Numri i të vdekurve si pasojë e fundosjes së një trageti në lumin Trigris është rritur në 85 persona, ndërkohë raportohet edhe për dhjetra të plagosur.

Trageti mbante 170 pasagjerë për në një ishull të vogël turistik kur u fundos pranë qytetit Mosul të Irakut. Sipas zyrtarëve lokalë, ekipet e shpëtimit deri më tani kanë arritur të nxjerrin nga lumi të paktën 12 të mbijetuar.

Trupat e viktimave janë dërguar në objektet mjekësore në Mosul për analiza forenzike.

Kryeministri i Irakut, Adil Abdul-Mahdi, shpalli tre ditë zie kombëtare pas vizitës së tij në vendngjarje. Nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut njoftuan se lidhur me aksidentin nëntë persona janë arrestuar dhe janë lëshuar urdhër-arreste për pronarin e tragetit dhe ishullit turistik.

Megjithëse nuk ka ndonjë prononcim zyrtar në lidhje me aksidentin, banorët lokalë pohojnë se incidenti me gjasë ka ndodhur për shkak se në traget ndodheshin 170 persona, edhe pse mjeti i lundrimit ka një kapacitet deri në 50 persona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: