Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputeti Musa Ulqini dhe Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, ishin në fshatrat Turbull dhe Gjinuk, ku inspektuan përfundimin e punimeve ndërsa biseduan edhe me banorët të cilët prej shumë kohësh i kërkonin këto investime.

“Belshi është modeli ynë i zhvillimit rural. Pas përfundimit të akseve kryesore, që janë arteria e zhvillimit të Belshit, tashmë jemi në fazën përfundimtare, atë të sistemimit dhe asfaltimit të rrugëve brenda fshatrave. Këto dy fshatra, që kanë përfunduar, janë pjesë e një projekti të madh që do të vazhdojë edhe në fshatra të tjerë, sepse qëllimi ynë është, që zhvillimi i agroturimit në zonën e Belshit, të bashkëshoqërohet edhe me vijimin e investimeve në çdo fshat.

Ne do të gjendemi pranë çdo fshati të Belshit sepse mendojmë që kjo zonë po merr një rëndësi përsa i përket zhvillimit të turizmit rural. Ftoj çdo shqiptar të vizitojë këtë destinacion të rëndësishëm turistik”, u shpreh Balla.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Tafani, në fjalën e tij tha se projekti nuk do të ndalet, por do të vijojë në çdo fshat të Belshit.

“Sapo kemi përfunduar asfaltimin e 800 m rrugë të brendshmë të fshatrave. Pas projektit të rikonstruksionit të Dumresë dhe pas përfundimit të segmentit rrugor Cerrik-Urë Vajgurore, bashkia po punon për zbatimin e projektit të sistemimit dhe asfaltimit të rrugëve të brendshme të fshatrave. Këtu jemi në Turbull dhe projekti vazhdon në disa fshatra të tjerë.”

Për banorët e fshtrave rruga nuk është vetëm një mundësi më e mirë lëvizje, por mundësi zhvillimi duke nisur nga dalja e produkteve bujqësore në treg më shpejt e me më pak kosto, e deri tek zhvillimi i agoturizmit, që duket se është një perspektivë e qartë për fshatrat e Dumresë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb