Presidenti irakian, Barham Saleh propozoi sot zgjedhje të parakohshme, larg shpresave të lëvizjes së protestave që kërkon rrëzimin e regjimit pas dhunës që ka shkaktuar më shumë se 250 të vdekur.

Saleh, i cili është takuar me drejtuesit e partive që prej disa ditësh shtoi se kryeministri, Adel Abdel Mahdi ishte dakord për të dhënë dorëheqjen me kusht që partitë në Parlament të bien dakord për një zëvendësues, gjë që këta të fundit nuk po arrijnë ta bëjnë.

Abdel Mahdi, ardhur në pushtet pas zgjedhjeve legjislative të vitit 2018, propozoi të martën dorëheqjen nëse partitë binin dakord për një kryeministër të ri.

“Kushdo qoftë fati i qeverisë, do të miratoj zgjedhjet e parakohshme pas votimit të një ligji të ri zgjedhor, që do t’i paraqitet Parlamentit javën e ardhshme”, deklaroi Saleh.

Por, për Haydar Kazem, i cili manifeston në sheshin Tahrir të Bagdadit, dorëheqja e Abdel Mahdi është vetëm një pjesë e zgjidhjes sepse kemi problem me të gjitha palët në pushtet.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb