Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif dhe ministrat e pesë fuqive tjera botërore që janë pjesë e paktit bërthamor të vitit 2015, do të takohen në Vjenë më 6 korrik për të diskutuar ruajtjen e marrëveshjes bërthamore, pas largimit të Shteteve të Bashkuara nga kjo e fundit.

Diplomatët e lartë nga Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia do t’i bashkohen ministrit të Jashtëm iranian, Zarif në kryqytetin e Austrisë për të diskutuar “paketën evropiane dhe masat për të ruajtur marrëveshjen”, ka raportuar agjencia e lajmeve IRNA.

Njftimi ka ardhur pasi presidenti iranian, Hasan Rohani, i shoqëruar nga Zarif është duke vizituar Zvicrën para se të niset në Austri.

Para se të arrinte në Evropë, Rohani ka thënë më 2 korrik se pret nga kombet evropiane që këtë javë të prezantojnë masat që do të ruajnë marrëveshjen.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka larguar Shtetet e Bashkuara nga pakti bërthamor në muajin maj duke deklaruar kthimin e sanksioneve kundër Teheranit, shkruan rel.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se edhe kombet tjera mund të përballen me sanksione nëse nuk ndalojnë të bërit biznes në Iran.

Shtetet tjera që janë pjesë e paktit, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, kanë thënë se janë të përkushtuara në zbatimin e marrëveshjes për aq kohë sa ka vullnet pala iraniane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb