga ajo që kishte ndodhur. Ky objektiv që paralelisht po ndiqej, siç do të shikohet edhe më poshtë, do të ishte Arben Mërkuri, apo i njohur ndryshe si Maneci.

“Më 4 Janar 2022, ndodhi ngjarja në Don Bosko në lokal ‘Focus’, ku u qëllua me armë dhe u vra një person dhe u plagosën disa të tjerë. Gjatë kësaj kohe pashë në lajme makinën që më kishin sjellë mua për të vrarë Manecin.
Dhe që Kevini ma mori pa më lajmëruar. E telefonova Kevinin, por nuk ma hapi telefonin.
Më 6 Janar 2022, Kevini më telefonoi dhe më kërkoi një test Covidi për të kaluar kufirin, të cilin ia bëra në Durrës tek një laborator.

E nxora Kevinin tek ura e Dajlanit në këmbë dhe gjatë kësaj rruge e pyeta për punën e Don Boskos dhe i thashë se çfarë u bë, pse u gabua objektivi, sepse u vra tjetër për tjetër. Kevini u largua në drejtim të Kroacisë pastaj Gjermanisë dhe në dijeninë time është takuar me Kasandër Nogën i cili i ka kërkuar llogari për ngjarjen në Don Bosko.”, shtoi Beqiraj. Por siç e theksuam edhe më lart, para se të kryhej masakra e Don Boskos, me një të vrarë dhe tre të plagosur, dhe dështimi për të vrarë Geron Hasanbellin, Kasandër Noga u përqëndrua te vrasja e një tjetër armiku të tij.

13-Një objektiv që dukej më i mundshëm për t’u eleminuar. Ku edhe këtë herë Kevin Suçi do të thërriste në armë vëllezërit Beqiraj. Por që Indrit Beqiraj tha përpara grupit hetues, se edhe në këtë ngjarje, ai u tërhoq,
“Kevini iku në Kroaci dhe kur u kthye më tha se kishte marrë një punë tjetër për të vrarë Arben Mërkurin, por që nuk ia dinte emrin dhe i thoshte Maneci. Kemi shkuar disa herë në Sukth me makina të marra me qera tek Arlind Boshku, i cili mi sillte makinat pasi komunikoja në telefon me punëtorin e tij. Kevini vinte nga Tirana dhe takoheshim në Durrës tek lokal ‘Fontana’ përballë trenit që e administron një grua. Pastaj lëviznim drejt Sukthit për të parë se ku ishte vendi më i mirë që të prisnim Benin, me qëllim për ta vrarë. Zakonisht në Sukth shkonim të tre, unë, vëllai im dhe Kevini. Ne na ishte thënë që Beni rrinte në një lokal ne Sallmone, më zonën e Katund Sukthit. Kur kemi shkuar, nuk e kemi gjetur dhe na thonin që kishte lëvizur. Në një bisedë me Kevinin na tha që për këtë vrasje do të paguheshim 150 000 euro. Personi që fliste me Kevinin kishte pseudonimin “Katunari” dhe ishte i zonës. Nuk e di kush është personi që e kishte porositur këtë vrasje.”, pohoi Beqiraj.

15-Sipas Kevinit, Arbeni dyshohej për vrasjen e një të afërmi të këtij personi. Më kërkuan të qëlloja ndaj Benit me pistoletë, por unë refuzova dhe kërkova që të më gjenin një automatik. Nuk ma gjeti dot automatikun dhe e kam gjetur vetë tek Armando Daka të cilit ia kam marrë pa i dhënë asnjë para dhe i kam thënë që më duhej për një punë. Armën automatik e kam çuar në shtëpi. Nuk kishte shënjestër, pasi i ishte prerë tyta. Nuk qëlloja dot nga motori me automatik, kështu që më siguruan një makinë Benz E Class blu me targa suedeze. Sipas Indrit Beqiraj atij i ishte lënë si afat kohor për të vrarë Arben Mërkurin, pa u mbyllur viti kalendarik 2021.

16- Por që nuk kishte mundur ta bënte një gjë të tillë
“Kam ardhur bashkë me vëllain dhe Kevinin në Tiranë, ku kemi qëndruar në shtëpinë që Kevini kishte marrë me qira tek ‘Vilat Gjermane’. Ne lëviznim përpara me makinën që Kevini kishte marrë me qira. Ndërsa ai vinte pas nesh. Kjo për t’i treguar atij, gjatë gjithë rrugës se ku kishte policë. Fillimisht Kevini shprehu gadishmërinë që të vinte me ne si shofer, ndërsa më pas u tërhoq dhe më kërkoi mua të gjeja shofer. Nuk gjeta shofer dhe nuk e realizova punën. Punën e Manecit e kisha për ta realizuar deri më datë 31 Dhjetor 2021 dhe gjatë kësaj kohe e kam ruajtur dhe tek banesa. Atë nuk e kam parë. Kam pikasur vetëm djalin e tij që blinte ilaçe tek farmacia.”, tha Beqiraj. Arben Mërkuri, apo i njohur ndryshe si Maneci, u vra mbrëmjen e 18 majit 2022, në qendër të Sukthit.
Ai u qëllua brenda dyqanit të tij.

Në atë kohë dëshmitarët thanë se një makinë tip ‘Benz’ ndaloi përpara biznesit të tij.
Dhe nga aty doli një person, që qëlloi me breshëri kallashnikovi ndaj Mërkurit që mbante edhe mbiemrin Ismaili.
Vrasja e Manecit thuhet se u pagua nga Kasandër Noga. Por autori që shkrepi armën nuk u mor vesh kurrë. Kasandër Noga, dyshohet se porositi vrasjen e Manecit, si hakmarrje për vrasjen e mikut të tij Juxhin Dautaj.
18-Pasi mendohet, se Maneci kishte gisht në ekzekutimin e Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj.
Ekzekutim i kryer mesditën e 25 prillit 2017.

Në mbikalimin e Sukthit. Pasi thuhet se Kasandër Noga e kishte mik për kokë, Juxhin Dautaj. Ku, ky i fundit e thërriste Nogën, ‘Dajë’ Çka duket se Kasandër Noga, nuk ia fali Manecit, gjakun e mikut të tij, Juxhin Dautaj. Ngjarje, që siç e theksuam, humbi jetën edhe Ervin Dalipaj, ish-oficer policie, i cili kishte kohë që qëndronte në arrati. Pasi ndaj tij kishte një akuzë zyrtare për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut, i cili u gjet i lidhur dhe i vrarë mëngjesin e datës 6 janar 2016 në fshatin Murqim të Krujës.

19-Maneci, që njihej edhe si krahu i djathtë i biznesmenit Xhevdet Troplini, i njohur me nofkën ‘Poja’. Por që kishte lidhje te forta edhe me grupin e Avdylaj ne Shijak, tw cilwt dalin edhe nw pwrgjime me ish kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, në dosjen e bujshme ‘339’. Maneci, që ndërkohë dyshohej se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e Edmond Koçit, i njohur ndryshe si Mond Çekiçi.

Lidhje e Plarent Dervishaj, një tjetër eksponenti të krimit në Durrës, që sot jeton në Dubai. I cili u vra në një pritë në Durrës, më 20 mars 2021. Përpara lokalit ku pinte zakonisht kafenë e mëngjesit.
20-Por ndërkohë që nuk gjeti në Tiranë për të vrarë Geron Hasanbellin dhe nipat e tij, fill pas vrasjes së Arben Mërkurit, Kasandër Noga, gjeti dhe plagosi në Bruksel, Erion Hasanbellin. Ngjarje e cila u shënua më 12 qershor 2022, përballë një hoteli në kryeqytetin belg. Erion Hasanbelli, që mbante gjeneralitetet e rreme, Mikel Rakipllari, i cili edhe në këtë ngjarje, pavarësisht se u plagos rëndë, mundi të shpëtojë pa humbur jetë. Ndërkohë që për këtë ngjarje, policia belge shpalli në kërkim Kevin Suçin, njeriun e Kasandër Nogës. Ndërsa ky i fundit, u arrestua vetëm pak kohë më pas në një lagje të Vienës, nga policia austriake, në përpjekje për t’u larguar nga vendi.

21-Por gjatë kohës që ndodhnin ngjarjet e Don Boskos dhe vrasja e Manecit, Indrit Beqiraj, thotë se ai vazhdonte të merrte porosi për vrasje të reja. Por edhe në këto ngjarje ai nuk pranon në ndonjë rast të ketë shkelur këmbëzën e armës. Një nga këto raste që ai tregon është edhe ajo e një efektivi të burgjeve. I cili i dha një shumë parash për të eleminuar dy vëllezër, të cilët sipas tij i kishin rënë keq në qafë. Ngjarje e cila tregon edhe përfshirjen e policisë apo edhe ushtarakëve në grupe apo ngjarje kriminale. Siç ishte edhe rasti i ushtarakut, Altin Celami. I cili u arrestua në kuadër të operacionit, ‘Porositësi’ pas rrëfimeve të vëllezërve Beqiraj.

22-Ku Celami del se u siguronte armë, vrasësve me pagesë. “Unë qëndrova i mbyllur derisa Kasandri ra në burg dhe Arben Mërkuri u vra nga persona që nuk i njoh. Gjatë kësaj periudhës që qëndrova i mbyllur më është afruar shtetasi Flamur Bejko që quhet edhe Mul Cami, polic tek burgu në Durrës. Ai kishte një problem me dy vëllezër nga Çezma e Ferrës, të cilët e kishin rrahur, dhe më kërkonte që ti dëmtoja. Për këtë gjatë muajit nëntor 2021, më dha 1 500 euro për të blerë një pistoletë. Unë e bleva pistoletën. Ai nuk e mori, por ma la mua. Muli më ka treguar banesën ku jetojnë këto dy djemtë, pas Drejtorisë së Policisë Durrës. Sipas Mulit ata i kishin borxh një shumë parash, por nuk ia kishin dhënë paratë.”, tha Indrit Beqiraj.

Kur ai kishte shkuar te një lokal ku rrinin vëllezërit, tek ish ‘Fabrika e Bukës’ ata e kishin rrahur dhe i kishin marrë armën e shërbimit. Pistoletën ia kishin kthyer më pas. Sipas Indrit Beqiraj, atentati për të eliminuar vëllezërit, ishte menduar të kryhej me eksploziv. Por edhe në këtë rast, ai u tërhoq në momentin e fundit, duke u kursyer jetën dy vëllezërve.

“Gjatë kohës që po bisedoja me Mulin, njoha nga Përparim Guza edhe Pëllumb Hoxhën dhe Jeti Hoxhën. Ku njëri është nga Fushë- Kruja dhe tjetri nga Bulqiza. Ata më sollën një sasi tritoli. Tritolin e herës së parë e kam shitur tek shtetasi Aldo Mamaqi për 2 500 euro. Në rastin e parë unë i thashë Mulit që tritolin vëllezërve t’ua vendosim atyre tek banesa. Në fakt e gënjeva, pasi unë tritolin e kisha shitur. Ndërsa Mulit i thashë se nuk plasi. Jeti më solli edhe 4 kilogramë të tjerë. U shkëputa nga Muli me justifikimin nuk do e bëja dot punën, po në fakt nuk merresha fare me atë.”, shtoi Beqiraj. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ ekzekutimet me pagesë në aksin Tiranë-Durrës, mendohet se varionin nga 50 deri në 150 mijë euro.
Ndërkohë që deri më tani, policia ka arrestuar 14 persona në lidhje me dëshmitë e vëllezërve Beqiraj.

Vëllezërit, të cilët tani kanë në dorë hapjen e kutisë së pandorës në Durrës. Rrëfimet e të cilëve mund të shpluhurosin dosjet e fjetura të vrasjeve në këtë qytet. 25-Dhe mund të çojnë drejt hekurave, personazhe deri tani të konsideruar të paprekshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb