Irani ka autorizuar përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V, kurse dërgesa e parë pritet të mbërrijë në Teheran këtë javë.

I dërguari iranian në Moskë, Kazem Jalali, deklaroi sot se dërgesa e dytë e vaksinës ruse do të arrijë në Iran deri në fund të shkurtit.

Në fazën e dytë, vaksina do të prodhohet bashkërisht nga të dy vendet, tha Jalali, ndërsa theksoi sigurinë dhe efikasitetin e saj.

Konfirmimi së pari erdhi gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Javad Zarif në Moskë këtë javë, ku ai tha se vaksina është regjistruar në Iran pas miratimit nga autoritetet shëndetësore të vendit.

Prodhuar nga Qendra Gamaleya e Ministrisë ruse të Shëndetësisë, Sputnik V deri më tani është aprovuar për përdorim në 14 vende, edhe pse vazhdojnë diskutimet rreth saj në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Udhëheqësi Suprem i Iranit Ali Khamenei më parë kishte ndaluar importin e vaksinave të prodhuara në Britani dhe SHBA, duke i quajtur ato “tërësisht të pabesueshme”.

Vendi më i goditur i Lindjes së Mesme është në përpjekje të vazhdueshme për të prodhuar një vaksinë brenda vendit, për të cilën autoritetet pretendojnë se nuk do të jetë në dispozicion për përdorim masiv para verës.

Javën e kaluar, presidenti Hassan Rouhani tha se përveç pjesës nga COVAX për Iranin prej 16,8 milionë dozash vaksinash, vendi po kërkon të blejë vaksina edhe nga vende të tjera, duke iu referuar Rusisë.

Vendimi për importimin e vaksinës së bërë nga Rusia, megjithatë, ka ngritur shqetësime gjithashtu.

Minoo Mehrz, anëtar i Taskforcës Kombëtare të Iranit kundër COVID-19, i tha një të përditshmeje lokale se është një “shenjë e keqe” për popullin iranian, pasi informacioni për efikasitetin e vaksinës ende nuk është i disponueshëm.

Irani deri më tani ka regjistruar 1,36 milion raste të koronavirusit që nga shpërthimi i tij në shkurt të vitit të kaluar, me 57 mijë të vdekur.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb