Komuniteti Jezidi në Irak i ka bërë thirrje qeverisë së Bagdadit të shpëtojë fëmijët e tyre që janë rrëmbyer nga organizata terroriste PKK, duke theksuar se anëtarët e organizatës terroriste DAESH që kanë vrarë Jezidët sot gjenden në radhët e PKK-së.

Jezidët, që jetojnë në rrethin Sinjar nën presionin e PKK-së që nga viti 2014, organizuan një demonstratë duke kërkuar që fëmijët e tyre të rrëmbyer të kthehen në shtëpitë e tyre. Familjet u përpoqën që zërat e tyre të dëgjohen nga qeveria e Bagdadit dhe Kombet e Bashkuara (OKB).

Kryetari i Këshillit të Rrethit të Sinjarit, Veysi Naif, tha  se njerëzit e këtij rrethi reaguan ndaj pranisë së PKK-së në rajon dhe se jezidët duan që PKK të hiqet nga rajoni për shkak të krimeve ndaj fëmijëve.

Duke theksuar se OKB-ja dhe qeveria e Bagdadit duhet të merren me këtë situatë sa më shpejt që të jetë e mundur, Naif tha: “PKK-ja ka rrëmbyer dhjetëra të rinj. Kjo është arsyeja pse PKK-ja duhet të hiqet nga rajoni”.

Ai theksoi organizata terroriste PKK dhe degët e saj po ashtu kanë uzurpuar kopshtet dhe tokat e popullit në Sinjar.

“Nuk lejojnë që qytetarët të mbjellin dhe korrin arat e tyre”, tha Naif, duke rikujtuar se PKK-ja që nga viti 2014 ka penguar jezidët të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Nëse nuk do të ishte prania e PKK-së, tani 80 për qind e popullit të Sinjarit do të ishin kthyer në shtëpitë e tyre. Kërkesa e popullit është që një forcë e përbashkët e përbërë nga ushtria irakiane dhe forcat e Peshmergeve të vendoset në rajon dhe që organizata të mos mbetet aty”, u shpreh Naif.

“Nuk heqim dorë nga kërkimi i fëmijëve tanë të rrëmbyer”

Sipas raportimeve të mediave lokale, në protestën në Sinjar, jezidët mbanin fotografi të fëmijëve të tyre të rrëmbyer nga PKK-ja.

Hajdar Resho, i cili tha se fëmija i tij me emrin Selami është marrë në mal nga organizata terroriste, tha se duan që qeveria qendrore e Irakut të kthejë fëmijët e tyre që janë rrëmbyer nga PKK-ja dhe degët e saj.

Ai theksoi se do të vazhdojë të protestojë derisa të bashkohet me të birin e tij.

“Nëse qeveria nuk e plotëson kërkesën tonë, ne nuk do të heqim dorë nga protestat. Ne kërkojmë të drejtën tonë. Do të protestojmë kudo që të jetë e nevojshme, qoftë në Sinjar ose ndonjë provincë tjetër. Ne jemi drejtuar edhe te Zyra e Guvarnatorit të Mosulit për fëmijët tanë. Guvernatori tha se as ata dhe as kryeministri nuk mund të sjellin të rrëmbyerit. Megjithatë, ne nuk do të ndalemi së kërkuari fëmijët tanë të rrëmbyer”, tha Resho.

Ndërkaq, nëna nga komuniteti Jezidi që protestoi së bashku me bashkëshortin, tha se fëmija i saj është rrëmbyer afërsisht para një viti.

“Nuk e di çfarë ka ndodhur me të. Kërkoj nga qeveria qendrore e Irakut që ta shpëtojë djalin tim nga PKK-ja”, tha ajo.

“Kanë kaluar 3 vjet e 3 muaj, djali im nuk është kthyer”

Një baba tjetër jezidi, djali i të cilit quhej Hazim dhe ishte rrëmbyer në mal, tha: “PKK-ja rrëmbeu djalin tim në prill të vitit 2017. Kur i pyeta për fatin e djalit tim, ata më dhanë përgjigje mashtruese duke thënë se ‘do të vijë këtë muaj’. Kanë kaluar rreth 3 vjet e 3 muaj, por djali im ende nuk është kthyer.”

Nga ana tjetër, nëna e tij që mori pjesë në protestë tha se nuk kanë asnjë informacion mbi fatin e të birit.

Anëtarët e DEASH-it që vranë Jezidët janë në radhët e PKK

Një deklaratë e përbashkët e publikuar në emër të komunitetin Jezidi në Sinjar pas demonstratës riafirmoi se prania e organizatës terroriste PKK në rajon nuk do të pranohet kurrë.

“Ne kërkojmë nga OKB-ja dhe qeveria qendrore e Irakut që të mobilizojnë të gjitha mjetet për të shpëtuar jezidët. PKK-ja duhet të largohet nga Sinjari, sepse anëtarët e DAESH-it që bënë krime të rënda humanitare kundër jezidëve tani janë në radhët e PKK. Edhe një herë bëjmë me dije se Sinjari nuk do të jetë një Kandil i dytë”, thuhet në deklaratë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb