Sezoni i Lazio-s në “Seria A” është vlerësuar pozitivisht përgjatë gjithë javëve, por skuadra kryeqytetase do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme të dielën kundër Interit, pikërisht në përballjen e fundit që rezervon ky sezon.

Për të arritur në këtë pikë kontribut të madh kanë dhënë edhe dy shqiptarët, Igli Tare si drejtor sportiv i skuadrës dhe Thomas Strakosha si portieri i parë i ekipit.

Në një intervistë për ‘RTSH’, trajneri i Lazio-s, Simone Inzaghi, ka folur për Taren dhe Strakoshën, por nuk ka harruar të përmende as Berishën, portierin shqiptar i cili u transferua te Atalanta.

“Gjatë jetës time kam pasur mundësinë të njoh shumë sportistë shqiptarë, të cilët i kam pasur edhe në skuadër. Igli Tare ishte shoku im i skuadrës dhe tashmë është drejtori im. Kam patur Berishën dhe tashmë Strakoshën në drejtim. Kam njohur edhe Canën, mund të them se të gjithë janë profesionistë të vërtet.

Me Taren jam mik prej shumë kohësh dhe tashmë punojmë bashkë. Si drejtor sportiv është shumë i zoti dhe këtë e kemi parë të gjithë. Lazio po konkurron me skuadrat më të mira italiane dhe kjo falë ideve dhe zgjedhjeve të tij, të cilat kanë me një kosto shumë të vogël.

Strakoshën kam patur fatin ta njoh kur stërvisja të rinjtë dhe i kam njohur aftësitë e tij. Fillimisht Marketi ishte portieri i parë, ndërsa Berisha nuk pranoj të qëndronte si alternativë e dytë. Kështu Strakosha u kthye në portierin e dytë, ndërsa sapo Marketi pësoi dëmtimin që e la jashtë fushës së blertë, unë besova te Strakosha. Ai ma shpërbleu besimin dhe mund të them se përveçse një portieri i madh, ai është edhe një njeri i tillë”, ka thënë Inzagi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb