‘Shqipëria ndërmjet lindjes dhe perëndimit’ ishte fokusi i emisionit ‘Pikat mbi i’ në ‘News24’.

Analisti Artur Zheji dhe avokati Sparta Ngjela sollën në vëmendje vizitën e presidentit turk Erdogan dhe investimet e tij në vend.

Për Zhejin personalizimi i marrëdhënieve përtej funksioneve qeveritare, nuk i bën mirë imazhit të Shqipërisë.

Gjithashtu ai u shpreh se investimet turke në Serbi janë shumë të larta në Serbi se sa në Shqipëri.

Nga ana e tij avokati Ngjela tha se Shqipëria nuk ka infrastrukturën e duhur për të bërë investime të mëdha.

Pjesë nga biseda në studio:

Zheji: Investimet turke në Serbi janë shumë më të mëdha së në Serbi.  Mendoj që edhe Vuçiç edhe Rama kanë një sindromë aventure për të bërë një politikë përtej vendeve të tyre. Erdogan nuk ka ftesa në perëndim, për shkak se ka zgjedhur një rrugë kritike ndaj perëndimit dhe ata kanë atë protokollin e ftohtë. Kjo rrit nga njëra kompleksin e një fuqie të madhe dhe nga ana tjetër sheh strategji të tjera.

Ngjela: Në këtë marrëdhënie të re , të miqësisë me Erdogan unë e kam goditur Ramën deri para 20 ditësh sepse nuk është shumë pro politikës amerikane. Nuk është çudi që mund ta ketë në influencën e Uashingtonit, por miqësia shqiptare –turke ekziston objektivisht , do apo jo politika. Erdogan e do me ço kusht miqësinë me Shqipërinë. Por politika është interes.

Zheji: Unë nuk dua një Shqipëri mesjetare. Nuk mund të marrësh vendim si kryeministër të kthesh Shqipërinë në mesjetë.

Ngjela: Unë nuk përjashtoj një kryeministër që të bëjë politikë kundrejt votimit. Ai është në votim, ai këtë e bën për vota dhe ka të drejtë sepse kështu është politika. Por a do të jetë Rama i aftë të lejojë hapjen e shkollave turke në Shqipëri? Kryeministri shqiptar meqë ka një rritje të kapitalit turk në Turqi do të kërkojë hapjen e shkollave shqipe në Turqi dhe nëse e kërkon a do e pranojë Erdogan? Nuk mundet. Asnjë kryetar shteti , asnjë kryeministër shqiptar apo sistem politik nuk është shprehur, veçse për miqësi të madhe. Gjithë politika shqiptare e ka pranuar këtë dhe Rama nuk ka si del jashtë precedentit dhe precedentin e kanë hapur të tjerët. Por në momentet që ka pasur një shtet laik, ka dalë një kryeministër i cili ka karakter fetar…Ne na konvenon që na ndihmoi në një moment të vështirë, pa interes nuk ka ndihmuar, unë thash është për vota, por nëse e ka në natyrë, bravo i qoftë. Edhe investimet turke në Serbi varen nga kapitali, Shqipëria nuk ka infrastrukturë për investime të mëdha, këtu nuk ka projekte. Edhe ato që ishin këta i kanë shkatërruar .

Zheji: Personalizimi i marrëdhënieve përtej funksioneve qeveritare nuk më pëlqen. Nuk mundet një president i një vendi tjetër të bëjë fushatë elektorale, të ndërtojë spitalin para zgjedhjeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb