Gjatë protestave antiqeveritare në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, në një sulm me thikë është vrarë një fotoreporter.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Drejtorisë së policisë në Bagdad, mësohet se ka humbur jetën fotoreporteri Ahmed el-Muhenne, si pasojë e një sulmi me thikë në sheshin El-Hallani i cili ndodhet pranë sheshit Tahrir ku vazhdojnë protestat.

Muhenne ishte duke ndjekur protestat në Bagdad. Ai u qëllua me thikë në trazirat e shënuara gjatë sulmit nga persona të paidentifikuar në sheshin El-Hallani.

Si fotoreporter lufte, Ahmed el-Muhenne ka ndjekur kryesisht zhvillimet e nxehta në rajone të ndryshme. Ai gjithashtu ka ndjekur edhe shumë zhvillime gjatë luftës kundër organizatës terroriste DEASH në Irak. Në të njëjtën kohë Muhenne që nga dita e parë ka ndjekur nga afër edhe protestat anti-qeveritare të zhvilluara në Bagdad.

Ndërkohë thuhet se fotoreporteri Zeyd Muhammed el-Hafaci është rrëmbyer dje para shtëpisë së tij nga një grup i armatosur pasi ishte kthyer nga ndjekja e protestave.

Mbrëmë të paktën 16 persona humbën jetën ndërsa 70 të tjerë u plagosën si pasojë e zjarrit të hapur nga persona të paidentifikuar drejt protestuesve në sheshin El-Hallani.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb