Irani ka thënë të enjten se ka ekzekutuar një të burgosur, që supozohet se është dënuar gjatë protestave mbarëkombëtare të javëve të fundit.

Ky ekzekutim besohet se shënon ndëshkimin e parë të tillë të kryer nga Teherani.

Ekzekutimi vjen teksa edhe të burgosur të tjerë përballen me dënime me vdekje për përfshirjen e tyre në protestave.

Protestat kanë shpërthyer kundër Policisë për Moral në Iran, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjeçares e cila është ndaluar nga zyrtarë të këtij departamenti, nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Ndërkohë protestat janë zgjeruar edhe me kërkesa tjera, duke sfiduar teokracinë e Iranit në mënyrë më serioze prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Aktivistët paralajmërojnë që edhe persona tjera mund të ekzekutohen.

“Ekzekutimi i Mohsen Shekarit duhet të rezultojë me reagime të fuqishme, pasi në të kundërtën do të përballemi me ekzekutime të përditshme të protestuesve”, ka thënë Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i Grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran, që ka selinë në Oslo.

“Ky ekzekutim duhet të përcillet me pasoja praktike në nivel ndërkombëtar”.

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka votuar më 24 nëntor për të nisur hetime rreth shtypjes së protestave.

Irani e kundërshtuar një nismë të tillë duke thënë se këto veprime shkelin sovranitetin kombëtar.

Agjencia iraniane e lajmeve, Mizan, e ka bërë të ditur ekzekutimin.

Në të, burri i ekzekutuar është akuzuar për bllokim të rrugëve dhe sulm ndaj pjesëtarëve të sigurisë në Teheran.

Autoritetet iraniane kanë pasur vështirësi në ndaljen e protestave dhe i kanë përshkruar ato si “trazira” të nxitura nga vendet që konsideron armike si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Izraeli.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, ka thënë se autoritetet iraniane synojnë të ekzekutojnë edhe të paktën 21 persona tjerë përmes “gjykimeve të rreme”.

Deri më tani, të paktën 475 persona kanë vdekur nëpër protestat e nisura javë më parë në Iran, derisa mbi 18.000 të tjerë besohet se janë arrestuar.

Irani është një prej vendeve që kryen më së shumti ekzekutimeve në botë. Autoritetet e këtij vendi i ekzekutojnë të burgosurit kryesisht duke i varur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb