Përderisa populli mban protesta masive në Irak, parlamenti ka ndërmarrë hapa drejt reformave përfshirë ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe heqjen e privilegjeve të caktuara të zyrtarëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas korrespodentit të AA-së, parlamenti votoi për formimin e një komisioni për të hartuar një listë të ndryshimeve dhe për dorëzimin e tyre para ligjvënësve brenda katër muajve.

Ligjvënësit po ashtu votuan për shpërbërjen e këshillave të parregullta krahinore dhe heqjen e privilegjeve të caktuara të zyrtarëve nga presidenca, parlamenti, qeveria, institucionet e pavarura, si dhe nga organet gjyqësore dhe qeveritare.

Kryetari i Parlamentit të Irakut, Mohamed al-Halbousi, po ashtu tha se janë pranuar kërkesat për të marrë në pyetje kryeministrin e vendit, Adel Abdul-Mahdi dhe katër ministra të kabinetit të tij.

Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 81 persona janë vrarë që nga e premtja e kaluar kur filloi vala e dytë e protestave kundër-qeveritare.

Vala e parë e protestave, në fillim të tetorit, la të vdekur të paktën 149 protestues dhe tetë persona nga personeli i sigurimit.

Viteve të fundit në Irak është shfaqur një rovoltë për shkak të rritjes së papunësisë dhe korrupsionit. Shumë njerëz në vend kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore, si në energjinë elektrike dhe ujin e pastër.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve në Irak është rreth 25 për qind. Sipas disa organizatave të transparencës, Iraku renditet vendi i 12-të si më i korruptuar në botë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb