TIRANË- Nga 5 mijë kontrolle të ushtruara nga Inspektoriati Qendror Teknik në pikat e karburanteve në të gjithë vendin, 220 kanë rezultuar se tregtojnë karburant jashtë standardeve të cilësisë.

Kryeinspektorja e IQT, Ejana Xhixha, u shpreh të hënën se janë marrë rreth 5000 mostra prej të cilave mbi 220 kanë rezultuar se tregtojnë karburant jashtë standardeve të cilësisë. Ndaj tyre janë marrë masa që nga ndëshkimi me gjobë që varion nga 100 000 në 2 000 000 lekë, deri në pezullim të aktivitetit apo revokim të licencës.

“Nga 281 penalizime, 220 kishin probleme me cilësinë, kurse 61 probleme dokumentare. Janë propozuar 39 raste për pezullim license, 4 prej të cilave u është revokuar licensa përfundimisht, do t’i publikojmë shumë shpejt”, theksoi Xhixha.

Ajo u kërkoi qytetarëve të raportojnë pranë Inspektoriatit pikat e dyshuara prej tyre për mashtrim me cilësinë e karburantit. Xhixha thotë se po kontrollon në mënyrë të imtësishme çdo pikë furnizimi me pakicë, në Tiranë dhe rrethe.

(a.h/atsh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: