Bizneset Italiane që operojnë në Shqipëri shprehin shqetësim për përkeqësimin progresiv të klimës së biznesit në vend që sipas tyre është rënduar edhe më shumë vitet e fundit. Në një deklaratë për mediat dhoma e tregtisë Italiane dhe shoqata e industrialistëve Italian në Shqipëri teksa bëjnë një analizë të shifrave të publikuara së fundmi nga INSTAT thonë se një rritje ekonomike prej 2.31% nuk mund të konsiderohet e kënaqshme dhe as e mjaftueshme për të gjeneruar vende të reja pune.

‘Sipas parashikimeve të Qeverisë, rritja do të duhej të ishte 4,3% në vitin 2019 dhe 4,4% për 2020-ën. Parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar që ishin më të moderuara u ripanë më pas në ulje 2,9% për vitin 2019. Prej disa tremujorësh tashmë, ekonomia shqiptare nuk po rritet me një ritëm që të mund të çojë drejt rritjes së punësimit dhe përmirësimit të pagave’

Një tjetër shqetësim i biznesit Italian në vend është edhe për mungesën e profesionalizmit nga ana e  administratës publike.  Sipas tyre biznesi has vështirësi në marrjen shpejt të një zgjidhjeje.

‘Funksionimi i administrates publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset. Biznesi has vështirësi të dukshme në gjetjen e bashkëbiseduesve kompetentë dhe vetëm rrallë herë merr përgjigjet e duhura’

Këto pengesa sipas investitorëve Italian jo vetëm  shtojnë mosbesimin e atyre  që operojnë në Shqipëri por pengojnë edhe thithjen e investitorëve të tjerë të huaj.  sipas tyre debatet politike shmangin analizën e problemeve thelbësore me ekonominë.

‘Vëmendja e institucioneve duket se përqëndrohet vetëm në debatet politike, pa u thelluar në analizën e shkaqeve të vërteta të ngadalësimit ekonomik dhe të klimës në rritje të humbjes së besimit që duket ka përfshirë të gjithë sipërmarrësit, duke preferuar, në vend të kësaj, të gjendet faji tek ndikimi i faktorëve të jashtëm’

Ndaj dhoma e tregtisë italiane në shqipëri dhe shoqata e industrialistëve italian I kërkojnë qeverisë të angazhohet për ti dhënë siguri biznesit me qëllim rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës duke frenuar kështu largimin e të rinjve nga vendi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb