Simone Inzaghi është në një nga momentet më kritike të tij, por nuk po përjeton sulme vetëm nga tifozët, por edhe nga ish-lojtarët. Mattias Vecino, sot lojtar i Lazios pas transferimit me parametra zero, nuk e ka kursyer aspak ish-trajnerin e tij, që nuk i besoi sezonin e shkuar.

Uruguajani e ka nisur mjaft mirë nën urdhrat e Sarrit dhe ndërsa është protagonist i bardhekaltërve edhe me golin në Europa League, ka gjetur kohën për të sulmuar teknikun zikaltër.

“Unë qëndrova vitin e fundit tek Inter, sepse Inzaghi më kishte premtuar se do të isha një lojtar i rëndësishëm dhe do të kisha minutat e mia në dispozicion, por nuk rezultoi kështu. I mashtruar? Mund ta quajmë”, – u shpreh 30-vjeçari.

Vlen të theksohet se Vecino ka qenë njeriu “Champions” i Inter, kur i dha kualifikimin në atë kompeticion në vitin 2018 ndaj Lazios dhe në fazën e grupeve ndaj Tottenham në sezonin 2018/2019 kur zikaltërit fituan me përmbysje 2-1 dhe realizimi i uruguajanit ishte vendimtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb