Protestuesit dje i vunë zjarrin një ndërtese qeveritare në provincën Dhi Qar që ndodhet në pjesën jugore të Irakut.

Sipas burimeve të sigurisë, një grup personash të maskuar dolën në rrugët e qendrës së qytetit të Nasiriyah për të organizuar demonstrata.

Demonstruesit më pas i vunë zjarrin zyrës së guvernatorit me koktej molotovi, thonë burimet.

Për shkak të incidentit, në qytet u shpall orë policore.

Qyteti Nasiriyah, i vendosur 350 kilometra në jug të kryeqytetit Bagdad, është i zhytur në varfëri dhe i rrënuar nga infrastruktura e dobët dhe papunësia, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Qyteti ishte bastioni kryesor i lëvizjes protestuese kundër korrupsionit.

Në vitin 2019 shpërthyen protesta masive antiqeveritare, të cilat zgjatën për muaj të tërë dhe detyruan kryeministrin e atëhershëm Adel Abdul-Mahdi të jepte dorëheqje.

Më 10 tetor 2021, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, gjatë të cilave mbështetësit e klerikut shiit Moqtada al-Sadr dolën fituesit më të mëdhenj me 73 vende në parlament.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb